“Dressed in white”, mbrëmje bamirësie për fuqizimin e vajzave dhe grave të dhunuara

image00001

57% e fëmijëve vajza dhe 22% e grave të anketuara në 8 bashki të Shqipërisë kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore.

Dhuna me bazë gjinore vijon të jetë ende prezente në Shqipëri, ndërsa shifrat janë shqetësuese. Sipas studimit “Gra të Fuqizuara, Fëmijët të fuqizuar”, 57% e fëmijëve vajza dhe 22% e grave kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore.

Të dhënat bazohen në gjetjet e studimit të bërë gjatë vitit 2021 nga World Vision Albania, ku morën pjesë 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç dhe 464 gra (nëna) të grupmoshës 35-50 vjeç, në 8 zona të vendit.

Në kuadër të fushatës 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore dhe angazhimit për fuqizimin e vajzave dhe grave, World Vision Albania organizoi një mbrëmje bamirësie duke gjetur mbështetje për kauzën nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë.

“Dressed in white” bëri bashkë përfaqësues nga komuniteti i biznesit, koorporatat, institucionet shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik në vend, partnerë nga shoqëria civile, si edhe dashamirës e mbështetës të kauzës.

Nën moderimin e Arbana Osmanit dhe muzikën e Marsela Çibukaj, mbrëmja dhuroi emocione të forta. Pjesëmarrësit u frymëzuan nëpërmjet historive reale të vajzave dhe grave triumfuese, të cilat gjetën forcën jo vetëm për të pranuar dhunën, por edhe për ta kundërshtuar atë.

Muzika e përzgjedhur me kujdes, performanca e trupës së baletit, si edhe ekspozita e artit tërhoqën vëmendjen e të ftuarve, duke nxitur kështu biseda dhe ide se si mund të bashkëpunojmë më mirë për fuqizimin e vajzave dhe grave në vendin tonë.

Mënyra më e mirë për t’i ndihmuar vajzat dhe gratë të dalin nga cikli i dhunës është duke investuar në edukimin e tyre, si edhe nëpërmjet fuqizimit ekonomik. Këtë synoi edhe ky event, ku të gjitha të ardhurat e mbledhura nga kjo mbrëmje bamirësie do të shkojnë për fuqizimin e grave dhe vajzave të dhunuara.