Një grua e fuqizuar, një familje e fuqizuar

Korca

 “Jeta në fshat nuk është e lehtë për vajzat dhe gratë. Duhet të punosh shumë dhe shpesh përballesh edhe me paragjykim,” – thotë Nertila nga Korça, nënë e tre fëmijëve.

E martuar në moshën e ëndrrave, vetëm 19 vjeçe, ajo nuk arriti dot të shkollohej dhe të merrte një profesion. 36-vjeçarja kujton se i është dashur të punojë që në adoleshencë, ku bashkë me tre motrat angazhohej në bujqësi për të ndihmuar familjen. Edhe pas martesës, puna në bujqësi mbetet e vetmja mundësi për të dhe i vetmi burim të ardhurash për familjen e saj.

 “12 vitet e para të martesës nuk kanë qenë të lehta, pasi jetonim bashkë në një familje të madhe tradicionale shqiptare. Kur kaluam në folezën tonë me bashkëshortin dhe 3 fëmijët, atëherë kuptova me të vërtetë se si është të jesh një familje e bashkuar. M’u duk sikur u rimartova,”- na tregon Nertila.

36-vjeçarja është grua energjike, kurajoze dhe ambicioze. Pavarësisht se vetë nuk arriti të ketë një profesion, të gjithë të ardhurat i investon për mirëqenien dhe shkollimin e fëmijëve. Drita e parë e mëngjesit, para se të lindë dielli, e gjen atë në arë. Aty derdh gjithë mundin dhe djersën, që tre fëmijët e saj Inva, Irineo dhe Noeli të kenë gjithçka që u nevojitet.

 “Për disa vite jemi marrë me kultivimin e mollëve. Kishim mbjellë rreth 8 dynymë tokë dhe ishte një punë kolosale. Fitimet nuk ishin të mëdha dhe tani po merremi me kultivimin e fasuleve. Bashkëshorti është krahu im i djathtë.  Pa të do ishte e pamundur, pasi mua më duhet të kujdesem edhe për fëmijët,” – vijon rrëfimin e saj 36-vjeçarja.

Nertila jeton në një fshat rreth 14 km në periferi të Korçës, por afërsia më qytetin nuk e ka zbutur paragjykimin në atë zonë. Mbështetja e saj më e madhë është bashkëshorti i saj, i cili ka dalë mbi mentalitetin.

 “U bëra pjesë e grupit të fermerëve me shumë dëshirë, duke mposhtur çdo paragjykim të fshatit. Në fshat ka shumë llafe, shikojnë kush hipën e kush zbret nga dera e autobusit dhe pastaj fillojnë të flasin. Megjithatë, falënderoj Zotin që kam një shok jete që më mirëkupton dhe më mbështet. Është shumë e rëndësishmë për një grua që bashkëudhëtarin e jetës ta ketë mbështetje”.

Prej disa vitesh, 36-vjeçarja është pjesë e grupit të fermerëve të World Vision Albania dhe është mbështetur me inpute të ndryshme bujqësore për të rimëkëmbur ekonominë familjare.

“Po të mos isha angazhuar me World Vision, e ardhmja ime si fermere, e burrit tim dhe e fëmijëve të mi do të ishte më e vështirë. Çdo gjë është shtrenjtuar shumë. Pandemia na dëmtoi. Jemi mbështetur me pompa spërkatëse e vaditëse dhe kjo na e ka lehtësuar punën. Edhe mbështetja me plehëra kimike na kurseu shpenzimet për bujqësinë. Lekët që do të duhej të shpenzoja për blerjen e këtyre pajisjeve, po i investoj për shkollimin e fëmijëve,”- thotë Nertila.

Përveçse fermere e zonja, Nertila është nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar. Më një fëmijë të vogël në shtëpi, një vajzë adoleshente dhe bashkëshortin që emigron rreth 3 muaj në vit çdo dimër për të siguruar për familjen, gjetja e ekuilibrit është e vështirë për të.

“Trajnimet që kemi bërë me World Vision Albania për familjen, martesën, prindërimin më kanë ndihmuar shumë. Edhe fëmijët i kanë vlerësuar. Kuptova që kënaqësia gjendet vetem në familje, siç zbulova disa teknika të reja prindërimi. Kur je e lodhur nga puna, kur prodhimi nuk të shitet, kur fëmijët kërkojnë më shumë gjëra, nuk është e lehtë të ruash qetësinë dhe të prindërosh. Falë këtyre trajnimeve, familja jonë është më e fortë. Tani bashkëbisedojmë për çdo gjë, ndajmë shqetësimet dhe gëzimet, por edhe kalojmë kohë cilësore,”- shprehet nëna e tre fëmijëve.

Për Nertilën, përparësi ka shkollimi dhe fuqizimi i fëmijëve. Inva, vajza e saj e madhe, është gjithashtu e përfshirë në programet e World Vision Albania.

“Për njeriun, e rëndësishme është të gjejë rrethin e vet mbështetës. Për mua ka qenë bashkëshorti dhe vajza e madhe, të cilën e kam si shoqe. Ajo është pjesë e grupeve IMPACT dhe dua që të ndjekë rrugën e dijes. Të shkolloj fëmijët, ti edukoj të punojnë me ndershmëri; kjo është ajo që dëshiroj në jetë. Nëse ndihmojmë njëri-tjetrin, mund t’ia dalim,”- e mbyll rrëfimin e saj fermerja nga Korça.