RISE HER – 6 Organizata të Shoqërisë Civile mbështeten me minigrante për fuqizimin e grave dhe vajzave në Qarkun e Elbasanit

Në qytetin e Elbasanit u shpallën dje zyrtarisht 6 organizatat e shoqërisë civile që do të mbështeten me minigrante në kuadër të projektit “RISE HER – Fuqizojmë gratë dhe vajzat për një jetesë të pavarur”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga World Vision Albania dhe Forumi i Gruas Elbasan, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Këto minigrante synojnë të mbështesin ndërhyrje konkrete në terren për të luftuar dhunën me bazë gjinore, për të rritur ndërgjegjësimin në komunitet, për të adresuar pabarazitë gjinore, për të forcuar zërin e grave dhe vajzave dhe për t’i fuqizuar ato ekonomikisht. Projektet që do të zbatohen në kuadër të kësaj skeme do të ndikojnë drejtpërdrejt komunitetet në 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit, përmes një qasjeje të bazuar në bashkëpunimin institucional, angazhimin e të rinjve, ofrimin e shërbimeve dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me gratë, vajzat dhe komunitetin në tërësi.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, institucioneve lokale, organizatave të shoqërisë civile, të rinj dhe profesionistë të mbrojtjes sociale, të cilët theksuan rëndësinë e krijimit të një rrjeti të fortë dhe të qëndrueshëm mbështetës për gratë dhe vajzat, përmes forcimit të rolit të OSHC-ve dhe institucioneve vendore.

Në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, fjalën përshëndetëse e mbajti Z. Miha Pezelj, Drejtues i Skuadrës për Zhvillimin Socio-Ekonomik.

“Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave janë parime themelore të Bashkimit Evropian. Përmes projekteve si RISE HER, ne synojmë të krijojmë një mjedis ku çdo vajzë dhe grua ka mundësinë të jetojë e lirë nga dhuna, të ndërtojë një jetë të pavarur dhe të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në zhvillimin e komunitetit të saj. Mbështetja e organizatave lokale është thelbësore për ta bërë këtë vizion realitet.” – theksoi ai.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe znj. Eljona Elmazi, Drejtore Ekzekutive e World Vision Albania, dhe znj. Shpresa Banja, Presidente e Forumit të Gruas Elbasan, partnerët zbatues të projektit, të cilat nënvizuan rolin kyç të organizatave të shoqërisë civile në ndërtimin e urave të besimit mes komunitetit dhe institucioneve për të mbështetur gratë dhe vajzat që përballen me dhunë apo përjashtim social.

Në një sesion të dedikuar, organizatat fituese prezantuan projektet që do të zbatojnë në vijim, ndërhyrjet konkrete dhe përfituesit e tyre. Gjatë 12 muajve në vijim, projektet do të ofrojnë mbështetje psiko-sociale dhe mundësi për fuqizim ekonomik për vajzat dhe gratë, do të rrisin ndërgjegjësimin për barazinë gjinore, do të ofrojnë aftësim digjital dhe do të krijojnë mekanizma praktikë për raportimin e rasteve të dhunës.

Organizatat fituese janë:

ADRA Albania

Nisma ARSIS

Information Network and Active Citizenship – INAC

Institute of Romani Culture in Albania – IRCA

Youth Rights & Citizenship Initiative (YRCI)

To Give Life Association