Aftësi digjitale për një brez më të fuqishëm/ 100 të rinj nga Durrësi eksplorojnë botën e teknologjisë

Të rinjtë sot po rriten në një botë që ndryshon me shpejtësinë e teknologjisë. Për Meisin nga Durrësi, ky realitet i ri hap mundësi të jashtëzakonshme, por sjell edhe sfida: si të mos mbetesh pas, si të mos ndihesh i/e zëvendësueshëm dhe si të gjesh vendin tënd në një botë që lëviz kaq shpejt.

“Inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po transformojnë mënyrën se si mësojmë, si mendojmë, si punojmë dhe si ëndërrojmë për të ardhmen. Jetojmë në një moment ku aftësitë digjitale janë një domosdoshmëri. Fuqizimi i të rinjve është thelbësor,” thotë 19-vjeçarja.

Për World Vision Albania, fuqizimi i të rinjve ka qenë gjithmonë një prioritet. Prej 26 vitesh, ne investojmë në kapitalin njerëzor të Shqipërisë përmes modeleve të specializuara dhe gjithëpërfshirjes. Në këtë realitet të ri, së bashku me partnerët tanë, ne po e shohim fuqizimin jo thjesht si një ndërhyrje të kufizuar, por si një përgjigje gjithëpërfshirëse: duke i mbështetur të rinjtë me aftësitë që u duhen për të mësuar, për të krijuar dhe për të ndërvepruar me botën.

Mbështetje për 100 të rinj

Në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, po mbështesim 100 të rinj nga Durrësi, me aftësi digjitale dhe të teknologjisë së informacionit në përputhje me kërkesat e tregut të punës, duke rritur mundësitë për punësim dhe zhvillim profesional.

“Përmes këtyre trajnimeve kam mësuar bazat e programimit dhe kodimit, kam pasuruar aftësitë digjitale dhe madje kam mësuar të ndërtoj dhe dizajnoj një faqe profesionale webi,” shton Meisi.

Trajnimet e certifikuara, të udhëhequra nga profesionistët e Albanian ICT Academy, i njohin të rinjtë me programimin duke përdorur Python me Turtle. Çdo rresht kodi shndërrohet menjëherë në një formë vizuale, duke e bërë kodimin të prekshëm dhe argëtues.

Të rinjtë po krijojnë gjithashtu website-in e tyre personal nga zero me HTML/CSS, duke kuptuar se si funksionon interneti “prapa skenave” dhe duke u ndjerë krenar për një faqe që mund ta quajnë “e tyre”.

Për më tej, ata po njihen me botën e inteligjencës artificiale duke përdorur libra Python për analiza dhe modele të thjeshta. Kjo i ndihmon të kuptojnë sesi kodi mund të “mendojë” dhe të nxjerrë vendime nga të dhënat, duke zbuluar fuqinë reale të teknologjisë në botën moderne.

Një hap i vogël drejt një të ardhme më të sigurt

Interesi për këto trajnime ka qenë i jashtëzakonshëm, duke e kthyer Qendrën Rinore Multifunksionale në Durrës në një hapësirë energjike dhe kreative.

Klevisi, 15 vjeç, e sheh këtë përvojë si thelbësore për të ardhmen e tij. Ai  beson, se pajisja e të rinjve me aftësi digjitale dhe teknologjike, do të thotë më shumë mundësi për punësim dhe vetëpunësim, por edhe më shumë siguri në botën online dhe hapësirë për të komunikuar dhe adresuar çështje të ndryshme sociale.

Këto trajnime më kanë mësuar të zhvilloj aftësitë e mia në kodim dhe të ndërtoj një website personal. Duke qenë se po shkojmë drejt një bote ku digjitalizimi është kryefjala, mendoj se këto trajnime janë një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt,” thotë Klevisi, 15 vjeç.

Të rinjtë e Durrësit po tregojnë se aftësitë digjitale nuk janë vetëm njohuri, por çelës për të hapur dyer drejt mundësive reale. Meisi, Klevisi dhe 100 të rinjtë e tjerë po shfrytëzojnë çdo mundësi që trajnimet u ofrojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre, duke u bërë shembuj konkretë se si mbështetja, dijet dhe teknologjia mund të fuqizojnë brezin e ri për një të ardhme më të sigurt dhe të plotë.

Një brez që mëson, krijon dhe transformon të ardhmen e vet dhe komunitetit të tij.

Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania