“Dëshira e babait tim (mësues prej 40 vitesh) ishte të bëhesha mësuese, pasi e shihte profesionin ideal për një grua. Dhe unë i plotësova dëshirën babait edhe pse gazetaria ishtë pasioni im që në fëmijëri. Lexoja gazetat para pasqyrës që e vogël dhe kur aplikova si folëse lajmesh ishte dhe fillesa e karrierës sime mediatike,’– kështu e nis rrëfimin e saj mësuese Eriona nga Korça.
Atë tashmë e njohin të gjithë për shkak të dy profesioneve të saj: mësuesi dhe gazetari, ndërkohë që prej 2 vitesh Eriona drejton edhe grupin iMPACT falë bashkëpunimit që World Vision Albania ka me të rinjtë aktivë në shkolla. Sot ajo ka vendosur të ndajë me ne përvojën 16 vjeçarë në arsim duke trajtuar sfidat me të cilat përballet rinia sot.
“Më kanë propozuar të hiqja dorë nga arsimi, por u lidha fort me të rinjtë dhe e kisha të pamundur. Me shumë sakrifica i bëj të dyja, mësimdhënien dhe gazetarinë, por besoj se ia kam dalë deri diku,“– shprehet optimiste ajo.
E sapo dalë nga një takim që World Vision Albania organizoi me drejtuesit “IMPACT” me qëllim informimin e tyre për hapësirat për orientimin e karrierrës me të rinjtë, Eriona rrëfen merakun dhe shqetësimin, ndërsa pyet: A jemi duke bërë maksimumin për rininë sot?
“Sot pjesën më të madhe të përqindjes së popullsisë e zë rinia, me 30% të totalit të popullsisë (nëse bazohemi te statistika zyrtare e Censusit për popullsinë e Shqipërisë, publikimi i fundit Popullsia 1 Janar 2021 grupmosha 15-34 vjeç janë 851,111 banorë nga totali prej 2,829,741 banorë nga mosha zero vjeç deri 85+),[i]“- tregon ajo.
Kështu e nis bisedën Eriona, për të vazhduar në një sërë reflektimesh që ajo ndan për ne një letër, që vijnë nga puna e saj e përditshme me gjimnazistët dhe eksperienca shumë vjeçare në edukim.
Rinia sot
“Rinia është një pasqyrim i shoqërisë ku jetojmë jo vetëm statistikisht, por një pasqyrim i vlerave morale, normave sociale, aspiratave për të ardhmen, pasojë e efekteve dhe zgjedhjeve të parardhësve të saj. Si e tillë, shoqëria i detyrohet shumë të rinjve sot. I detyrohet kohë, përkushtim, i detyrohet vërtetësi, prakticitet, mundësi dhe shumë dashuri për t’i mirëkuptuar në rendjen dhe vrullin drejt zgjedhjeve që nuk përputhen me pritshmëritë e saj.
Të rinjtë janë ata që do të mbajnë ndezur pishtarin e shpresës për të ardhmen, janë ajo pjesë e shoqërisë që po sfidojnë edukimin klasik, metodologjitë klasike të të mësuarit, punësimet klasike, ëndrrat klasike të të mbaruarit të shkollës së mesme, të përfunduarit e një arsimit të lartë, të të gjeturit menjëherë një punë të mirë, të paguar mjaftueshëm dhe jetëgjatë.
Ndjesë, por ky nuk është skenari i tyre. Skenari i rinisë sot mban emrin vetëpunësim, profesionist i pavarur, pagesa të mira, prakticitet, më shumë aftësi për jetën, më pak leksione, më shumë tutorial, më pak udhëzime, më shumë krijimtari, inovacion, sport.
Thënë kështu duket shumë bukur, por e vërteta është pak më e vështirë dhe jo me kaq ngjyra.
Dëgjojmë që brezat kanë ndryshuar, nuk janë më si më parë, na sfidojnë më shumë, duhet t’i bëjmë aleatë, nuk mund t’iu shpallim luftë. E vërtetë! Të gjitha këto qëndrojnë, por siç marrim përsipër të dalim në konkluzione e analiza, duhet të marrim dhe pak kohë të vëzhgojmë më shumë, të vemë re pa dalë në konkluzione, të analizojmë pse, ç’po ndodh, ku i ka rrënjët ky udhëkryq, ku buron një sjellje e caktuar dhe më pas të japim ide për zgjidhje dhe t’i mbështesim sa më shumë të jetë e mundur të rinjtë.
