Brenda mureve të “dashurisë“

1_96

Në të njëjtën godinë, në të cilën u gjend në moshën dy vjeçare, ndodhet sërish edhe pas 58 vitesh. Çdo skutë e saj është e njohur, dhe i mban zgjuar shumë kujtime. Farija, fizioterapistja e qendrës për fëmijët me aftësi të kufizuara në Librazhd nuk është ndarë asnjëherë nga kjo godine. Fati i saj ka qenë pazgjidhshmërisht i lidhur me këtë ambjent që dikur ka shërbyer si konvikt për fëmijët jetim. Brenda këtyre mureve, fëmijët janë rritur me dashuri dhe përkujdesje nga kujdestarët e tyre.

Frenki është 14 vjeç. Është një djalë i bukur me sy të ëmbël. Kur ishte tre muajsh ai kaloi temperaturë të lartë. Pasojat ishin fatale. Ai sot nuk mund të ecë, nuk mund të qëndrojë i ulur, nuk mund të flasë apo të ushqehet, por Farija dhe Frenki kanë kodin e tyre të komunikimit. Për Frenkin zëri i Farijes është i dashur dhe miqësor. Sapo e dëgjon ai qetësohet dhe buzëqesh. Ajo e di se çfarë Frenki pëlqen.Të dy sëbashku po përpiqen që ai të qëndrojë i ulur pa ndihmën e askujt.Dhe duket se ia kanë dalë. Frenki tani arrin të mbajë kokën drejtë dhe qëndron ulur. Ai njeh ngjyrat dhe reagon shumë mirë me nënën e tij. Farija duket se nuk lodhet kurrë, dhe Frenki duket se e di mirë këtë gjë. Atij i pëlqen muzika, ngjyra e kuqe, dhe zëri i Farijes. Çdo përparim i Frenkit është një arritje e madhe për Farijen e cila ka një jetë që i është përkushtuar këtyre fëmijëve.

Gruaja me sy të kaltër na tregon se nëna e saj nuk mundi ta rrisë. Pa u zgjatur për këtë fazë të dhimshme të jetës seë saj, ajo risjell në mendje me shumë dashuri, kujdestarin e saj i cili është përkujdesur për të dhe dhjetra fëmijë që janë rritur në këtë godinë. Farija është nënë e dy fëmijëve dhe një bashkëshorte e lumtur. Edhe pse është martuar në një kohë me rregulla të përcaktuara dhe të forta, ajo tregon se është celebruar vetëm kur ishte shtatzëne me djalin e parë. “Isha prej tete vitesh e dashuruar me tim shoq. Ai punon shofer. Jemi njohur me dashuri dhe duhemi shumë” – tregon Farija.

Pas Frenkut,  në dhomën e fizioterapisë vjen Kledi. Ai është një djalë 16- vjeçar i cili nuk mund të ecë. Përmes gjuhës së shenjave Kledi arrin të komunikojë lehtësisht me mësuesen e tij. Ajo na tregon se  pas disa muajsh punë ka arritur të lëvizë duart,  por tani ai ka një ëndërr tjetër: të ecë. Dhe të dy me Farijen nisin ushtrimet. Janë në garë me njëri-tjetrin. Kush do të bëjë më shumë muskuj për barkun? Kush i lëviz krahët më shpejt? Po këmbët? Dhe fituesi është Kledi. Kur Farija, na thotë se edhe një vit del në pension, Kledi nis të flasë në gjuhën e tij për të kundërshtuar këtë vendim i cili mund t’i largojë mësuesen e tij të zemrës. Por edhe Farija trishtohet. Për të e shtuna dhe e diela, jane ditë të gjata e të lodhshme, sepse edhe fëmijët nuk i ka në shtëpi. Ata janë martuar.

59- vjeçarja kujton se shumë prej “fëmijëve të saj”, kanë përfunduar shkollën e mesme. Janë jo pak prindër dhe fëmijë që e marrin në telefon sa herë vijnë në Librazhd për të takuar gruan që i ka falur dashuri, që i ka mësuar të qendrojnë në këmbë, të ushqehen, të luajnë, të ecin. Gruan që me durim, dashuri, ka parë përtej pamundësive të tyre, dhe i ka shëruar e qetësuar me ëmbëlsi.