Shqetësimet e fëmijeve mbi pasigurinë në internet

^BC7AB3946865E542CF1A8E6104A9E705E2D6996430C2161B4F^pimgpsh_fullsize_distr_0

“Jam 15 vjeç dhe kam një profil në Facebook. Para disa muajsh, më mbërriti një link, si mesazh. E klikova sepse doja të dija çfarë përmbante. Menjeherë u hap një video me përmbajtje pornografike dhe u postua në murin e miqve të mi. Më erdhi jashtëzakonisht turp dhe u përpoqa që ta mbyll. Por sa herë që e klikoja, aq herë ajo hapej nga fillimi. Nuk dija ç’të bëja sepse të gjithë miqtë e mi e panë dhe kujtuan se unë e kisha postuar me dëshirë atë video”. 15-vjeçari nga Kurbini nuk e dinte se linku ishte një virus që postohej automatiksht në Facebook.

 Qindra fëmijë po ndajnë shqetësimet e tyre në lidhje me sigurinë në internet dhe mënyrat si mund ta përdorin atë në mënyrën e duhur. 45 përfaqësues të tyre u mblodhën sot në Tiranë nga 10 rrethe të Shqipërisë (Korça, Vlora, Librazhdi, Dibra, Kurbini, Lezha, Shkodra, Elbasani, Tirana, Durrësi),  kryesisht nga periferitë e qyteteve dhe fshatrat, për të dhënë idetë e tyre sesi duan të përmirësohet gjendja. Takimi dhe mbledhja e ideve u bë nga organizata ndërkombëtare World Vision e cila punon për mbrojtjen e fëmijëve.

“Dy vjet më parë, në kryem një studim për të kuptuar më mirë gjendjen. Përveç shqyrtimit të politikave dhe ligjeve, pyetëm rreth 900 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, të moshës 13-18 vjeç. Shifrat na tronditën; 44% deklaruan se shihnin çdo ditë pornografi, shpesh pa dëshirën e tyre. 45% janë ngacmuar publikisht online ose u është vjedhur profili në Facebook. 47% janë ngacmuar të paktën një herë në dhomat e chatit nga të rritur të panjohur, kryesisht të huaj, të cilët janë paraqitur si bashkëmoshatarë”,- tha Elda Spaho, Specialiste Komunikimi në World Vision.

Organizata u ka dhënë njohuri mbi përdorimin e sigurt të internetit qindra fëmijëve, prindërve, mësuesve dhe specialistëve të arsimit përgjatë 3 viteve të fundit.  

“Ne kemi nevojë që të ndërtohet një faqe zyrtare online ku mund të futemi lehtësisht e të raportojmë sa herë që ngacmohemi apo rrezikohemi online. Duam që kjo faqe të ketë ekspertë që të na tregojnë menjëherë si t’i shmangemi rreziqeve apo si t’i zgjidhim problemet që do t’u tregojmë”, -thotë Indrit Hoxhaj, 15 vjeç, nga Tirana.  Fëmijë të tjerë kërkuan që qendrat e internetit të kenë një kënd të posaçëm për ta, ku kompjuterat të kenë filtra që ndalojnë përmbajtjet e papërshtatshme, etj.

“Interneti është një mjet i mrekullueshëm komunikimi, por ka edhe rreziqe. Fëmijët duhet t’i njohin në mënyrë që t’i shmangin. Bota virtuale në Shqipëri duhet rregulluar me ligje dhe politika të qarta dhe, për këtë, ne e shoqëruam studimin me dhjetëra rekomandime përkatëse drejt institucioneve. Përveç tyre, sot po sjellim sërish idetë e vetë fëmijëve sesi duhet të jetë internet i sigurt”, -shtoi Spaho.

Gjatë këtij viti, organizata do të ndajë njohuri për sigurinë në internet edhe për 500 fëmijë të tjerë, rreth 700 prindër dhe 210 mësues e specialistë të drejtorive arsimore në qytete e fshatra.

Informohuni më shumë mbi nismat tona, duke na ndjekur në Facebook dhe Twitter