Të rinjtë e Lezhës dhe Kurbinit promovojnë barazinë dhe gjithëpërfshirjen

“Të rinjtë luajnë rol të rëndësishëm në krijimin e një shoqërie të barabartë dhe pa dhunë, ku të gjithëve pa dallim u jepen mundësi për të zhvilluar potencialet e tyre”. Ky ishte mesazhi që u dha gjatë bashkëbisedimit të të  rinjve të Kurbinit dhe Lezhës me aktoret më në zë të skenës shqiptare dhe përfaqësuesve nga institucionet lokale.

Pas Durrësit dhe Tiranës, Lezha ishte qyteti i radhës që bëri bashkë artistet e shfaqjes teatrale “7 minuta” dhe dhjetëra të rinj, të cilët diskutuan mbi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve për raportimin, parandalimin dhe eliminimin e dhunës.

Ndërsa disa nga aktoret e njohura ndanë me të rinjtë histori nga jeta e tyre, drejtuesit e intistucioneve i njohën ata me mekanizmat për referimin e dhunës.

Përfaqësuesit e të rinjve, Suada dhe Dionisi prezantuan disa nga veprimet dhe nismat ndërgjegjësuese që ata kanë ndërmarrë me bashkëmoshatarët e tyre në shkollë dhe komunitet, për të promovuar barazinë dhe gjithëpërfshirjen.

Takimet mes të rinjve, aktoreve dhe drejtuesve të institucioneve lokale mundësohen nga organizata World Vision Albania në bashkëpunim me “Eja në Teatër”.