Brunilda është shumë e veçantë. Edhe pse pak e turpshme, sytë i shkëlqejnë gjatë gjithë kohës prej mirësisë dhe dashurisë që ka për njerëzit që e rrethojnë. 13-vjeçarja jeton në një fshat në periferi të Prrenjasit bashkë me prindërit, gjyshen, vëllain dhe 2 motrat.
Në një botë ku shumë vendosin veten në plan të parë, mesazhi që na jep Brunilda është që ta duam dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin. Brunilda i do të gjithë. Të gjithë e duan atë. Një dashuri që më së shumti e tregon me gjeste, kryesisht me përqafime, pasi nuk arrin dot ta shprehë plotësisht me fjalë. Ajo është diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit.
“Deri në moshën 1 vjeçare, dukej se çdo gjë po shkonte mirë. Kur bëri 1 vjeç thonte “ma”,”ba”. Por mbeti vetëm me kaq. U tronditëm, pasi nuk e dinim se çfarë problemi kishte. Pas konsultimeve me mjekët na thanë që vajza ishte me çrregullime të spektrit të autizmit,” – shprehet Mimoza, mamaja e vogëlushes, të cilën e gjejmë bashkë me Brunildën në ambientet e Qendrës Komunitare për Shërbime Ndaj Aftësisë së Kufizuar në Prrenjas, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.
Brunilda është në klasë të pestë. Ajo jeton në një fshat në periferi të qytetit, por çdo javë udhëton me mamanë e saj drejt Prrenjasit, aty ku merr shërbimin e logopedisë dhe terapisë së zhvillimit prej më shumë se një viti. Qendra Komunitare për Shërbime ndaj Aftësisë së Kufizuar është kthyer në vendin e saj më të dashur, ndërsa specialistët e qendrës janë miqtë e saj më të mirë.
“Vetëm këtu gjen qetësi. Qendra është për të një shtëpi e dytë. Kur nuk kemi mundësi të vijmë në qendër, shërbimi na vjen në shtëpi. Kjo na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë, pasi na kursen kohë dhe para,”- vijon rrëfimin e saj mamaja e vogëlushes.
Seancat e terapisë e kanë ndihmuar Brunildën që të përqendrohet, të socializohet, të jetë bashkëpunuese, por edhe të artikulojë më mirë.
“Më parë e kishte vështirë të përqendrohej. Më dukej çdo gjë e pamundur. Por pas marrjes së terapisë, jeta e Brunës ka ndryshuar. Ka një bashkëveprim shumë të mirë me specialistët, me të cilët është miqësuar,” – na tregon Mimoza, e cila thotë se shpesh i duhet të përballet edhe me paragykimet e njerëzve për situatën në të cilën ndodhet vajza.
“Më përpara qaja dhe e kisha shumë problem. Më dukej sikur isha unë fajtore për gjithçka. Tani jam mësuar me realitetin. Fokusohem tek Bruna. Mendoj vetem në interes të zhvillimit të saj. I kam hedhur pas krahëve fjalët e njerëzve,”- vijon rrëfimin Mimoza.
Brunilda ka qenë për tre vite edhe pjesë e “Tungjatjeta Jetë”, një program i dizenjuar nga World Vision Albania që ofroi për herë të parë përmes Njësisë Lëvizëse shërbim të specializuar në shtëpi për fëmijët me aftësi të kufizuara në zonat rurale pa akses në shërbime.
Lidhjen më të veçantë, Brunilda e ka me Klarën. Duket sikur është më shumë një marrëdhënie mes mikeshash, që herë pas here shoqërohet me përqafime të sinqerta. Logopedistja thotë se në kuadër të projektit punohet edhe me prindërit për t’i trajnuar ata se si të punojnë me fëmijët në shtëpi.
“Bruna është bashkëpunuese. Ka rritje të përqendrimit dhe të kontaktit me sy, realizon ushtrimet, njeh figurat, ngjyros saktë. Nga java në javë shoh progres. Ndërkohë edhe mamaja e Brunildës është trajnuar se si të punojë me vajzën në shtëpi,”- na tregon Klara.
Takimi i radhës do të jetë në shtëpinë e Brunildës. Ndërsa nisën së bashku për në shtëpi, mamaja e 13-vjeçares na tregon edhe merakun e saj më të madh.
“Dëshira ime më e madhe është që Bruna të bëhet e pavarur në jetë dhe të marrë vazhdimisht shërbime për nevojat që ajo ka,” – e mbyll rrëfimin Mimoza, shpresëplotë se me ndihmën e specialistëve, Brunilda do ia dalë mbanë.
Në kuadër të projektit Qendër Komunitare për Shërbime ndaj Aftësisë së Kufizuar, 64 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara në Prrenjas, në qytet dhe zonat rurale, po marrin shërbim të integruar sipas nevojave që ata kanë. Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga World Vision Albania në partneritet me bashkinë Prrenjas ofron shërbime në logopedi, fizioterapi dhe terapi zhvillimi në tre drejtime; në shtëpi, qendër komunitare dhe shkollë.
Në total, janë 180 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara që përfitojnë nga ky projekt.