“Fjalët që kurrë nuk u rritën”

Semiljana Azisi

Sot, si çdo ditë tjetër Andra ishte zgjuar e shikonte larg me shikimin e zbrazët. Gjithë zërat që i pushtonin  mendjen ishin aty brenda, të kyçur fort e siguruar për të mos dalë kurrë si zë i rritur. U ulëm në karrigen e vjetër. Pas atij rehatimi modest nisëm bisedën. Mamaja tregonte për jetën e 17 vjeçares me aftësi ndryshe. “Disfatat në jetën e Andrës nuk kanë qenë të pakta. Në moshën 5- vjeçare kaloi një temperaturë të lartë. Këtu nisën të gjitha problemet e saj” – tregon mamaja. Sipas mjekëve temperatura e preku në cipën e trurit dhe ajo që prej asaj kohe nuk mund t’i artikulojë mirë fjalët.    

Ndoshta Andra do të rritet por fjalët e saj asnjëherë, sepse flet si të ishte një 4 ose 5- vjeçare. Ishte gjithmonë e veçuar nga shokët prej asaj që ajo vuante. “Si fillim vendosëm ta arsimonim në një shkollë normale, me pas e regjistruam në Qendrën e zhvillimit, Vlorë, por atje u përkeqësua më shumë” – rrëfente e ëma. Teksa ajo tregonte Andra mundohej ta mbushte kohën me talentin e saj në pikturë. Aty, në fletën e bardhë, kishin filluar të dukeshin vijat e para të lapsit. Nuk ishin zhgarravina. Ishte bota e saj. Sa vështirë  të kuptohej. Vështirë të hyje në botën e saj e të thyeje atë akull që ishte ngritur prej 17 vitesh. Mes mëngëve të bluzës, gati të grisura, po krijohej përsëri një pikturë e re, një dëshirë e paplotësuar. “Pas përkeqësimit vajzën u detyruam ta largonim nga çdo formë arsimimi”. Këto ishin fjalët që Andrës i tërhoqën vëmendjen. Lapsin e lëshoi në tokë e shikonte ngultas të ëmën. Por pas disa minutash gjithçka ndryshoj. Andra mori sërish lapsin, fletën e rregulloj pak më drejtë e tashmë po pikturonte diellin.

Një diell të verdhë, një diell plot shpresë. Vazhduam bisedën. Në çdo fjalë na dilte një informacion i ri. Mësuam se Andra i kalonte të gjitha ditët po njësoj. Ulej dhe vështronte qiellin çdo mbrëmje ose ujiste lulet e ballkonit çdo mëngjes. Shikonte televizor ose  bënte diçka të vogël për të ngrënë. Ajo të gjitha dinte t’i bënte veçse kurrë nuk e merrte guximin të thoshte një fjalë të vetme. Kur unë e pyeta për shkollën ajo thjesht më mohoj me gjeste kur i thashë nëse i pëlqente të shkonte ajo më pohoj, por përsëri me gjeste. Sytë e saj ngjyrë kafe  kërkonin ngultas shpresën kurse flokët e pa krehura atë mengjes, ato flok kaçurrela të shpupuritur tregonin lodhjen. Ishte  e bukur ajo pamje, një bukuri e paprekshme. E heshtur ishte dhoma e saj. Në cep dallohej krevati i vjetër. Disa lodra të mirëmbajtura. Por ajo që më befasojë më tepër ishte arushi i saj. I mungonte njëri krah. Njëri sy diku nëpër dhomën e çrregullt kishte humbur. Ishte i veshur me rroba të pista, herë-herë të qepura e në vende të tjera të grisura. E pyeta pse flinte me të dhe ajo çuditërisht më foli, mu pergjigj: “Ai gjithmonë ka qenë me mua”. Sa qetë i tha ato fjalë. I’u rikthyem edhe një herë bisedës me mamanë por kësaj rradhe e pyeta se përse nuk e provonin dhe një herë ta regjistronin në një shkolle normale. “Sepse  kemi frikë. Kemi frikë si do e trajtojnë shokët dhe mësuesit. Nuk është e lehtë të rikthehet në shkollë në këtë moshë. Gjithmonë më kanë shqetësuar këto pyetje: Si do të mundet vajza ime të përballet me këtë gjë? Neve nuk na ka mbështetur askush. Gjithçka e kemi bërë vetëm, me mundësitë tona. Madje na ka lënduar shumë opinioni i njerëzve. Mentaliteti këtu është i temerrshëm. Prindërit e saj nuk janë të vetmit që shqetësohen nga këto probleme. Andra nuk është e vetmja  adoleshente me këtë sëmundje.

Si ajo në Shqipëri  ka shumë. Në botë numërohen rreth 650 milionë njerëz dhe prej tyre 200 milionë janë fëmijë. Në Shqipëri gjenden rreth 3,678 fëmijë me aftësi ndryshe të regjistruar në arsimin e detyrueshëm. Por prej këtyre 3,678 nuk është asnjë Andra. Madje si Andra mund të jenë edhe shumë të tjerë. “Nje ndihmesë të madhe e kemi patur dhe prej Wold Vision. Vajza ime gjithmonë ka shkuar nëpër trajnime dhe kampe ditore. Gjithmonë argëtohej shumë. Kur kthehej nga  kampet apo trajnimet më tregonte si ja kishte kaluar apo çfarë loje kishte luajtur. Më pëlqen ta shikoj atë duke buzëqeshur, më shtohet jeta” – tregon mamaja.

Biseduam gjatë me mamanë e Andrës. Na tregoi gjithçka që mbante brenda vetes me shpresën e një të ardhmje më të bukur për fëmijën e saj. Ajo vërtetë nuk ishte e njohur me ligjet, me atë çfarë shteti i ofronte ose në çfarë mënyre ai e mbronte. U larguam nga shtëpia e vogël dhe tjegulla të kuqe me  një premtim.

Mamaja na premtoj se gjërat do të ndryshonin. Andrën e priste diçka e re, ndoshta një klasë plot me shokë e mësues për të mësuar, ndoshta diçka tjetër. Këtë nuk e dimë. Shprehimisht mamaja e saj na tha: “Që sot e tutje gjërat do të ndryshojnë dhe nuk do të jenë më të njëjta.”

Unë vërtetë shpresoj tek fjalët e saj. Sepse e pashë nga afër atë fëmijë. U njoha me deshirat e saj, me ëndrrat e shpresat për të ardhmen. Pashë që ajo tregonte për lodhjet e jetës, por prapë jetonte. Ishte e mrekullueshme sesi ajo përpiqej, sesi ajo e përqafonte jetën dhe e jetonte plot pasione. Ishte vërtetë mahnitëse kur e ëma tregonte për humbjet dhe fitoret me guxim të Andrës së vogël, siç ajo e thërriste. Sepse jam e bindur që bota i përket atij që guxon dhe ajo kishte guxuar. Andra kishte guxuar, ishte rrëzuar e ishte ngritur. Tani e priste një e ardhme e re për të guxuar përsëri…