Era* ka 6 muaj që përpiqet të mos e lerë më shkollën për të shitur qirinj. Ka filluar gjimnazin dhe e ëma është në kërkim të një pune që mund t’ia plotësojë nevojat familjes.
“Që në klasë të 6-të kam dalë të shes qirinj tek rruga e kishës këtu në Laç. Pas vdekjes së babait kam braktisur orët e mësimit çdo të martë për të ndihmuar familjen. Na mungonte ekonomia, por mami na ka falur shumë dashuri dhe përpiqej të na qendronte afër. Asnjëherë nuk na ka kërkuar të dilnim bashkë me të për të shitur, përkundrazi më qortonte vazhdimisht”- tregon adoleshentja që kërkonte medoemos të mos ishte indiferente ndaj problemeve familjare.
Edhe pse nuk e dinte që do të shkonim për ta takuar atë të martë, e ëma na lajmëroi se ishte në shkollë. Ishte ora e fundit dhe menjëherë pas mësimit, kur kishte marrë rrugën për të shkuar drejt shtëpisë, e takojmë pak metra larg derës kryesore të shkollës. Eshtë një nga nxënëset më të mira të klasës, por e veshur thjeshtë, një palë xhinse e një xhaketë të hollë. Rreket të na tregojë se ndjehet krenare që iu gjend të ëmës pranë, edhe pse kur ishte ende fëmijë nuk e kishte menduar se një ditë do i duhej të punonte për të siguruar disa të ardhura më shumë. I duket sikur gjithçka që ka përjetuar e sheh tanimë nga larg, si një shikuese, përmes videos imagjinare që e ka ruajtur thellë në kujtime, na pëshpërin:“Kur shikoja bashkëmoshatarët e mi ose mësuesit bëhesha shumë keq dhe doja vetëm të fshihesha diku, ku mos të më shikonte njeri. Po si unë kishte dhe vazhdon të ketë ende shumë fëmijë e të rinj të tjerë.”
Kishte menduar të shkonte të kërkonte ndihmë, por nuk dinte institucione apo njerëz ku mund të mbështetej për të kërkuar të drejtat e saj, por edhe e fëmijëve të tjerë si ajo. E gjendur mes shumë pyetjesh pa përgjigje, dëshirës për të mos braktisur orët e mësimit, por edhe paragjykimeve të bashkëmoshatarëve të saj, para rreth 2 vitesh u bë pjesë e World Vision në grupin e mbrojtjes së fëmijëve. “Unë kam qenë shumë e turpshme, por tani kam shokë e shoqe në këto grupe dhe me kalimin e kohëve kam mësuar të komunikoj më shumë me të tjerët, të them çfarë mendo, të bashëpuno me fëmijë e të rinj të tjerë për të përmirësuar jetën tonë, por edhe për të minimizuar problematikat e qytetit tonë. World Vison nuk më ka ndihmuar vetëm mua, por të gjithë fëmijët. Kam marrë shumë trajnime dhe tani njoh jo vetëm të drejtat e mia dhe të miqve të mi, por njoh dhe insitucionet se ku duhet të drejtohem për të referuar një rast të shkeljes së të drejtave të fëmijëve. Nëse do të shikoja një rast të tillë do të isha unë e para që do ta raportoja dhe do të jepja ndihmën time për ta nxjerrë nga situata në të cilën ndodhej” – shpjegon Era.
Ajo shpreson që një ditë të mos i duhet të kthehet në vendin ku dikur shiste, jo se ka turp, por sepse nuk do të mungojë asnjë ditë në mësim sepse vetëm kështu do mundet që jo thjesht të ketë një dëftesë prej kartoni në sirtar, por të marrë njohuri që do e ndihmojnë të ngrejë zërin për të drejtat e saj, të komunitetit, të vazhdojë shkollën e lartë, një vend pune e një jetë të mirë.
*Era nuk është emri i vërtetë i vajzës