Zgjedhjet e Rinisë
Arsyet kryesore që i vendosin të rinjtë përballë zgjedhjeve të vështira ose përballë faktit që nuk arrijnë dot të bëjnë zgjedhje, ose të dështojnë në profesionin që zgjedhin, janë disa dhe të kombinuara me njëra tjetrën përbëjnë atë tablo që shohim dhe dëshmojmë sot.
Së pari, të rinjtë sot janë vetëm, në kuptimin që nuk ka kush i orienton, nuk ka kush i mbështet edhe kur e zbulojnë talentin. Kam patur një djalë shumë të talentuar dhe ai i ngjante kryekëput të atit, po i talentuar edhe ai. Në momentin që e zbuloi talentin, babai i tij emigroi në Gjermani dhe nuk iu bë më krah dikush tjetër për ta ndihmuar të ecte në këtë rrugë. Po ta pyesësh se çfarë do të bëjë sot, të thotë DJ! Pra kemi rastin ku faktorët ekonomikë e “mbysin” talentin.
Por të rinjtë përveç familjes i udhëheq deri diku edhe shkolla. Ne si mësues sot jemi të papërgatitur seriozisht se si t’i orientojmë për karrierën, sepse nuk kemi kohë, nuk kemi hapësirë më. Mendoj që e gjithë shoqëria nuk është e përgatitur të dëgjojë shprehje si “S’ka ç’më duhet diploma e shkollës së lartë! Unë nxjerr lek që tani që jam në vitin e dytë të shkollës së mesme!”
Kjo është koha që po jetojmë dhe është normale që të ketë zhvillime. Shqetësimi im është se si gjithë këtë energji ta kanalizojmë si duhet, ta drejtojmë të riun/të renë në rrugët e duhura të njohjes së vetvetes më shumë, në njohjen e vlerave, në njohjen dhe përdorimin e normave sociale.
Orientimi i të rinjve
Duhet shumë urtësi nga ana jonë për t’i dëgjuar më së pari dhe për t’i orientuar. Patjetër që kemi nevojë për freelancers, për mësues, për sportistë, për shkencëtarë, për juristë, mjekë, por mbi të gjitha kemi nevojë për individë që para se të gjithash të jenë qytetarë aktivë, të kenë sens të shëndoshë kritik, të jenë advokues për padrejtësitë dhe përçues të vlerave morale.
Dakord, i cituam dhe vëzhgimet e bëmë dhe analizën, po tani?
Në mes të gjithë përvojës sime, kam vënë re diçka dhe mos u çudisni që këtë e thotë një mësuese gjuhë letërsie.
Nëse ka një gjë që i bën të rinjtë më të përmbajtur, më kritikë, më tolerantë, më pranues, më bashkëpunues, më mirëkuptues, më të thjeshtë dhe më vlerësues është sporti. Po po, sporti. Kur kam “hetuar” se çfarë qëndron pas atyre të rinjve dhe të rejave që ju jap mësim dhe që kanë këto cilësi që përmenda, jam surprizuar kur kam kuptuar që secili nga ata merret me një sport: volejboll, atletikë, basketboll, futboll. Në sport, fëmijët dhe të rinjtë mësojnë të menaxhojnë shëndetshëm si fitoren edhe humbjen dhe mbi të gjitha kanë një shëndet mendor të mire në një kohë kur ankthi, depresioni dhe ç’rregullime të tjera të sjelljes janë gjithmonë e më prezente bankave të shkollave.
Prandaj le të fillojmë të krijojmë më shumë hapësira për sporte, më shumë oportunitete, të flasim më shumë për sportet.
E paralelisht me sportet, le të fillojmë të ngrejmë sisteme më të qëndrueshme, mekanizma, zgjatime të shkollave që amortizojnë problemet dhe që krijojnë më shumë hapësira për përfshirje dhe pjesëmarrje për rininë. Mezi pres të shikoj profesionistët e së ardhmes së afërt!
World Vision Albania gjatë këtij viti do të punojë me rreth 2000 të rinj nga 23 klube rinore në të gjithë Shqipërinë përmes kurrikulave të ‘IMPACT’ dhe synon vetë-efikasitetin e të rinjve, jetesën e shëndetshme dhe aftësive të tjera për jetën.
[i] Press release (Professional design) (instat.gov.al)