World Vision dhe AKSK, certifikohen 47 profesionistë për mbrojtjen e fëmijëve në internet

Tiranë – World Vision Albania në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) po ndërmarrin disa nisma për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në internet.

Në kuadër të këtij partneriteti, janë certifikuar 47 profesionistë, të trajnuar për të punuar me fëmijët dhe të rinjtë në fushën e sigurisë digjitale. Më 5 shtator, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së certifikatave, ku morën pjesë Zv.Drejtoresha e AKSK-së, znj. Floreta Faber, dhe Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, znj. Eljona Elmazi, ku zhvilluan një bashkëbisedim mbi sfidat e sigurisë në hapësirën online.

“Duke bashkëpunuar me partnerë si World Vision Albania, po rrisim ndërgjegjësimin dhe po fuqizojmë fëmijët dhe të rinjtë që të mund të eksplorojnë botën digjitale në mënyrë të sigurt,” u shpreh Floreta Faber, Zëvendësdrejtoreshë e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

Profesionistët në vijën e parë të sigurisë digjitale

Profesionistët e certifikuar, nga Dibra, Durrësi, Kamza, Tirana dhe Korça, angazhohen vullnetarisht si drejtues të grupeve të të rinjve të World Vision Albania. Ata po ndajnë njohuritë e tyre me qindra fëmijë e të rinj të programeve tona, në komunitete dhe shkolla, duke rritur ndërgjegjësimin për: 

  • Përdorimin pozitiv të teknologjisë dhe mbrojtjen e informacionit personal
  • Llojet e kërcënimeve online dhe hakerimin e të dhënave personale
  • Sfidat e epokës digjitale dhe risqet e komunikimit online
  • Rolin e AKSK-së në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve dhe mekanizmat e raportimit

Fuqizimi i të rinjve

Me njohuritë e fituara, të rinjtë e grupeve IMPACT jo vetëm që mbrojnë veten, por edhe informojnë dhe ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre për të parandaluar dhe raportuar problematikat që hasin gjatë lundrimit online.

Fëmijët dhe të rinjtë janë ndër përdoruesit më aktivë të internetit, por gjithashtu edhe ndër më të pambrojturit,” – u shpreh Eljona Elmazi, Drejtoreshë Ekzekutive e World Vision Albania. “Nëpërmjet këtij partneriteti, po i pajisim profesionistët dhe të rinjtë liderë me njohuri dhe mjete për të ndërtuar një mjedis digjital më të sigurt për të gjithë.”

Partneriteti i World Vision Albania me AKSK do të thellohet më tej, për të ndërtuar një ekosistem kibernetik të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.

Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania