Unë në jam Argi, 16 vjeç. Ajo çfarë dua të ndaj me ju është eksperienca ime si pjesë e grupit “Impact” në World Vision, një rrugëtim i vlefshëm që jam i lumtur se ende vazhdon…
Rrugëtimi im si pjesëmarrës në World Vision nis me angazhimin tim me të rinjtë e grupit “Impact” në vitin 2018 kur unë sapo kisha filluar klasën e shtatë në shkollën “Demokracia”. Mbaj mend që në atë kohë po bëheshin zgjedhjet për të vendosur përfaqësuesin e klasës i cili do të ishte pjesë e “Qeverisë së Nxënësve” të shkollës.
Unë isha një nxënës që studioja shumë, por me natyrë shumë të mbyllur. Isha i ndrojtur dhe aftësitë e mia me marrëdhëniet me publikun ishin pothuajse zero. Duke qenë se kisha fituar besimin e shokëve dhe shoqeve të mia, unë i fitova ato zgjedhje, por e pranoj edhe sot që fitorja ime nuk erdhi nga aftësia ime për të bindur nxënësit e tjerë të klasës se unë isha përfaqësuesi i tyre më i mire, por ishte thjesht fat për mua, ata thjesht donin të më besonin mua. Në mbledhjen e parë që u bë unë mora lajmin që World Vision do të krijonte një grup të rinjsh në shkollën tonë të quajtur “Impact Club” dhe mësuese Alma e cila ishte dhe koordinatore e “Qeverisë se Nxënësve” na dha lajmin dhe ne si senator mund të ishim pjesë e grupit për të kontribuar së bashku me të tjerë. Pasi mora lajmin, isha pak konfuz në lidhje me çdo gjë. Si fillim, për mua ishte pak e vështirë të kuptoja pse na duhej një grup tjetër, dhe pse pikërisht “Impact Club”. Më pas mendoja, a do të isha unë i aftë të përfaqësoja nxënësit që më zgjodhën mua? A do të mund të hiqja ndrojtjen dhe të flisja lirisht duke shprehur dhe thënë çdo gjë që unë mendoja, sepse problem im nuk ka qenë asnjëherë mungesa e informacionit, por pika e dobët ishte fakti që kur e drejta e fjalës ishte tek une , unë bllokohesha duke harruar çdo gjë që do të thoja. Në kontaktin e parë me Suelën e cila ishte përfaqësuese e World Vision në shkollën tonë kuptova se ajo çfarë ata donin të sillnin mes nesh, dhe ishte një vizion ndryshe, ishte diçka ndryshe nga cfarë unë e përfytyroja. Ishte një mundësi trajnimi për të rritur aftësitë individuale dhe si grup, një mundësi për t`u informuar dhe për të mësuar më shumë rreth mënyrës sesi ne duhet të sillemi në komunitet .
Gjatë trajnimeve me World Vision përveç mundësisë për t’u njohur më shumë me pjesëtarët e tjerë të grupit, mua m’u dha mundësia të krijoja me shumë njohje të reja me persona nga grupe të tjera “Impacti” në shkolla te tjera, persona që edhe sot i konsideroj si miq shumë të mirë.
Trajnimet shpesh bëheshin jashtë shkolle dhe kjo ishte diçka pozitive sepse na shkëpuste nga ai ambienti i përditshëm duke na bërë të provonim eksperienca të reja. Trajnim pas trajnimi po vija re se çdo ditë ndrojtja ime zbehej, njohuritë e mia po shtoheshin dhe gjithashtu po rritej forca ime për të sjellë ndryshim në komunitet.
Në një nga aktivitetet që ne kemi zhvilluar në lidhje me barazinë gjinore kishim mundësi që të shprehnim mesazhet tona nëpërmjet pikturës, dhe jo vetëm që kam qenë pjesë e organizimit por kam punuar një pikturë aq të bukur sa mendoj se ky ishte edhe momenti që unë zbulova talentin tim në këtë fushë të cilën tani e zotëroj edhe profesionalisht.
Në zgjedhjet e ardhshme për senator, unë u rizgjodha sërish dhe mendoj se ishte aftësia ime ajo çka më bëri mua të fitoja, falë sigurisë që kisha krijuar si pasojë e angazhimit tim tek “Impact.” Tashmë kapaciteti im në aftësinë për të përfaqësuar 30 persona dhe për të thënë atë që mendoja lirisht kishte arritur kulmin, ndrojtja pothuajse ishte zero dhe emocionet për t’u shprehur nuk ekzistonin brenda meje dhe meritë e kësaj ishte pjesëmarrja ime në aktivitete të ndryshme, pjesa më e madhe e tyre e organizuar nga World Vision.
Surpriza më e madhe erdhi më pas për mua kur unë në klasën e 9-t dhe arrita të bëhesha President i “Qeverisë së Nxënësve” duke rritur përgjegjësitë e mia, kështu që viti 2020 ishte viti i përpjekjes për të kthyer gjërat siç ishin më parë. Takimet me World Vision filluan përsëri të bëheshin si më parë duke rikthyer sërish atë gjallërin e dikurshme që merrte salla ku organizohej, për mua që më kishte marrë malli për këtë gjë ishte diçka shumë e bukur.
Aktiviteti në fakt që mua më ka lënë mbresa ishte Labirinti , ku unë jo vetëm do të merrja pjesë, por edhe do ta moderoja. Ky ishte aktiviteti im i fundit ku mora pjesë për arsye se do më duhej të regjistrohesha në gjimnaz dhe kjo nënkuptonte të mos isha më pjesë e grupit “Impact” në atë shkollë.
Rastësisht një ditë dëgjova se World Vision po bashkëpunonte me gjimnazin tonë dhe po krijonte një grup të ri “Impacti” në shkollë. Emrat e pjesëmarrësve ishin zgjedhur tashmë, dhe emri im nuk ishte në listë. Nuk mund ta humbja këtë mundësi kështu që menjëherë kontaktova me stafin e World Vision dhe i kërkova që të bëhesha dhe unë pjesë e këtij grupi. Kështu që unë u riktheva sërish mes të rinjve, u bëra pjesë e grupit me të rinj në gjimanzin ku po mësoj. Përfshirja në grupet rinore më ka nxitur të gjej forcën të flas pa ndroje; të mbroj të drejtat e mia; të kërkoj për më shumë mundësi për të rinjtë sepse unë tani e di sa e rëndësishme është të kesh një zë, mbyll rrëfimin e tij Argi.
Udhëtimi vazhdon…