“Të forcohen ligjet, shqetësues numri i të miturve që shohin pornografi”

Tiranë – Rreth 44% e fëmijëve shqiptarë të intervistuar shohin përditë materiale pornografike dhe provokuese në internet. Shumica e tyre i shohin këto pamje nga kompjuterat e qendrave të internetit, por një pjesë edhe nga telefonat e tyre celularë. Përveç kësaj,  47 % e fëmijëve janë kontaktuar online nga të panjohur,shumë prej tyre me nënshtetësi të huaj. Personi i fundit të cilit do t’I drejtoheshin fëmijët në rast shqetësimesh online është mësuesi i tyre (32%). Pas tij renditen policia  dhe psikologu i shkollës.

Këto janë vetëm disa nga të dhënat e studimit “Siguria e Fëmijëve në Internet”, kryer në Shqipëri nga organizata World Vision.  Të dhënat kryesore tëtij u publikuan nga një grup të rinjsh, sot në kryeqytet, gjatë konferencës rajonale “Roli i fëmijëve në politikat për një internet më të sigurt”. Konferenca u organizua nga World Vision, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike,  Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Njësia e Krimit Kompjuterik, Microsoft si dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile: Childpact, Child Protection and Participation Learning Hub.  “Interneti na sjell shumë përfitime, por gjithashtu bashkë me të vijnë edhe shumë rreziqe për të miturit.  Kjo konferencë është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të dhënë rekomandime si të mbrojmë online fëmijët dhe të rinjtë tanë, si t’I përfshijmë si pjesëtarë të rëndësishëm për të ngritur mekanizma e duhura mbrojtëse”, – tha në hapje të konferencës Philip Harris, drejtori operacional I World Vision. Në konferencë foli edhe ambasadori përfaqësues i Bashkimit Europian në Shqipëri, Etore Seqqui, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministrja e Inovacionit dhe Administrimit Publik, Milena Harito etj

Studimi ka analizuar një sërë problemesh dhe këshillon zgjedhjet përkatëse, duke ofruar një pamje  të qartë për  marrëdhenien e grupmoshës 13 -18 vjeç me internetin në vendin tone dhe mënyrave sesi kjo mund të përmirësohet.  Një nga pjesët më interesante të tij është pyetsori i zhvilluar me 900 fëmijë, në 6 zona të ndryshme të vendit (Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Peshkopi). Fëmijët u intervistuan gjatë dhjetor 2013 – janar 2014 dhe 67% e tyre jetojnë në fshat.  Rreth 55% e fëmijëve të intervistuar janë vajza.

Sipas studimit, ndryshe nga familjet në vendet e Bashkimit Europian, ato shqiptare parapëlqejnë që të  mbajnë kompjuterin në dhomën e fëmijëve. Më saktë, 62% e fëmijëve që kanë shërbim internet, kanë një kompjuter në dhomën e tyre dhe kjo e shton rrezikun që të miturit ta përdorin atë në mënyrë të gabuar.  

Tri pajisjet kryesore që përdorin fëmijët për luajtur online apo për shërbime të tjera interneti janë telefonat celularë, kompjuterat personalë të palëvizshëm dhe laptop-ët.

 Në Shqipëri jetojnë 268 746 fëmijë nga 13 – 18 vjeç, pra kjo grupmoshë zë rreth 9% të numrit të përgjithshëm të popullsisë.   

Në konferencë, përveç të rinjve shqiptarë, prezantuan problemet me sigurinë online në vendet e tyre edhe disa të rinj nga Qipro.

Ligji të bëhet më i fortë

Pyetsori ishte vetëm një pjesë e studimit “Siguria e fëmijëve online”, i cili ka marrë nën vëzhgim edhe legjislacionin shqiptar në këtë fushë, duke propozuar forcim të tij, sidomos në bashkëpunim me ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP-të). Për të vënën nën kontroll shikimin e lartë të pornografisë, “duhet të jetë kërkesë ligjore që ISP-të të instalojnë pajisje të posaçme të cilat mund të njoftojnë që, përmbajtja e përcjellë është e jashtëligjshme dhe e dëmshme për minorenët në shërbimet e rrjetit që ofrojnë. Ekzistojnë softëare në treg që mund të monitorojnë përmbajtjen përmes përdorimit të fjalëve kyçe”.  Në studim propozohet konkretisht krijimi i një pakete sigurie. “Në bashkëpunim me ISP-të, qeveria duhet të iniciojë krijimin dhe përdorimin e një pakete sigurie për fëmijë, e cila të instalohet në kompjuterët personal të palëvizshëm si dhe në laptop-ë, e cila duhet të përditësohet shpesh me faqe interneti miqësore ndaj minorenëve”. 

Në të njëjtën kohë u është kërkuar kompanive të telefonisë celulare që t’u ofrojnë filtra mbrojtëse të fëmijëve dhe rinjve kur paraqiten për të blerë celularë me shërbim internet të instaluar. Por kjo nuk është e vetmja kërkesë nda tyre. “Operatorët celularë duhet t’iu ofrojnë prindërve mundësinë për të kërkuar kufizimin e aksesit online për fëmijët e tyre, të tillë që të lejojë vetëm përmbajtje që të jetë e sigurt”.

Duke shfrytëzuar fuqinë e institucioneve që tashmë funksionojnë ( Alo 116, Njësitë për Mbojtjen e Fëmijëve, Njësisë për Krimin Kibernetit etj), në studim i propozohet qeverisë edhe ngritja e një agjensie publike të posaçme, përgjegjëse për grumbullimin dhe menaxhimin e raportimeve të paraqitura nga fëmijët për abuzim online. “Ajo duhet të ngrejë një mekanizëm raportimi që të jetë i efektshëm, i lehtë për t’u arritur dhe miqësor ndaj fëmijëve nëpërmjet një platforme online, SMS-ve, Ëatsapp dhe Viber”, -thekson studimi. Ky mekanizëm është sidomos i rëndësishëm për të raportuar rastet e ngacmimeve online nga të panjohur apo talljet (bullying). Roli i institucioneve të arsimimit  duhet rritur, gjithashtu. “ Ato duhet të përfshijnë në kurrikulat e tyre materiale e praktika të ndryshme qe fëmijët dhe adoleshentët të mësojnë si të mbrohen nga rreziqet online. Këto kurrikula duhet të përditësohen vazhdimisht me njohuri të reja”, – deklaroi Ridiona Stana, menaxhere per mbrojten e fëmijëve në organizatën World Vision.

Por, sigurisht një nga rekomandimet më të forta është që shteti të zhvillojë fushata të gjera ndërgjegjësimi me fëmijët,prindërit, mësuesit etj, në mënyrë që përdorimi i internetit të bëhet në mënyrat më të sigurta dhe të shëndetshme.

World Vision është një nga organizatat ndërkombëtare më të mëdha në botë (100 vende) që punon me rreth 10 milionë fëmijë në nevojë. Ajo gjendet në Kosovë prej vitit 1998, gjatë konfliktit me Serbinë, dhe në Shqipëri që prej vitit 1999. World Vision punon me 33 000 fëmijë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Dibër, Shkodër, Lezhë, Kurbin, Elbasan, Librazhd, Korçë, kryesisht nëpër fshatra dhe në periferitë e qyteteve.