Fuqizimi i vajzave për një jetesë të pavarur, përmes aftësive digjitale dhe sipërmarrjes

Në këtë realitet të ri, ku teknologjia dhe inovacioni po përcaktojnë tregun e punës, pajisja e vajzave me aftësi praktike, kompetenca dhe vetëbesim bëhet thelbësore për t’i përfshirë ato në mënyrë aktive në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, si dhe për të garantuar një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë.

Në këtë kuadër, projekti “Rise Her – Fuqizojmë vajzat dhe gratë për një jetesë të pavarur”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga World Vision Albania në partneritet me Forumin e Gruas Elbasan, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po krijon mundësi konkrete për vajzat në qarkun e Elbasanit. Projekti udhëhiqet nga World Vision Albania dhe përfshin edhe një skemë nëngratesh, përmes së cilës mbështeten iniciativa lokale që punojnë drejtpërdrejt me vajzat në komunitet.

Një nga këto iniciativa është projekti “Rise and Code”, i zbatuar nga Youth Rights and Citizenship Initiative – YRCI . Në kuadër të këtij projekti, 34 vajza nga Elbasani dhe Librazhdi, të moshës 16–24 vjeç, janë përfshirë në një cikël trajnimesh dhe mentorimi, të fokusuar në zhvillimin e aftësive digjitale, mendësisë sipërmarrëse dhe njohurive mbi barazinë gjinore.

Trajnimet kanë përfshirë tema të rëndësishme si mbrojtja e privatësisë dhe të drejtave digjitale, siguria dhe etika online, shprehja e kreativitetit përmes mjeteve digjitale, njohja e klientit dhe ndërtimi i produkteve apo shërbimeve. Përmes prezantimeve vizuale, materialeve praktike dhe ushtrimeve konkrete, vajzat kanë pasur mundësinë të aplikojnë njohuritë e marra në situata reale, duke forcuar aftësitë digjitale dhe krijuese.

Një fokus i veçantë i trajnimeve ka qenë edhe ndërtimi i ideve sipërmarrëse, analiza e tregut, marketingu, shitja dhe bazat financiare. Ky proces i ka ndihmuar pjesëmarrëset të kuptojnë rrugëtimin nga ideja deri te produkti ose shërbimi, duke rritur aftësitë analitike dhe gatishmërinë për punësim dhe vetëpunësim.

Për shumë prej tyre, ky proces ka qenë transformues. Siç shprehet Ina, një nga pjesëmarrëset: “Mes trajnimeve me profesionistët, por edhe mbështetjes së ofruar, zbulova forcën time. Sot nuk hezitoj të flas.”

Paralelisht, vajzat janë njohur me hyrjen në programim, funksionimin e website-ve dhe parimet bazë të UX/UI, përmes materialeve të përshtatura për nivel fillestar dhe ushtrimeve praktike. Këto njohuri u kanë dhënë atyre një perspektivë të re mbi rolin e teknologjisë në zhvillimin profesional dhe mundësitë që ajo ofron.

Një element kyç i ndërhyrjes ka qenë mentorimi, i cili është fokusuar në zhvillimin e mendësisë sipërmarrëse, rritjen e vetëbesimit dhe identifikimin e problemeve reale që mund të shndërrohen në ide konkrete. Përmes diskutimeve të hapura dhe materialeve udhëzuese, vajzat janë nxitur të reflektojnë mbi potencialin e tyre dhe të lidhin aftësitë personale me mundësi reale zhvillimi.

Ndërsa Jeta, një prej vajzave përfituese, thekson ndikimin e drejtpërdrejtë të këtij rrugëtimi në jetën e saj: “Përmes këtyre trajnimeve kuptova se fuqizimi i vajzave nuk është fjalë e madhe dhe e largët, por një mundësi reale, një proces që nis nga brenda. Sot ndihem më e fortë, më e qartë dhe më e gatshme për të ardhmen. Kam fituar aftësi që do të më ndihmojnë gjithmonë.”

Shembujt e këtyre vajzave tregojnë se fuqizimi nuk mbetet në nivel teorik, por shndërrohet në aftësi konkrete, zë të dëgjuar dhe besim për të ndërtuar të ardhmen. Përmes projekteve si #RiseHer dhe mbështetjes së Bashkimi Evropian, World Vision Albania dhe partnerët e saj po kontribuojnë në krijimin e një brezi vajzash të afta, të pavarura dhe të përgatitura për sfidat e tregut të punës.

Sepse vajzat e fuqizuara sot janë baza e një shoqërie më të barabartë, më të fortë dhe pa dhunë.

Alfons Çupaj – PR and Communications – World Vision Albania