Ruajmë biodiversitetin, përmirësojmë jetesën

WhatsApp Image 2023-04-11 at 12

Parku natyror Korab-Koritnik është një ekosistem malor me vlera të veçanta natyrore e turistike dhe me potencial të madh për ekonominë lokale. Në këtë mënyrë, ndërgjegjësimi i komunitetit dhe palëve të interesuara për vlerat, ekosistemet dhe burimet e zonës është jetik, pasi ato kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së banorëve.

Për këtë arsye, Prespa Ohrid Nature Trust – PONT po financon në Dibër projektin një vjeçar “Përmirësimi i jetesës përmes ruajtjes së biodiversitetit të parkut natyror Korab-Koritnik”. Projekti i zbatuar nga World Vision Albania dhe Argitra Vizion mbështet banorët e 10 fshatrave me këshillim dhe trajnime se si të menaxhojnë dhe ruajnë biodiversitetin e parkut natyror dhe njëkohësisht të përmirësojnë jetesën përmes kultivimit të bimëve mjekësore, pa i dëmtuar ato.

Projekti po zbatohet me sukses, falë edhe ndihmës së aktorëve lokalë, duke dhënë këto rezultate në 6 muajt e parë të tij;

-Një ekspert i jashtëm ka vlerësuar situatën dhe potencialin e Bimëve Mjekësore Aromatike dhe përfitimet ekonomike që rrjedhin nga kultivimi/grumbullimi i tyre.

-100 gra fermere dhe 45 adoleshentë kanë rritur ndërgjegjësimin për mundësinë e kultivimit të bimëve mjekësore dhe mbrojtjen e parkut kombëtar Korab-Koritnik. Ata janë informuar mbi rëndësinë e kultivimit të BMA-ve, kërkesat e tregut dhe përfitimet ekonomike.

-Nga 66 fermerë të trajnuar në 10 fshatra (gra dhe të rinj), janë identifikuar 41 fermerë potencialë për kultivimin e BMA-ve.

Në muajt në vijim, krahas trajnimeve se si të përshtaten me kërkesat dhe standardet e tregut dhe eksplorimin e mundësive për marrëveshje/kontrata afatgjata me grumbulluesit dhe tregtarët, fermerët do të mbështeten edhe me farë, arka, çanta, pajisje të thjeshta grumbullimi, kuti kartoni dhe doreza pune.

Stafi i projektit po bashkëpunon ngushtë me aktorët e tjerë vendorë si RAPA Dibër, RAPA Kukës dhe Bashkia Dibër, duke mundësuar kështu krijimin e një partneriteti lokal efiçent për zbatimin me sukses të projektit. Bashkë me fermerët, ata kanë patur mundësi të shkëmbejnë eksperienca jashtë vendit për të përfituar nga praktikat pozitive të partnerëve.