Sindi është 18 vjeç dhe për pak kohë do lërë Dibrën për të nisur studimet në Tiranë. Ka shumë dëshirë të studiojë farmaci, si një mënyrë për të përmirësuar shëndetin e njerëzve, por dhe për t’u bërë më e fortë që të ‘shërojë’ plagët e mentalitetit të komunitetit të saj. Ajo ka qenë pjesë e qeverisë së nxënësve në shkollën e saj, pothuajse gjithmonë ka marrë pjesë në aktivitetet dhe nismat që grupet e të rinjve IMPACT të World Vision ka ndërmarrë në 4 vitet e fundit. Gjithëpërfshirja, migrimi, mbrojtja e të drejtave, dhuna, mjedisi apo diskriminimi janë disa nga fushat ku ajo ka dhënë kontributin e saj dhe ka ngritur zërin për të sjellë ndërgjegjësim dhe ndryshim në Dibër. E lindur dhe e rritur në qytetin e Peshkopisë, por edhe ajo, ashtu si shumë vajza të Dibrës apo të Shqipërisë ka dëshmuar dhe përjetuar dallimet që shoqëria jonë bën mes djemve dhe vajzave.
Sot në ditën Ndërkombëtare të Vajzës ajo ndan me ne disa ndjesi, reflektime dhe situata nga jeta e shumë vajzave dibrane, si një mënyrë për të ngritur zërin dhe për të sjellë në vëmëndje në atë për të cilën flitet pak, por ndihet shumë.
…Jam lindur e rritur në Dibër, e për rrjedhojë s’do ta kem të vështirë të përshkruaj në këto rreshta periudhën e jetës time si vajzë dibrane. Ajo ç’ka e bën të vështirë këtë shkrim është që prej vitesh e kohësh flitet për rëndësinë e barazisë gjinore, por akoma brez pas brezi përcaktohen qëndrimet dhe sjelljet paragjykuese ndaj vajzave/ grave. Një realitet i pakëndshëm në të cilin jetojnë shumë moshatare të miat.
Një vajze, që në fëmijëri i mësohen “rregullat e sjelljes dhe të qëndrimit porsi një grua”. Këtu, ne rritemi duke na thënë se një vajzë në rrugë, përpara një djali duhet të ulë kokën; për asnjë arsye ajo s’duhet të flasë me një të panjohur.
Të jesh një vajzë Dibre, është një peshë e madhe. Çdo gjest apo lëvizje jo e qëllimshme ty të analizohet dhe më pas kthehesh në vegël përgojimi. Është për të të ardhur keq, kur mendon se sa përgjigje duhet të kthesh kur të duhet të shkosh në dyqan përshembull; sa llogari të kërkohet që nga mënyra si ti je veshur apo edhe për ç’arsye dole në këtë të nxehtë apo këtë të ftohtë? E kështu na është dashur gjithmonë të kujdesemi në detaj, në mënyrë që të parandalojmë “thyerjen e ndershmërisë së identitetit tonë.”
E imagjinoni si është të jetosh me frikën se mos gabon?! Shumë nga vajzat këtej, sidomos në fshatra, janë të mbyllura, të frikësuara për mendimet e tyre dhe asnjëherë të lejuara të marrin vendime vetë. Na janë cënuar ëndrrat nga mentaliteti dhe na janë demoralizuar dëshirat duke parë se cfarë pritshmërishë kanë komuniteti për vajzat, cfarë stereotipesh i’u veshin përsipër.
Por le të flasim pak dhe për djemtë. Ky status në Dibër të fal forcë trimërore përballë sfidave të jetës. Kur je djalë ti edukohesh nga familja me ndjenjën e përgjegjësisë për të mbajtur veten dhe për të siguruar të ardhura. Djemtë rriten dhe zhvillohen duke iu diktuar dhe përforcuar idenë se janë superiorë ndaj vajzave. Besoj shumica nga ju që po e lexoni këtë shkrim nuk jeni rritur pa dëgjuar ndonjëherë gjyshërit, prindërit madje dhe hallat, tezet e dajat të thonë: “Kujdes djalin! Mos ma prek djalin”. I mësojnë vajzat të jenë të përulura sepse kanë lindur në derë të huaj e do shkojnë në derë të vetë. Ndërsa djemtë të jenë të fortë, të kujdesen që motra të mos bëje gabime, t’i bërtasë motrës kur bën ndonjë sjellje që nuk pritet prej saj (edhe nëse djali është më e vogël dhe vajza më e madhe). Në shumicën e situatave në zënkat e fëmijëve në familje, djali gjithnjë ka të drejtë, atij nuk i bërtasin. Djemtë
asnjëherë nuk marrin përgjigje jo nga familja për të marrë pjesë në çfarëdolloj gjëje që duan të bëjnë, pavarësisht moshës së tyre. Shumë gjëra edhe pse nuk janë të përshtatshme për moshën, djemve iu lejohen nga prindërit: të punojnë, të ngasin makinën apo të bëjnë udhëtime me shoqërinë. Kështu ato gjithnjë ndihen se kanë më shumë krahë dhe forcë se vajzat, se janë më superiorë.
