Si asnjëherë më parë, këtë verë 10 shkolla publike në Tiranë, Kamëz dhe Durrës, gumëzhin prej zërave të fëmijëve edhe gjatë sezonit të pushimeve të verës. Ndryshe nga vitet e tjera, për 1000 fëmijë të arsimit fillor, përfundimi i vitit shkollor nuk ishte edhe fundi i frekuentimit të shkollës, por fillimi i një aventure ndryshe, plot kujtime dhe përvoja të reja.
Për herë të parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit në partneritet me World Vision Albania pilotuan Shkollën Verore 2025, një projekt që solli gëzim, përfshirje sociale dhe një eksperiencë të re, të paharrueshme dhe transformuese për fëmijët.
Ky partneritet u fokusua në krijimin e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe edukativ, ku për 10 ditë, fëmijët jo vetëm mësuan përmes lojës, por edhe u argëtuan, krijuan miqësi të reja dhe ndërtuan kujtime të paharrueshme. Një përvojë, larg telefonit dhe pranë njëri-tjetrit, ku ata ndiheshin të lirë, të dëgjuar dhe të përfshirë.

“Mua më pëlqeu si kamp sepse kishim liri në aktivitete. Jam shumë mirënjohës që kam qenë pjesë.” – na tregon një nga nxënësit e Shkolla 9-vjeçare Qazim Turdiu.
Programi u pilotua në 10 shkolla, tetë në Bashkinë Tiranë, një në Kamez dhe një në Durrës, duke përfshirë mbi 1000 fëmijë dhe 130 staf mësimor. Aktivitetet e shkollës verore përfshinin lojëra, sporte, aktivitete kreative, art, teknologji, gatim, si dhe nxitje të mirëqenies sociale dhe emocionale.
“Mua më pëlqeu kur bëmë petulla dhe gatimi,” – tha një fëmijë nga shkolla Kiço Blushi, duke reflektuar atmosferën e ngrohtë dhe kreative që u krijua.
Një rol të veçantë luajtën edhe të rinjtë vullnetarë, të cilët mbështetën mësuesit në organizimin e aktiviteteve dhe shoqërimin e fëmijëve, duke sjellë energji dhe frymë rinore në çdo ditë të programit.
Rezultate inkurajuese
Rezultatet e programit ishin pozitive. Sipas një ankete të realizuar nga World Vision, mbi 75% e fëmijëve raportuan se u kënaqën maksimalisht, ndërsa 88% e prindërve thanë se fëmijët e tyre e shijuan shumë këtë përvojë.
Fëmijët vlerësuan lojërat, sportet, artet dhe teknologjinë, si dhe mundësinë për të krijuar shoqëri të reja dhe marrëdhënie më të afërta me mësuesit.

“Mua më ka pëlqyer klubi i teknologjisë sepse mësuam të kodojmë.” – na tregon një nga fëmijët e Shkollës 9-vjeçare Avni Rustemi
Nga ana tjetër, edhe mësuesit raportuan rritje të aftësive të tyre organizative dhe krijuese, ndërsa prindërit u angazhuan aktivisht, duke e parë shkollën verore si një mbështetje të vlefshme për fëmijët e tyre.
“Kur zhvishesh nga petku i mësuesit dhe shkrihesh me ta, fiton më shumë respekt dhe dashuri nga nxënësit.” – thotë një nga mësueset e angazhuara.
“Kjo eksperiencë më ndihmoi të zbuloj fusha të reja të aftësive të mia profesionale,” – thotë një tjetër mësues.
Një model për të ardhmen
Shkolla Verore 2025 nuk ishte thjesht një projekt pilot. Ajo ishte një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit për mirëqenien e fëmijëve.
Interesi për vazhdimin e Shkollës Verore është i lartë. Mësuesit, prindërit dhe vetë fëmijët shprehën dëshirën që ky program të përsëritet dhe të zgjerohet.

Ky partneritet i World Vision Albania dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit tregon se kur institucionet dhe organizatat bashkëpunojnë, fëmijët fitojnë.
Dhe kur fëmijët fitojnë, e ardhmja është më e mirë jo vetëm për ata, por për të gjithë shoqërinë.
Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania







