Jemi këtu për njëri-tjetrin.

Foto e re 2

Megi është në klasën e nëntë dhe i pëlqen të shkruajë e të pikturojë. Vajza nga Kurbini na tregon se gjatë ditëve të para të pandemisë, shpesh herë e thyente monotoninë me pasionet e saj.

 “Në fillim dukej e pabesueshme. Nuk e mendonim se mund të arrinte deri këtu,”- tregon Megi për ditët e para të pandemisë, e ndërsa vijon  “me shfaqjen e rasteve të para, kisha shumë frikë se Covid19 mund të hynte edhe në familjen time”.

Ato ditë pasigurie, nuk është e lehtë t’i hedhësh pas krahëve. Distancimi social dhe qëndrimi në shtëpi la për Megin dhe shumë bashkëmoshatarë të saj, vetëm një urë komunikimi – telefonin.

“E ndienim shumë mungesën e njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës doja që të takohesha me shoqet, të bisedonim e të argëtoheshim si më parë,”- shton Megi.

Por situatat e jashtëzakonshme ishin të njëpasnjëshme. 2 vite më parë, kur ndodhi tërmeti i 26 nëntorit, la jo pak gjurmë dhe frikë tek shumë bashkëmoshatarë të Megit në zonat e prekura dhe jo vetëm. Ajo na tregon se pas kthimit në shkollë mësuesit mundoheshin t’i udhëzonin nxënësit se si të reagonin dhe të mbroheshin në raste të tilla.

“Disa bashkëmoshatarë kishin pësuar dhe dëmtime në shtëpi dhe e kanë përjetuar keq situatën, duke e shfaqur dhe në shkollë. Në ato momente kryesore ishte t’u qëndronim pranë dhe t’i mbështesim,” – tregon Megi.  

  • ësisht vështirësive, me rikthikim në shkollë në masa sigurie nga pandemia dhe nën kujdesin e mësuesve Megi dhe të rinj të tjerë si ajo, së bashku me mësues të shkollës, vendosën të ndërmarrin një nismë që e titulluan “Reago, shpëto jetë”. Ajo tregon se e zgjodhën këtë temë sepse pasojat e tërmetit dhe më pas të pandemisë, ishin shumë prezente në komunitetin e tyre dhe ata dëshironin të informonin dhe ndërgjegjësonin  mbi mënyren e reagimit në këto situata.  

“Pandemia ishte e padukshme dhe përhapej me shpejtësi. Fëmijët ishin një transmetues i fshehtë i këtij virusi. Duhej të tregoheshim tepër vigjilentë ndaj çdo rasti a simptome,“ – thotë mësuese Albana pas rikthimit në shkollë.

Gjatë gjithë muajit nëntor, në kuadër të kësaj nisme, nxënësit krijuan fletëpalosje për të ndërgjegjësuar dhe informuar komunitetin në shkollë për rreziqet si edhe mënyrën e mbrojtjes nga fatkeqësitë. Gjithashtu, të rinjtë organizuan aktivitete sportive ndërmjet klasave, për të rikthyer harmoninë kohës së bashku si edhe për të lënë mënjanë mendimet negative nga përjetimi i këtyre situatave. Të gjitha aktivitetet u prezantuan edhe në revistën e shkollës përgatitur nga vetë nxënësit.

“Pas tërmetit ishim shumë të frikësuar, mbi të gjitha për fëmijët, ata ishin meraku ynë më i madh. Përditshmërisë nuk i jemi rikthyer për një kohë të gjatë. Sytë i kishim nga fëmijët,”- tregon nëna e Megit Grisela, e lehtësuar që tani vajza e saj dhe të rinj të tjerë po e tejkalojnë këtë situatë dhe njëkohësisht ndihmojë njëri-tjetrin.

Nëpërmjet nismës të ndërmarrë nga Megi dhe bashkëmoshatarët e saj, të gjithë pjesëmarrësit në aktivitete tani kanë më shumë informacion për mënyrën e  reagimit të duhur në situata emergjente. Por më e rëndësishmja është që ata kanë qenë aty për njëri-tjetrin në këto kohë të vështira.

“Këto aktivitete janë një ndihmesë shumë e madhe për të gjithë sepse duke parë se po ndodhin shpesh “të papritura“ të natyrës, është e rëndësishme të jemi të përgatitur” – thotë Megi, duke e mbyllur rrëfimin e saj me një këshillë – “jemi ende në kohë pandemie dhe duhet të bejmë kujdes që t’i rikthehemi sa më shpejt normalitetit, të ruajmë distancën, të mbajmë maskë dhe të dezinfektojmë duart dhe kemi bërë gjysmën e punës për largimin e pandemisë.”   

13 nisma janë ndërmarrë në kuadër të ndërgjegjësimit dhe angazhimit komunitar për përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe Reduktimit të Riskut ndaj Fatkeqësive në shkolla në kuadër të projektit “Ndërtimi i reziliencës dhe aftësive për Reduktimin e Riskut ndaj Fatkeqësive (RRF) nëpërmjet angazhimit të shkollës dhe komunitetit” i cili zbatohet në Tiranë, Kamëz, Durrës, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë.

Ky projekt mbështetet nga UNICEF Albania, SDG Acceleration Fund, nëpërmjet financimit të qeverisë holandeze dhe zbatohet nga World Vision Albania, në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.