Ato mësohen të jenë autoritar dhe të vendosin vetë për qëllimet e tyre në jetë. Të gjithë prindërit ju thonë fëmijëve të tyre se i duan të gjithë po njëlloj, se eshtë njëlloj si të presësh gishtat e dorës, këdo të presësh të dhemb njëlloj. Sigurisht dhe unë besoj si gjithë të tjerët në këtë gjë. Por në të pandërgjegjshmen e tyre prindërit diktohen nga kultura, mentaliteti, mënyra e rritjes dhe gjithë normat e shoqërise që çojnë në një trajtim ndryshe të vajzave dhe djemve. Do të doja që njëlloj prindërit t’iu jepnin krahë, mbështetje, vëmendje dhe hapësirë për t’u zhvilluar dhe shprehur veten si djemtë dhe vajzat. Sot unë përgatitem për të nisur universitetin, por Marsela* (nuk është emri i vërtetë i vajzës) edhe pse e kishte masataren 9.4 në 9- vjeçare, prindërit nuk e lejuan të fillojë gjimnazin. Duhet të jenë vajzat ato që thonë jo nuk dua të shkoj në shkollë, jo prindërit ato që e ndalojnë. Prindërit dhe shoqëria duhet t’i rrisin djemtë dhe vajzat duke iu thënë se nuk është turp që djemtë të qajnë; se vajzat janë të forta të zgjuara, të mençura dhe jo të përulura, të shtypura e pa ëndrra; se djemtë duhet ta kapin dorën e një vajze për ta ndihmuar të ecë më shpejtë në rrugën e qëllimeve të saj dhe jo për ta dhunuar apo ndaluar. Prindërit dhe shoqëria duhet të caktojnë të njëjtën vijë fillimi dhe mbarimi për djemtë dhe vajzat në rrugëtimin e tyre për mirëqënie, mbrojtje, përkujdes dhe dashuri, e duhet të brohorasin po njëlloj për të dy palët.
Ndoshta kur e mendoj thellë, mendoj se ne vajzat dhe djemtë jemi bashkë në këtë situatën e të qënit djalë apo vajzë në Dibër. Ne vajzat jemi “të shtypura” sepse na jepet më pak seç na takon dhe kjo na shkakton shumë pakënaqësi dhe sigurisht ndikon zhvillimin tonë të plotë; ndërsa djemve iu jepet prioritet dhe përgjegjesi më të mëdha seç mund t’i përballojnë dhe kjo gjithashtu dëmton rritjen dhe zhvillimin e tyre.
Sigurisht vitet e fundit, me gjithë politikat, projektet dhe punën që shumë struktura dhe organizata kanë bërë iu është dhënë më shumë hapësirë përfshirjes së vajzave, barazisë gjinore dhe ngritjes së zërit në këtë aspekt. Shumë prindër trajnohen dhe informohen mbi aspektet e zhvillimit të fëmijëve dhe rëndësinë që ka trajtimi i barabartë mes djemve e vajzave; si dhe përfshirjes së lartë të vajzave në grupe rinore e nisma komunitare për të zbutur nivelin e lartë të pargjykimit dhe për të krijuar mundësi të barabarta si për të dyja gjinitë. Unë jam një nga vajzat e përfshira në grupe të tilla, e prindërit e mi janë disa nga prindërit e përfshirë në trajnime të tilla. POR ka akoma shumë për të bërë////
S’mund ta mbyll ndryshe, përveçse duke shpresuar dhe duke dashur të nxis çdo vajzë që të jetë e guximshme për të mos iu trembur idealeve dhe qëllimeve të saj në jetë. Dhe çdo djalë që të jetë superior mjaftueshëm, për të kuptuar dhe pranuar që motra, kushërira dhe shoqja e tij janë po aq të zgjuara, të mençura dhe të vlefshme sa ti dhe të jenë mbështetje në çdo vendim e nismë të tyre. Bota le të flasë, i rëndësishëm është vullneti ynë për të ndryshuar të ardhmen tonë.