Të rrisim reziliencën

1

57 prindër në Bashkinë Krujë janë bërë pjesë e një trajnimi me fokus ndërtimin e praktikave të shëndetshme të prindërimit dhe të aftësive të nevojshme për të përballuar më mirë situatat e emergjencës në të ardhmen. Gjatë trajnimit, prindërit patën mundësi të shkëmbenin mendime dhe eksperienca me njëri-tjetrin, si dhe të njiheshin me disa teknika që mund t’u vijnë në ndihmë për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme me fëmijët dhe bashkëshortët. 

“Do doja t’i kisha ditur më parë këto që po mësoj tani për rritjen e fëmijëve. Shumë gjëra do ishin ndryshe në familjen time. Kemi mësuar edhe mbi teknikat e relaksit për uljen e gjendjes së ankthit, si dhe mbi mënyrat se si mund të ndërtojmë një familje reziliente,”- tha njëri nga prindërit e pranishëm. Ky trajnim u organizua në vijimësi të trajnimeve që po zhvillohen me disa nga familjet në bashkinë Krujë në kuadër të prindërimit pozitiv.

Duke marrë shkas nga situata e krijuar pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, prindërit u njohen edhe me disa këshilla dhe teknika për të kuptuar kur kemi të bëjmë me një situatë traumatike, cilat janë simptomat që na tregojnë për një gjendje të stresit post traumatik, si dhe cilat janë veprimet që duhet të ndërmarrin për të mbështetur fëmijët apo edhe të moshuarit. 

“Në këtë eksperiencë të trajnimit me familjet vlen të theksohet rëndësia e shëndetit mendor. Trajnimi u fokusua tek aftësia e rimëkëmbjes pas çdo lëkundje që pëson familja, e cila edhe pse e vendosur në pozicionin më të vështirë të saj i duhet të vazhdojë rrugëtimin e gjatë të jetës së shëndetshme,” – thotë Besilda, trajnuesja e 57 prindërve.

Trajnimi u bë në kuadër të projektit “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente”, i financuar nga UNDP Albania dhe që zbatohet nga World Vision Albania. Në sajë të këtij projekti, 100 familje në bashkinë Krujë po mbështetet me paketa ushqimore, inpute bujqësore, si dhe këshillim për përballimin e situatave emergjente në të ardhmen. 

Ndërkohë edhe anëtarë të komunitetit dhe përfaqësues të institucioneve lokale po angazhohen në diskutime që kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe zbatimin më efektiv të Planit Lokal të Emergjencave.

Ky ndërhyrje është marrë në kuadër të “Përgjigje e Mbrojtje Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP dhe i financuar nga SDG Acceleration Fund. Projekti mbështet Qeverinë Shqiptare dhe dhe tre bashki të prekura nga tërmeti, në procesin e dizenjimit dhe përkthimit të politikave që synojnë në ndërmarrjen e veprime të duhura lokale për të siguruar që burrat, gratë, vajzat dhe djemtë që jetojnë në varfëri, ose situata të cënueshme, që ndërthuren me kushtet pas tërmetit, të kenë akses në shërbime sociale të integruara dhe cilësore.