Studimi i World Vision Albania: 52% e të rinjve të alarmuar për ndryshimet klimatike në Shqipëri

13 tetor 2023 – 52% e të rinjve shprehen të alarmuar për ndryshimet klimatike në Shqipëri, ndërsa 46% e fëmijëve të anketuar nga World Vision Albania kanë njohuri të kufizuara për ndryshimet klimatike. Ato janë një nga shqetësimet kryesore globale që kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike[2] ka paralajmëruar se rritja e temperaturës mbi 1.5°C deri në 2040 do të sjellë pasoja  të mëdha sociale dhe mjedisore. Mosnjohja e duhur e kësaj çështjeje është problem i rëndësishëm. Nga ana tjetër, mendimi i fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri për ndryshimet klimatike ka vlerë për t’u dëgjuar. 

Si një organizatë ndërkombëtare e cila ka në fokus të punës zhvillimin dhe mbështetjen afatgjatë për fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, organizata World Vision Albania u përfshi në pranverën e vitit 2023 në një studim rajonal të udhëhequr nga Zyra Rajonale për Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore e World Vision. Studimi titullohet: “Kriza Klimatike: Perceptimet e Fëmijëve dhe të Rinjve mbi Ndryshimet Klimatike dhe Transformimin Mjedisor në Shqipëri”. Synimi ishte që të kuptonim se si fëmijët dhe të rinjtë artikulojnë njohuritë lidhur me klimën dhe mjedisin, nivelin e tyre të shqetësimit për ndryshimet klimatike, nivelin e të kuptuarit mbi pasojat në jetën e tyre dhe nivelin e gatishmërisë për veprim në rast fatkeqësish që lidhen me ndryshimet klimatike. Në të u përfshinë 332 fëmijë, adoleshentë dhe të rinj nga gjashtë rajone të vendit[3].

Mungesa e njohurisë e për pasojë e vetëdijësimit rrezikon të mos reflektohet në sjellje dhe qëndrime të cilat adresojnë çështjet e ndryshimeve klimatike tani e në të ardhmen. Ndërkohë sa më pak të dimë për krizen klimatike, aq më shumë problemi do të thellohet dhe pasojat do të thellojnë pabarazitë shoqërore, do të ndikojnë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve, duke shtuar rreziqet në shëndet, arsimim, e mirëqenie ekonomike, si dhe duke kërcënuar arritjen e rezultateve afatgjata të zhvillimit të qëndrueshëm. Ndaj është e rëndësishme që të marrim hapa dhe veprime konkrete, duke përfshirë edhe fëmijët e të rinjtë për të parandaluar efektet negative.

Klikoni linkun për të lexuar studimin e plotë:

https://worldvision.al/children-and-young-peoples-perceptions-of-climate-change-and-environmental-transformation-in-albania/


[1] https://worldvision.al/children-and-young-peoples-perceptions-of-climate-change-and-environmental-transformation-in-albania/

[2] PNNK – IPCC

[3] Shkodër, Dibër, Kurbin, Durrës, Tiranë, Korçë.