Të rinjtë e Korçës dhe aktoret e shfaqjes “7 minuta” mesazhe për parandalimin e dhunës

“Angazhimi dhe edukimi i të rinjve, në mënyrë të veçantë i djemve, është sa i rëndësishëm po aq edhe i domosdoshëm për të arritur barazinë e plotë gjinore dhe krijimin e një shoqërie pa dhunë,” – u shpreh Gabriela gjatë bashkëbisedimit me aktoret e shfaqjes teatrale “7 minuta”.

Korça ishte qyteti i radhës që bëri bashkë artistet e njohura me dhjetëra të rinj dhe përfaqësues të institucioneve lokale, ku u diskutua mbi rolin që ka brezi i ri në raportimin, parandalimin dhe eliminimin e dhunës me bazë gjinore.

Përfaqësuesit e grupeve rinore vunë theksin tek nevoja për të patur një qasje edukative dhe ndërgjegjësuese që në moshë të hershme, për të rritur kështu tek të rinjtë vetëdijen rreth normave të dëmshme gjinore.

Aktoret Zamira Kita, Adelina Muça dhe Paola Kodra i inkurajuan të rinjtë që të vazhdojnë angazhimin e tyre në komunitetet ku jetojnë, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve lokale i ftuan ata në nisma të përbashkëta për të luftuar pabarazitë dhe për të promovuar modele pozitive.

Takimet mes të rinjve, aktoreve dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale mundësohen nga organizata World Vision Albania në bashkëpunim me “Eja në Teatër”.