Edhe pse vetëm 4-5 vjeç, ata na kanë dhënë sot një mësim të madh. Kjo është historia frymëzuese e 35 fëmijëve pjesë e kopshtit Nr. 1 në Peshkopi, të cilët lanë shenjën e tyre gjatë “Panaritit të të Vjelave” të mbajtur këtë fundjavë në Dibër.
Me iniciativën e edukatores së tyre, Hasije Qoka, ata arritën që duke shitur produkte të prodhuara vetë, në bashkëpunim me prindërit, të sensibilizonin dhe të mblidhnin të ardhura për një familje në nevojë, të rikthyer nga emigracioni në Dibër.
“Kur të shikojmë një njeri të varfër, ne duhet ta ndihmojmë,” – ishin fjalët e Siditës, vetëm 5 vjeçe, e cila bashkë me moshtarët kërkuan ndihmën e World Vision, që të kontribuonin për një familje në nevojë.
Ideja e nisur fillimish nga edukatorja e kopshtit, vjen në kuadër të orëve që njohin më shumë fëmijët me tematikat sociale.
“Një nga temat që zhvillojmë në kopësht ishte si të ndihmojmë familjet në nevojë. Për këtë vendosëm bashkarisht me fëmijët ta vendosim edhe në praktikë. Duke patur informacion për projektin RE-IN-VEST, iu drejtova World Vision për të na sugjeruar një familje në nevojë nga grupi i të rikthyerve nga emigracioni. Ata na sugjeruan familjen Laçi, e cila pas rikthimit po përballej me një sërë sfidash dhe problemesh të përditshme. Me mbështetjen e tyre ne vendosëm të marrim pjesë në “Panarin e të Vjelave” që u zhvillua këtë fundjavë në Peshkopi. Fëmijët përgatitën paraprakisht me prindërit e tyre disa gatime në shtëpi dhe vendosën t’i shisnim në panair me qëllim që me të ardhurat e përfituara të ndihmonim këtë familje,” –tregon edukatore Hasija.
Vogëlshët tërhoqën vemëndjen e të gjithëve në panair, jo vetëm për bukurinë e tendës së tyre dhe veshjeve tradicionale, por për moshën e tyre të vogël dhe mesazhin e tyre të madh.
“Te panairi më pëlqeu shumë që shitëm gjëra dhe mblodhëm lekë dhe blemë ushqime që do i dërgojmë tek familja që ka nevojë”- thotë me gëzim Erdi, 5 vjeç.
Falë idesë së tyre dhe dëshirës së mirë të prindërve por edhe pjesëmarrësve në panair, arritën të mblidheshin 12 mijë lekë. Krahas tyre, vetë prindërit kontribuan dhe me produkte të tjera, si ushqime, rroba dhe të ardhura.
Momenti më emocionues për të gjithë ishte kur shkuan për vizitë pranë familjes. Altini dhe Miranda, së bashku me 5 fëmijët e tyre, i mirëpritën dhe i falendruan përzemërsisht fëmijët, për idenë që patën dhe që zgjodhën famijen e tyre për këtë gjest kaq bujar.
Historia e familjes Laçi
Ishte viti 2014, kur dy bashkëshortët Laçi, Altini dhe Miranda së bashku me 3 fëmijët emigruan drejt Suedisë për të kërkuar azil. Arsyet e largimit kishin të bënin me kushtet e vështira në të cilat jetonin. Atje, familja e tyre u shtua dhe me dy vajza, të cilat sot janë ende të paregjistruara në Shqipëri.
Të rikthyer në Korrik të këtij vit si pasojë e refuzimit, ata po përballen sot me sfida të mëdha. Aktualisht prindërit ende nuk janë të regjistruar si të papunë në Zyrën e Punës, momentalisht janë strehuar në shtëpinë e prindërve të Altinit dhe nuk kanë as energji elektrike dhe as kushte minimale të jetesës.
Projekti RE-IN-VEST po iu vjen në ndihmë si ndërmjetës me institucionet përkatëse, për regjistrimin e dy vajzave të vogla pranë zyrës së gjendjes civile, në mënyrë që ata të përfitojnë shërbime sipas ligjit që iu takon. Gjithashtu është bërë i mundur regjistrimi i dy djemve të mëdhenj në shkollë, lehtësimi i marrjes së librave falas për ta, si dhe janë bërë pjesë e kampeve sociale të zhvilluar këtë verë, të cilat i kanë ndihmuar për tu socializuar me bashkëmoshatarët e tyre. Familja është bërë pjesë e ndihmës me paketa ushqimore dhe higjenike për tre muaj.
World Vision përmes projektit RE-IN-VEST, të financuar nga Qeveria Gjermane dhe implementuar nga GIZ Albania po i vjen në ndihmë familjeve të rikthyera nga emigracioni në 13 bashki në Shqipëri, të cilat po përballen me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike. Ky projekt po zhvillohet në partneritet me SHKEJ dhe Diakonia Agapes.