Limani, aktivisti për të drejtat e fëmijëve

794d8a71-cbb3-4491-8aad-154087ceab57 (1)

Po mësoj, po trajnohem, po përgatitem që sot të jem zëri i madh i fëmijëve të vegjël dhe nesër të jem i riu, qytetari aktiv, i përgjegjshmi dhe lideri i një komuniteti me problematika të mëdha por me një dëshirë për t’u përmirësuar dhe rimëkëmbur,”- kështu thotë Limani 16 vjeçari aktiv, pjesë e grupit “Impact” me të rinj në zonën e Kamzës.

Ai është një nga 224 të rinjtë dhe anëtarët e një prej 11 grupeve “Impact” të cilët kanë zhvilluar modulin e parë me tema që trajtojnë liderin në të gjitha dimensionet e tij.

Gjëja më e rëndësishme dhe praktike që kam mësuar nga temat e fundit kanë qenë cilësitë, aftësitë dhe karakteristikat që duhet të ketë një lider për të kontribuar në komunitetin e tij. Duke qenë një i ri i cili aspiron t’i shërbej komunitetit kam vendosur që këto karakteristika t’i tjetërsoj dhe ti bëj të miat në mënyrë që të kem sukses dhe të jem më i dobishëm për veten, familjen dhe komunitetin tim. Për këtë  zotohem që do të jem një lider i cili do të luftoj për kauza dhe problematika të ndryshme,”- shprehet me bindje i riu.

Angazhimi i 16 vjeçarit me World Vision, me grupet e të rinjve ka nisur përpara 3 vitesh dhe që prej asaj kohë ai njihet si një ndër të rinjtë me aktiv në komunitetin ku jeton.

Problematikat e shumta të komunitetit sidomos ato që lidhet me problemet familjare e kanë shtyrë Limanin që të angazhohet dhe të marrë përsipër për të kontribuar, për të sjellë ndryshim në problemet më shqetësuese që prekin të rinjtë si ai.

Në komunitetin ku unë jetoj mbetet shqetësuese zëri i fëmijëve dhe të rinjve për problemet që kanë. Duke qenë të rrethuar nga një mentalitet patriakal zëri i fëmijëve dhe të rinjve anashkalohet, nuk dëgjohet dhe kështu nuk marrim dot mendimet e tyre për zgjidhjen e çështjeve të caktuara që na shqetësojnë. Në këto kushte fokusi im ka të bëjë pikërisht me ngritjen e zërit të fëmijëve dhe të rinjve për problemet e tyre në shoqëri. Kjo falë nismave informuese dhe ndërgjegjësuese që un dhe grupi im “Impact” kemi ndërrmarrë herë pas herë,”- na tregon Limani.

Ai tregon vendosmëri për rrugën që do të ndjekë që të bëhet një lider i suksesshëm. Sot ai numëron disa nisma konkrete që ka realizuar falë angazhimit të tij me të rinjtë e grupit “Impact” ndër vite.

E kujtoj shpesh nismën tonë të parë që kishte të bënte me dhunën ndaj fëmijëve. Ishte një fushatë ndërgjegjësuese dhe ne patëm organizuar një marshim masiv në komunitet të veshur me uniforma që mbanin mesazhe sensibilizuese dhe në dorë mbanim dhe shpërndanim fletëpalosje me informacione të dobishme. Ishte një nga nismat më të bukura dhe të vlefshme që kemi ndërmarrë ndonjëherë dhe e kujtoj gjithmonë sa uniform dukeshim në mbrojtjen e kauzën sonë,”- tregon ai.

Limani është në vit të parë gjimnaz dhe një ndër pasionet e tij më të mëdha është edhe futbolli. Megjithatë as shkolla dhe as pasioni i tij për sportin nuk e kanë penguar të vazhdojnë angazhimin me grupin “Impact”.

Teksa flet për ëndrrat dhe profesionin e tij të ardhshëm, ai shprehet i emocionuar: “Nuk e kam vendosur akoma se për çfarë dua të studioj pasi edhe për shkak të moshës jam shumë i lëkundur në mendimet e mia ama një gjë e di me siguri që profesioni im i ardhshëm do të lidhet patjetër me komunitetin tim. Dua të studioj për një degë që jam i sigurt për frytet që do t’i jap komunitetit tim. Dua që profesioni im të jetë i dobishëm edhe për të tjerët sidomos për fëmijët dhe të rinjtë në komunitetin tim.”- shton ai.

Në një kohë kur teknologjia, bota virtuale, pandemia dhe ngjarjet e njëpasnjëshme duket që kanë kapluar të gjithë vendet mbarë nuk ka shpëtuar as vendi ynë dhe të rinjtë që po rriten dhe edukohen këtu. Ata janë ndoshta grupmosha më e prekur dhe më e cënuar ndaj Limani, djaloshi 16 vjeçar përcjell një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij: Lider nuk lind, por bëhesh. Nuk ka rëndësi në qoftë se jam unë, është shoku im, apo është një bashkëmoshatar i joni, të gjithë mund të jenë dhe të gjithë mund të bëhen, nevojitet vetëm punë, vullnet, dëshirë dhe këmbëngulje”.