Forumet për “BE për Kujdesin Social”, 14 bashki ndërtojnë partneritete me Organizatat e Shoqërisë Civile

Programi ‘BE për Kujdesin Social’, i cili do të zgjerojë hartën e shtrirjes dhe tipologjitë e shërbimeve sociale për 6 000 familje në risk, është prezantuar në 14 bashkitë përfituese.

Si hap i radhës janë organizuar edhe dy forume, në Durrës dhe Elbasan, ku morën pjesë drejtues/profesionistë të shërbimeve sociale të 14 bashkive si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Prezantimi i programit, i shërbimeve sociale dhe rrjetëzimi mes partnerëve të programit, mundësoi biseda konstruktive dhe krijimin e një terreni të përshtatshëm për formimin e bashkëpunimeve me tej.

Programi financohet nga BE-ja dhe zbatohet bashkarisht nga UNICEF-i në Shqipëri dhe World Vision në Shqipëri, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ky projekt me vlerë 3,1 milion Euro do të mbështesë 14 bashki të vendit për një periudhë prej 36 muajsh, me qëllim ngritjen dhe shtrirjen e shërbimeve të kujdesit social që trajtojnë nevojat dhe të drejtat e grupeve të cenueshme, si fëmijët me aftësi të kufizuara, gratë në rrezik, dhe të rinjtë në situata të vështira.

Pritet që ky projekt të ketë ndikim tek 6.000 familje në risk përmes sigurimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe të vërë në zbatim praktika novatore dhe të mbështesë rreth 350 profesionistë dhe punonjës të vijës së parë të kujdesit social me trajnime dhe mentorim. Të gjitha veprimtaritë dhe veprimet janë hartuar në përgjigje të kërkesave të integrimit në BE, që vendi duhet të përmbushë.

Duke qenë se synon krijimin e tipologjive të reja të shërbimeve të kujdesit social, projekti do të nxisë vullnetarizmin dhe do të angazhojë të rinjtë dhe studentët.