Vetëm 1% e grave shqiptare të anketuara janë të fuqizuara[1], ndërkohë që 6% e fëmijëve të anketuar kanë arritur mirëqenien në të gjitha dimensionet[2] e vlerësuar.
18 Maj 2022 –Sot, World Vision Albania lançoi për herë të parë në Shqipëri studimin [3] “Gra të fuqizuara, fëmijë të fuqizuar” i cili analizon marrëdhënien që ekziston mes fuqizimit [4] të nënës dhe fuqizimit/ përmirësimit të jetës së fëmijës.
Sipas gjetjeve të studimit, një nënë e fuqizuar rrit fëmijë të fuqizuar. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të studimit të ndërmarrë nga World Vision Albania. Si rrjedhojë, fuqizimi i nënave është i lidhur ngushtë me qendrimet pozitive ndaj të mësuarit dhe marrjen e njohurive të reja. Gjithashtu, nënat që përfshihen në vendimmarrjet e familjes, kanë akses në ndihmën ligjore dhe arrijnë të mbrojnë fëmijët e tyre nga dhuna.
Mbledhja e të dhënave të këtij studimi është realizuar në harkun kohor maj-qershor 2021. Pjesë e tij janë bërë 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç dhe 464 gra (nëna) të grupmoshës 35-50 vjeç në 8 qytete[5] të vendit. Mbledhja e të dhënave sasiore dhe cilësore është realizuar përmes telefonatave për shmangien e infektimit dhe përhapjes së COVID-19 në përputhje me protokollet në fuqi gjatë periudhës kur janë mbledhur të dhënat.
Mirëqenia e fëmijëve është thelbësore, prandaj edhe investimi për fuqizimin e nënave, adresimin e problematikave, përfshirë këtu edhe normat e dëmshme sociale, është një parakusht i domosdoshëm për të rritur fëmijë të arsimuar, me vetëbesim dhe qytetarë aktiv të së nesërmes.
Studimi
Studimi synon të mbështesë me të dhëna lidhjen mes fuqizimit të gruas dhe mirëqëniens së fëmijës. Të dhënat e këtij studimi japin pamjen vetëm për 8 zona të Shqipërisë dhe nuk janë ezauruese për të gjithë dimensionet e binomit nënë-fëmijë. Studimi shërben si bazë për ndërhyrje të mirëinformuara në këtë sektor. Gjetjet kryesore të cilat i gjeni në linkun: https://www.wvi.org/publications/report/albania/empowered-women-empowered-children
[1] Për të përcaktuar fuqizimin e grave përmes faktorëve relacionalë, u zgjodhën pesë tregues thelbësorë, përkatësisht: fuqia vendimmarrëse në familje, kontrolli mbi asetet e familjes, kontrolli mbi kalimin e kohës, aftësia për të rishpërndarë barrën e kujdesit për familjen dhe përjetimi i dhunës me bazë gjinore.
[2] arsimimi, ushqimi & shëndeti, mbrojtja e fëmijëve, zhvillimi psikosocial dhe mirëqenia mendore dhe shpirtërore.
[4] Bazuar në kuadrin logjik, studimi eksploron se si faktorë fuqizues personal, mjedisorë dhe në nivel marrëdhëniesh familjare ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe se si këto tre dimensione influencojnë rezultatet thelbësore të mirëqenies së fëmijëve.
[5] Dibër, Durrës, Korçë, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Shkodër, Tiranë.