Bashkëpunimi për fëmijët dhe të rinjtë, zv.ministrja e Arsimit viziton World Vision Albania

Zëvendësministrja e Arsimit, Znj. Herida Duro, dhe Z. Flori Kasaj, Specialist pranë Ministrisë së Arsimit, vizituan zyrat e World Vision Albania, ku zhvilluan një bashkëbisedim me Drejtoren Ekzekutive të organizatës, Znj. Eljona Elmazi. Gjatë takimit u diskutua për partneritetin e frytshëm ndër vite dhe për nismat e reja të përbashkëta që synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.

Bisedimet u fokusuan te projektet e reja frymëzuese si After School dhe Shkolla Verore 2026. Këto projekte të përbashkëta do t’i shërbejnë komuniteteve shkollore duke formuar tek fëmijët emocionet e shëndetshme përmes artit, duke nxitur krijimtarinë dhe mendimin kritik, si dhe duke zhvilluar aftësitë praktike përmes përdorimit konstruktiv të kohës.

Ky bashkëpunim është pjesë e një tradite të gjatë iniciativash që World Vision Albania ka zhvilluar me Ministrinë e Arsimit, duke krijuar modele gjithëpërfshirëse për rritjen e pjesëmarrjes, kreativitetit dhe mirëqenies së fëmijëve.

Prej vitesh, World Vision ka mbështetur nisma të tilla si:

  • Shkollat Verore, përvoja pilot që në vitin 2025 përfshiu mbi 1000 fëmijë nga 10 shkolla në Tiranë, Kamëz dhe Durrës.
  • Smart Labe dhe Hapësira Zhvillimore në shkolla të ndryshme të vendit për aftësi praktike dhe teknologjike.
  • Këndet e Qetësisë, për promovimin e mirëqenies emocionale dhe të shëndetit mendor të nxënësve.
  • Projekte After School që nxisin kreativitetin, mendimin kritik dhe përdorimin konstruktiv të kohës së lirë.
  • Investime në shkolla, si Laboratorët e Informatikës, Këndet sportive etj.

Prej 26 vitesh, World Vision Albania investon në kapitalin njerëzor të Shqipërisë, përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet arsimore dhe strukturat vendore, si dhe me prindërit dhe shkollat, për të fuqizuar dhe përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve.

Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania