“Rinia Ndryshon Ligjet” – Më shumë mundësi për edukim, punësim dhe vendimmarrje për të rinjtë shqiptarë

Të rinjtë shqiptarë do të kenë më shumë mundësi dhe hapësira për edukim, punësim dhe vendimmarrje. Kjo pasi gjatë vitit 2024, Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm për fuqizimin e të rinjve, përmes rishikimit të ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”. Të rinjtë e grupeve IMPAKT luajtën rol thelbësor në procesin e konsultimeve të udhëhequr nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë me mbështetjen e World Vision Albania dhe partnerëve të tjerë.

Procesi i konsultimeve dhe angazhimi i të rinjve në turin “Rinia Ndryshon Ligjet” dhanë frytet e tyre më 17 mars 2025, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 71 vota pro ndryshimet e propozuara nga të rinjtë. Rishikimi i Ligjit është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për të rinjtë në veçanti, por edhe për demokracinë pjesëmarrëse në tërësi. Ai mbron dhe promovon të drejtat dhe fuqizimin e 430,330 fëmijëve dhe të rinjve të moshës 15-29 vjeç. Ndryshimet në ligj e përafrojnë Shqipërinë me standardet evropiane, ofrojnë një kuadër më të qartë për politikat rinore, dhe krijojnë mundësi për zhvillimin profesional dhe integrimin në tregun e punës të të rinjve.

Jam e lumtur që sugjerimet tona janë reflektuar në ligj. Kam qenë pjesë e procesit që kur u hartua Strategjia për Rininë dhe deri në finalizimin e ndryshimeve të Ligjit për Rininë. Që nga fillesat e hartimit të Ligjit për Rininë, kam pasur mundësinë të shoh nga afër se si ndërtohet një politikë publike, si funksionon bashkëpunimi institucional dhe, mbi të gjitha, sa i madh është potenciali rinor.Ndryshimet e reja i hapin rrugë krijimit të programeve të reja në funksion të mbështetjes dhe fuqizimit të të rinjve, duke i bërë ata aktorë të drejtpërdrejtë të ndryshimeve në komunitetet ku jetojnë. ,” – thotë Debora nga grupet Impakt, e cila hapi workshopin e parë të konsultimeve, ku ishin të pranishëm dhjetëra të rinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC), organizatave rinore, Këshillit Kombëtar të  Rinisë, Këshillave Vendore Rinore, Këshillave Studentorë, si dhe ekspertë e studiues në fushën e rinisë.

Procesi dinamik dhe gjithëpërfshirës i konsultimeve, nisi me organizimin e një eventi kombëtar që bëri bashkë të gjithë aktorët, u pasua me një tur në 13 qytete të vendit, duke kulmuar me organizimin e një Bootcampi, ku për 3 ditë, 150 të rinj dhanë sugjerime dhe ide, të cilat ju prezantuan zyrtarisht qeverisë shqiptare.

 “Procesi ka sjellë drejtpërdrejt zërat e të rinjve në zemër të politikbërjes. Propozimet tona janë dëgjuar dhe marrë parasysh. Me të vërtetë ka qenë një eksperiencë shumë e vlefshme për mua si e re – nga diskutimet në mbledhjet në bashki, te aktivitetet dhe çdo hap që na çoi deri te miratimi i ligjit për rininë. Ky proces më ka bërë të ndjehem e dëgjuar dhe e vlerësuar. Nuk mund të ketë vendime për të rinjtë, pa të rinjtë,– thotë Ledjona, anëtare e Bordit Rinor Këshillimor të World Vision Albania.

“Kur të rinjtë bëhën bashkë, rezultati është gjithmonë pozitiv. Ndryshimet e reja mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e rinisë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Eshtë inkurajuese të shohësh se zeri i të rinjve nuk po lihet më mënjanë, por po behet pjesë e vendimmarrjes,” – thotë Leo.

Cilat janë ndryshimet

Ndryshimet do të fokusohen në tre shtylla kryesore, Programin Kombëtar të Praktikeve të Punës, Programin e Talenteve Rinore dhe Programin e Nismave Komunitare.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës do të vijë me një qasje të re, njejtë me programet evropiane. Për herë të parë, praktikantët në institucionet publike do të marrin një trajtim ushqimor gjatë praktikës 3-mujore. Ky program do të përfshijë për herë të parë edhe trajnime për aftësi digjitale dhe ndërpersonale, duke përgatitur 600 të rinj çdo vit për tregun e punës. Të rinjtë do të kenë mundësinë të zhvillohen profesionalisht duke zhvilluar eksperiencën e tyre të parë të punës, si dhe do të mbështeten financiarisht gjatë zhvillimit të praktikës.

Programi i Talenteve Rinore do të mbështesë të rinjtë në kultivimin dhe promovimin e talentit të tyre në fushat e artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë dhe sportit, përmes mbulimit të kostove të pjesëmarrjes në kompeticionet dhe në veprimtaritë zyrtare ndërkombëtare, si dhe dhënies së shpërblimit financiar, bazuar në vlerësimin e në rezultatet e arritura nga të rinjtë në këto kompeticione dhe veprimtari ndërkombëtare.

Programi i Nismave Komunitare do të fuqizojë të rinjtë për të realizuar projekte të vogla që përmirësojnë jetën e komunitetit lokal, si në shkolla, universitete apo qytete.

Projektligji prezanton konceptin e qendrës rinore, si person juridik, duke synuar të thellojë bashkëveprimin ndërmjet bashkive, organizatave rinore dhe të rinjve në krijimin e qendrave rinore mirëfunksionale e të qëndrueshme financiarisht, si dhe rritjen e mundësive për ngritjen e tyre në të gjithë territorin e vendit.  Projektligji rregullon njohjen dhe përcaktimin e kompetencave dhe formimit profesional që duhet të kenë punonjësit rinorë.