Vajzat e fuqizuara transformojnë shoqërinë

“Në komunitetin ku unë jetoj, shumë nga vajzat dhe gratë nuk janë të barabarta me djemtë dhe burrat. Fatkeqësisht, vijon të jetë ende prezent mentaliteti që vajzat dhe gratë duhet të qendrojnë në shtëpi dhe t’u nënshtrohen burrave. Ajo që e bën më të papranueshme këtë situatë, është fakti se shumë nga gratë janë dakord me këtë realitet mbytës,”- thotë Enkeleda nga Tirana, me një keqardhje, por edhe habi që mund të lexohet lehtë në sytë e saj.

18-vjeçarja jeton në një nga lagjet periferike të kryeqytetit, në një zonë që përbëhet kryesisht nga familje të ardhura nga zona të ndryshme rurale të Shqipërisë. Vetë Enkeleda thotë se ky lloj mentaliteti që i nuk i lejon vajzat dhe gratë ta arrijnë potencialin e tyre të plotë ka patur ndikim negativ edhe në jetën e saj, kryesisht gjatë fëmijërisë.

“Kur isha më e vogël, mendimi im nuk merrej parasysh as në familje. Vendimet merreshin pa na pyetur. Por me përfshirjen në grupet IMPACT të World Vision Albania kam mësuar se si të kem një zë, se si mendimi im të dëgjohet,”- tregon Enkeleda.  18-vjeçarja e quan eksperiencën 8 vjeçare me grupet IMPACT një rrugëtim transformues.

Trajnimet e ndryshme, përfshirja dhe diskutimi me bashkëmoshatarët dhe nismat e ndërmarra e kanë ndihmuar Enkeledën që të informohet, të zhvillojë njohuritë e saj dhe të kuptojë më shumë rreth të drejtave që kanë fëmijët dhe të rinjtë. Kjo e bën atë që ta konsiderojë veten një vajzë të fuqizuar, të pavarur, të guximshme, mendimet e së cilës kanë peshë në familje, shkollë, komunitet dhe në shoqëri. Ajo lufton që edhe bashkëmoshataret e saj të kenë akses dhe të jenë të ndërgjegjshme për të drejtat që kanë.

“Sot kam aftësinë të vendos vetë për veten.  Nuk kam turp të flas, të ngre zërin, jo vetëm për çështjet që prekin direkt jetën time, por edhe për bashkëmoshatarët e mi. Shumë nga vajzat dhe gratë jetojnë me mendimin se “çfarë do të thonë njerëzit nëse dal kundër mentalitetit”. Shumë nga nënat i kanë mësuar djemtë, por edhe vajzat, se burri është i pari dhe fjala e tij nuk diskutohet. Kjo ka ndikuar që edhe fëmijët e tyre të bëhen agresivë dhe mospranues ndaj vajzave dhe grave. Kjo situatë na ka shtyrë që me grupet IMPACT të bëjmë dhjetëra aktivitete ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese kundër dhunës, duke u fokusuar tek gjithëpërfshirja, solidariteti dhe fuqizimi i vajzave. Mendoj që kemi arritur të kemi impakt, por nuk mjafton,” – vijon rrëfimin e saj Enkeleda.

E reja merret me sport dhe i pëlqen teknologjia, por pavarësisht drejtimit që do të marrë në jetë, ajo shprehet se do të vijojë të jetë një zë i fortë për çdo vajzë dhe grua. Ajo thekson se të gjithë kemi lindur të lirë dhe të barabartë, ndaj çdo vajzë duhet të mbështetet që ta jetojë jetën në plotësinë e saj. Sipas saj, duhet bërë gjithçka që normat tradicionale kulturore të mos i dominojnë pikëpamjet e të rinjve për të drejtat dhe rolet e grave në shoqëri.

“Kam mësuar se zëri im ka fuqi për të ndikuar pozitivisht dhe do ta përdor gjithmonë në mbështetje të fëmijëve, të rinjve, të vajzave dhe të grave. Nuk do ta mbyll gojën asnjëherë kur të dëgjoj për gra apo vajza që dhunohen apo që kanë nevojë të mbështeten për të tejkaluar sfidat që ato hasin. Duhet që të gjithë bashkë të punojmë për të ndërtuar një shoqëri ku të drejtat zbatohen, ku vajzat dhe djemtë trajtohen si të barabartë, dhe ku mendimi i secilit ka peshë dhe merret për bazë,” – shprehet Enkeleda, me një qëndrim dhe seriozitet frymëzues dhe shpresëdhënës.

Sipas 18 vjeçares, fuqizimi i nënës është thelbësor për fuqizimin e vajzave. Modeli që e frymëzon në jetë është mamaja e saj, të cilën e quan “një grua të fortë që ka dalë mbi paragjykimet”. Enkeleda thekson se pavarësisht trajnimeve që bëhen dhe nismave që ndërmarrim të rinjtë, institucionet apo organizatat, rol vendimtar për të ndryshuar këtë mentalitet ka familja. Vetë prindërit e Enkeledës ka qenë pjesë e trajnimeve të World Vison Albania për prindërimin pozitiv, ku janë pajisur me aftësi se si të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme në familje, ku çdo anëtar ndjehet i vlerësuar dhe i rëndësishëm.

“Kam arritur që të kuptoj se kur nëna është e fuqizuar, detyrimisht edhe vajza është e fuqizuar. Prindërit e mi kanë qenë pjesë e trajnimeve mbi Prindërimin Pozitiv dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në familjen tonë. Mendoj që këto trajnime e kanë fuqizuar familjen tonë, e në mënyrë të veçantë mamanë. Në shumë raste vajzat dhe gratë detyrohen të mbyllin gojën edhe për shkak të pafuqisë ekonomike për t’ia dalë mbanë të vetëm. Njoh rastin e një vajzë të cilën prindërit e martuan pa bërë 18 vjeçe. Çdo herë që e shoh, përpiqem t’i flas, ta inkurajoj dhe ti jap zemër. Ajo pranoi pasi nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër,” – shprehet Enkeleda.

Enkeleda sot studion në një prej gjimnazeve më të mira të Tiranës dhe është e ndërgjegjshme që rruga drejt suksesit, barazisë dhe pavarësisë ka pengesa, por ajo beson në fitoret e vogla dhe të përditshme.

Në jetë do të ketë gjithmonë pengesa, por vajzat e forta shohin përpara. Unë besoj fort se vajzat e fuqizuara janë ato që mund të transformojnë shoqërinë,” – e mbyll rrëfimin e reja energjike, shpresëplotë që e ardhmja do të jetë më pozitive për vajzat dhe gratë, nëse të gjithë aktorët bëhen bashkë.

Enkeleda është një nga 1496 të rinjtë e grupeve IMPACT me të cilët World Vision Albania punon në të gjithë Shqipërinë, duke i pajisur ata me aftësi dhe kompetenca për të sjellë ndryshim në komunitetet ku jetojnë.