“Shpeshherë puna jonë si punonjës social në shkollë kufizohet nga mundësitë e pakta që kemi në dispozicion për të kryer më mirë detyrën tonë. Mungesa e materialeve bazike për të punuar me fëmijët apo ambiente fizike jo të përshtatshme për të ofruar këtë shërbim specifik, na kushtëzojnë punën tonë me fëmijët që kanë nevojë për mbështetje psiko-sociale.” – shprehet Donika, koordinatore e shërbimit psiko-social në Zyrën Vendore Arsimore, Kurbin.
World Vision mbështeti 12 shkolla në Kurbin me materialet e nevojshme didaktike dhe zhvilluese, me qëllim përmirësimin e shërbimit psiko-social në shkollë, si dhe krijimin e ambienteve më miqësore dhe të përshtatshme për fëmijët. Lojra formuese e krijuese, ngjyra, telajo për pikturim, korniza fotografish, materiale të ndryshme për punë me dorë, etj. janë disa prej materialeve të cilat iu ofruan stafit psiko-social në shkolla me qëllim që t’i ndihmojë ata gjatë seancave të këshillimit me fëmijët dhe adoleshentët.
“Fëmijët i shprehin më mirë ndjenjat dhe emocionet nëpërmjet formave krijuese dhe jo formale të tilla si: nëpërmjet pikturës, lojës, ngjyrave dhe bisedave të hapura me bashkëmoshatarët. Kur fëmija fillon të sfidojë frikën dhe ankthin, dhe kur fillon të flasë për ndjesitë, emocionet, të panjohurat që përjeton, të gjitha këto janë tregues që fëmija ka zgjedhur t’ia dalë mbanë dhe të triumfojë. Ky është momenti kur fillon të marrë jetë qëllimi dhe misioni im si punonjëse sociale për ta ndihmuar atë të tejkalojë situatën e vështirë. Ndaj është thelbësore që ndihma ime të ofrohet e plotë dhe me cilësinë e duhur.” – përfundon Donika, koordinatore e shërbimit psikosocial për ZVAP Kurbin.Situatat e vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë gjatë dy viteve të fundit, kanë nxjerrë në dritë thellimin e vështirësive psiko-emocionale me të cilat përballen fëmijët dhe adoleshentët.
Gjatë muajve Qershor- Korrik 2020, 477 fëmijë dhe të rinj të moshave nga 12-16 vjeç në nëntë Bashki të Shqipërisë u përfshinë në studimin “Si një pandemi globale po ndryshon jetët e fëmijëve në Shqipëri dhe Kosovë” nga World Vision Albania. Si pasojë e kufizimeve për shkak të pandemisë së COVID-19, 60% e tyre deklaruan që janë ndjerë të stresuar gjatë periudhës së karantinës. Kjo ka shtuar nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët, si dhe për të ofruar mbështetjen e duhur psiko-sociale në shkolla.
Për Ervisën, nxënëse në një nga gjimnazet e Laçit, përballja me pandeminë ka qenë jo e lehtë. “Nuk e mendoja që situata e krijuar nga COVID-19 do të më shkaktonte një gjendje të tillë ankthi e stresi. Më dukej sikur isha zhvendosur në një planet tjetër dhe nuk kisha kontroll mbi jetën time. Frika ishte e madhe dhe ndihesha shumë konfuze.” – tregon Ervisa nxënëse e gjimnazit “At Shtjefen Gjeçovi” Laç.
“Në shkollën time ka një punonjëse sociale, por unë e kisha pak të vështirë të shprehja hapur mendimet dhe përjetimet e mia. Më dukej ambient pak i ftohtë dhe pa ngjyra.” – vijon Ervisa, – Tani më duket më e lehtë dhe miqësore biseda me punonjësen sociale. Pasii ndava shqetësimet e mia me punonjësen sociale në shkollën time, u ndjeva e lehtësuar.”