Ymeri, miku i qindra fermerëve

Ymeri 2

Ymerin e njohin të gjithë fermerët e Kurbinit. 61-vjeçari ka mbi 30 vjet që ushtron profesionin e mjekut veteriner. Shumë nga qytetarët e njohin edhe si poet e studiues të zonës. Ka botuar 4 libra, ndërsa na tregon se gazetarinë e konsideron si profesion të dytë, pavarësisht se nuk ka mbaruar shkollën në këtë profil. Ymeri thotë se puna si mjek veteriner, ndonëse e vështirë, nuk ia hoqi asnjëherë dëshirën për të shkruar artikuj, poezi dhe reportazhe, ku shpesh fokusohet tek bujqit dhe fermerët. 

Puna tek Zyrat e Bujqësisë i siguron të ardhura për familjen, por ai angazhohet edhe vullnetarisht për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.  

“Nuk shtyhesh nga pagesa, por nga dëshira për të kontribuar për vendin tënd dhe qytetarët e tu. Fiton shumë moralisht dhe shpirtërisht. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur sheh familje që hedhin bazat e një ekonomie të qendrueshme,”– na tregon 61-vjeçari pasionant, korrekt dhe i përgatitur profesionalisht.  

Për të puna nuk ka orar, pasi siç thotë vetë “halli i fermerit nuk pret.” Në çdo kohë, qindra fermerë gjejnë tek ai një derë të hapur për të marrë këshilla dhe ndihmë për blegtorinë e bujqësinë.

Ymeri është një prej bashkëpunëtorëve më të hershëm të World Vision në Kurbin. Përmes angazhimit vullnetar, vetëm gjatë 5 viteve të fundit ai ka trajnuar mbi 500 fermerë, ndërsa drejton edhe një grup prej 21 fermerësh.  

“Aktualisht kemi 20 grupe me nga rreth 22 fermerë, të cilët i mbështesim vazhdimisht. Janë me qindra që kam trajnuar bashkë me World Vision. Jemi fokusuar tek fermerët e vegjël, të cilët kanë edhe më shumë nevojë për ndihmë. I kemi trajnuar për blegtorinë, higjienën e kafshëve, stallës dhe mbarështimit,”- na tregon veterineri kurbinas. 

Ymerin e takojmë në zyrën e tij të punës, vetëm pak pasi ka bërë një tjetër trajnim me 32 fermerë nga fshatra të ndryshëm të Kurbinit. Flet me pasion për projektet e realizuara, për angazhimin me fermerët dhe për komunitetin në tërësi. 

“Kemi bërë trajnime edhe për temat e zinxhirit të vlerës së produkteve agrokulturore nga fermeri prodhues tek konsumatori. Përveç trajnimeve, fermerët janë mbështetur me inpute si; fidanë, plehra kimike, përmirësim të rrjetit të vaditjes, deri në rregullim stallash dhe shpërndarje të bagëtive,”- thekson Ymeri, i cili me krenari na tregon se në bashkëpunim me World Vision ka realizuar edhe panairet e para në fshat në historinë e Kurbinit. 

“Produktet e fermerëve i kemi sponsorizuar edhe përmes panaireve. Panairi më interesant është bërë në fshatin Gjormë, I njohur për kultivimin e ullinjve, ku ka mbi 5 mijë rrënjë,”- tregon 61-vjeçari. 

Vetë fermerët tregojnë se janë shumë të kënaqur, jo vetëm për trajnimet, por edhe për mbështetjen me inpute bujqësore. Kjo i ka ndihmuar ata që të hedhin bazat e një ekonomie të qëndrueshme familjare. Fermerët thonë se kanë mësuar sesi të kujdesen për kafshët dhe bimët, si të rrisin rendimentin dhe si gjejnë blerësit për produktet e tyre. 

“Fermerët tani po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Shumë punë i bëjnë bashkë. Kanë krijuar eksperienca dhe kontakte. Janë më të lidhur. Është rritur ndërgjegjja tek fermerët për punën individuale, punën në grup dhe punën vullnetare. Gjurma që ka lënë World Vision në Kurbin është e përjetshme. E dëshmojnë punët e bëra. Janë qindra trajnime, mijëra rrënjë ullinj të mbjellë dhe mijëra jetë të ndryshuara,” – e mbyll rrëfimin e tij Ymeri, ndërsa apelon për më shumë vëmendje tek bujqësia dhe blegtoria. 

Vetëm gjatë dy viteve të fundit, World Vision ka punuar me rreth 450 fermerë në zonën e Kurbinit. Ata janë trajnuar për higjienën dhe rritjen e kafshëve, ushqyerjen e bimëve, si dhe kulturat perimore. 100 prej fermerëve janë mbështetur me inpute bujqësore si; ullinj (1500 rrënjë), pompa vaditëse dhe spërkatëse, shtrydhëse rrushi, mjelëse lope apo edhe koshere bletësh.