Fatjona lufton aftësinë e saj të kufizuar

2_43

Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Mbaj mend çdo detaj. Është dita që më ndryshoi jetën. Unë isha në shtëpi, duke luajtur me tullumbace. Papritur, tullumbaci më iku nga duart. Nuk doja që të ikte prandaj vrapova për ta kapur, por nuk mundesha. Tullumbaci fluturoi lart në qiell dhe unë rashë nga shkallët. Pasi kuptova se ç’kishte ndodhur, u mundova të ngrihesha, por s’mundesha, u përpoqa të thërrisja mamin për ndihmë, por s’mundesha.

Që nga ajo ditë, jeta ime ka ndryshuar plotësisht. Isha 8 vjeç kur pësova aksidentin. Tani jam 13 vjeç. Në katër vitet e kaluara, kam parë më shumë spitale dhe doktorë seç shihja nëpër filma. Pas aksidentit, nuk kisha zgjidhje tjetër, përveçse të braktisja shkollën. Nuk mund të flisja, nuk mund të ecja, e as nuk mund të lëvizja nga krevati. Në klasën time isha nxënësja më e mirë, por u detyrova të braktisja librat, ato që i dua aq shumë dhe u fokusova tek rikthimi i energjive për të ecur e për të folur. Më duhet të mësoja çdo gjë për herë të dytë nga fillimi, ashtu si bebet e vogla.

Asgjë nuk ishte e lehtë, gjithçka dukej e pamundur derisa nisa të flisja [vetëm disa fjalë] dhe të lëvizja një pjesë të gjymtyrëve, si duart. Sakaq, humba një vit shkollor. Por, nuk doja të dorëzohesha, Kështu, nisa betejën time të dytë. Pasi mësova të flisja për herë të dytë, duhet të mësoja të shkoja në shkollë me karrocë me rrota, nëpër rrugët ku më parë vrapoja.

Mami im Donika, më ndihmon të bëhem gati për në shkollë dhe babi më çon atje me makinë. Mami më ndihmon duke më shtyrë karrocën dhe ndonjëherë mezi e gjen rrugën e shtruar për të shtyrë karrocën. Sapo mbërrijmë tek oborri i shkollës, së bashku me shoqet e mija ajo më ngren me gjithë karrocë për të kaluar shkallët që të çojnë drejt klasës sime. Më duhet ti kërkoj ndihmë shoqeve sa herë më duhet të largohem nga klasa, gjatë pushimit të drekës apo gjatë orës së edukimit fizik. Mundohem që të mos largohem nga klasa deri sa të mbarojë mësimi dhe mami vjen të më marrë sepse nuk mund të shkoj dot në shtëpi pa ndihmën e saj. Nuk ka asnjë pjesë rruge në shkollë të përshtatshme për karrocën time. Në fakt, nuk ka rrugë fare për karrocën time asgjëkundi.

Lufta ime për të qenë Fatjona e dikurshme bëhet pikërisht në klasë. Dukeqenëse u shkëputa nga shkolla për një kohë aq të gjatë, ngela mbrapa me mësimet në krahasim me shokët e mi dhe ndonjëherë, goja dhe duart nuk i përgjigjen mendjes sime. Ato janë shumë të ngadalta dhe ajo është shumë e shpejtë. Nuk mund të mbaj shënime kur mësuesja shpjegon mësimin dhe nuk mund ti mbaroj detyrat e klasës në të njëjtën kohë me shokët e klasës. Kur mësuesja më pyet, disa nga nxënësit e tjerë mezi presin, sepse unë dua më shumë kohë për tu përgjigjur. Por mësuesja ime është gjithmonë shumë e duruar. Ajo e di që unë i di përgjigjet, por thjesht më duhet kohë. Kjo është gjithçka që më duhet, më shumë kohë…

Fatjona, duke luajtur me shoqet e saj në oborrin e shkollës. Momentet kur ato luajnë së bashku, janë momentet më të lumtura për Fatojnën.

Familja është gjëja më e shtrenjtë që kam. Ata janë gëzimi i jetës sime. Prindërit dhe vëllai im janë mbështetja më e madhe. Vëllaim im, Sajmiri, është idhulli  dhe është modeli im për tu ndjekur. Ai është njeriu që dua më shumë në këtë botë, sepse ai është vëllai më i mirë në botë. Menjëherë pasi mbaron shkollën, ai vjen në shtëpi, në vend që të shkojë të luajë me miqtë, për të ndihmuar babain tim tek dyqani i vogël që kemi në shtëpi, kështu që mami më ndihmon mua për të bërë ushtrime fizioterapie. Ai gjithashtu më ndihmon për të bërë detyrat dhe ne kalojmë shumë kohë duke luajtur së bashku. Ai është i vetmi me të cilin mund të luaj.

Ëndërroj të bëhem balerinë kur të rritem dhe i lutem Zotit çdo ditë që të më ndihmojë në realizimin e ëndrrës sime. Mund të duket e çuditshme që një vajzë si unë, në një karrocë me rrota, të ketë një ndërr të tillë, por ja që e kam. Një nga doktorët që kam takuar në Itali në një nga kontrollet që kam bërë, më tha se nëse dua që të jem e lumtur edhe të kthehem në Fatjonën që kam qenë, më duhej të bëja dy gjëra: të qeshja dhe të bëja fizioterapi.

 Më shumë se çdo gjë tjetër, unë dua të jem e njëjta që kam qenë dhe po i afrohem shumë realizimit të këtij qëllimi. Kam nisur të ecë pa karrocën me rrota. Tani mund të bëj disa hapa duke përdorur një mbajtëse me rrota. Nuk do të dorëzohem.  

                                                         —–

 Fatjona është një fëmijë i sponsorizuar në programin e Sponsorizimit. Pas aksidentit, ajo u largua nga shkolla sepse nuk mund as të fliste e as të ecte. World Vision i siguroi një vizitë me një fizioterapist. Pas përmirësimit të gjëndjes së saj shëndetësore, ajo donte të rikthehej në shkollë. Së bashku  me mësuesen e saj, World Vision ndihmoi për zhvillimin e një “Plani Edukimi Individual”, që i jep mundësinë Fatjonës për të patur shkollim më të mirë. Falë kësaj, mësuesja e saj e ka më të lehtë ta përfshijë në procesin normal mësimor. Meqenëse është e regjistruar në program, Fatjona ka mundësinë që të ketë akses më të madh tek shërbimet publike, shkollimi dhe tek një pjesë e aktiviteteve të shumta, si kampet verore për fëmijë me aftësi të kufizuar me nismëtar të rinjtë e qytetit të saj, këtë verë.