Fëmijët sot, por jo vetëm, po rriten në një botë gjithnjë e më digjitale. Informacionet online, lojërat elektronike, rrjetet sociale dhe platformat e videove janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre. Ndërsa interneti ofron mundësi të mëdha për të mësuar, komunikuar dhe zhvilluar aftësi të reja, ai sjell gjithashtu rreziqe serioze që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.
Në Ditën e Internetit të Sigurt, vëmendja ndaj mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën digjitale bëhet edhe më e rëndësishme. Për prindërit dhe kujdestarët, mbajtja e fëmijëve të sigurt online është po aq thelbësore sa mbrojtja e tyre në përditshmëri.
Çfarë rreziqesh hasin fëmijët në internet?
Pa udhëzimin dhe mbështetjen e duhur, fëmijët mund të përballen me:
- Përmbajtje të papërshtatshme për moshën e tyre, përfshirë dhunë ose materiale mashtruese
- Bullizëm dhe dhunë online, që ndikojnë në shëndetin emocional dhe vetëbesimin e tyre
- Persona që shtiren si miq, duke synuar manipulimin ose shfrytëzimin e fëmijëve
- Ndarjen e informacioneve personale, që mund t’i ekspozojë ndaj rreziqeve serioze
Fëmijët janë kureshtarë dhe besues nga natyra. Prandaj, roli i prindërve është vendimtar në ndërtimin e sjelljeve të sigurta dhe të përgjegjshme online, si dhe në krijimin e një mjedisi ku ata ndihen të mbrojtur, të sigurt, por edhe të vlerësuar.
Pse mbrojtja e fëmijëve online është një çështje e të drejtave të fëmijëve?
Rreziqet online nuk qëndrojnë të shkëputura nga realiteti social. Fëmijët që janë më të pambrojtur në jetën e përditshme, shpesh janë edhe më të ekspozuar ndaj rreziqeve në internet. Për këtë arsye, mbrojtja e fëmijëve online është pjesë integrale e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
5 këshilla për mbrojtjen e fëmijëve online që çdo prind duhet të dijë
1. Mbani komunikimin të hapur
Bisedoni rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre online. Pyetini për lojërat që luajnë, faqet që vizitojnë dhe personat me të cilët komunikojnë. Sigurojini se mund t’ju drejtohen pa frikë nëse diçka i shqetëson apo i bën të ndihen të pasigurt.
2. Vendosni kufij të shëndetshëm për përdorimin e teknologjisë
Përcaktoni rregulla të qarta për kohën para ekranit dhe përdorimin e pajisjeve digjitale. Kufizoni përdorimin gjatë natës, mbajini pajisjet jashtë dhomës së gjumit dhe inkurajoni aktivitete jashtë ekranit për një zhvillim të balancuar.
3. Përdorni mjetet e kontrollit prindëror
Aplikacionet dhe opsionet e kontrollit prindëror ndihmojnë në filtrimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe menaxhimin e kohës online. Këto mjete nuk zëvendësojnë dialogun me fëmijët, as nuk janë një mjet kontrolli i njëanshëm, por ofrojnë një mekanizëm shtesë sigurie.
4. Edukoni fëmijët për privatësinë online
Shpjegojuni fëmijëve rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale. Ata nuk duhet të ndajnë informacione si adresa e banimit, shkolla apo fjalëkalime, dhe duhet të tregohen të kujdesshëm me fotot dhe postimet në rrjetet sociale.
5. Qëndroni të informuar dhe të përfshirë si prindër
Platformat digjitale ndryshojnë vazhdimisht. Duke qenë të informuar për aplikacionet dhe trendet më të fundit, prindërit mund të kuptojnë më mirë rreziqet dhe të udhëzojnë fëmijët në mënyrë më efektive.
Angazhimi i World Vision Albania për mbrojtjen e fëmijëve
World Vision Albania është e angazhuar për mbrojtjen e fëmijëve, si online ashtu edhe offline. Përmes programeve tona në mbrojtjen e fëmijëve, edukim dhe fuqizim të komuniteteve, ne punojmë për të krijuar një mjedis të sigurt, ku çdo fëmijë mund të rritet, të mësojë dhe të zhvillohet i mbrojtur.
World Vision Albania është duke ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve. Në partneritet me Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, 47 profesionistë, shumica mësues dhe të rinj, janë certifikuar në sigurinë digjitale dhe po punojnë për promovimin e përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë midis fëmijëve dhe adoleshentëve. Këta profesionistë, po zhvillojnë seanca ndërgjegjësimi që fokusohen te përdorimi pozitiv i teknologjisë, mbrojtja e të dhënave personale, njohja e rreziqeve online, si dhe komunikimi i sigurt në internet.
Gjithashtu, grupet tona rinore IMPACT janë fuqizuar dhe pajisur me aftësi, që të ndihmojë bashkëmoshatarët e tyre për të parandaluar, identifikuar dhe raportuar rreziqet në hapësirën digjitale, duke krijuar kështu një mjedis më të sigurt digjital për gjithë komunitetin.
Alfons Çupaj, PR and Communications, World Vision Albania
https://www.wvi.org/stories/albania/building-safer-digital-world-children-and-youth-albania