Rikthimi në “fole” i Kasandrës

Kasandra

“Ishim të rinj. Sapo ishim martuar, por nuk kishim thuajse asgjë. Nuk kishim një shtëpi tonën, as punë të qendrueshme dhe as të ardhura. Duhej të bënim diçka dhe këtu nuk po shihnim ndonjë mundësi, ndaj vendosëm të ikim nga Shqipëria,” – kështu e kujton Kasandra nga Fushë-Kruja vendimin që mori rreth 5 vjet më parë për të emigruar në Gjermani bashkë me bashkëshortin në kërkim të një jetë më të mirë.  

Pavarësisht përpjekjeve për t’u integruar atje, familja e 24-vjeçares nuk arriti që të marrë leje qendrimi nga autoritetet shtetërore gjermane. Prej 5 muajsh ata janë rikthyer në vendlindje, ku sipas Kasandrës po përballen sërish me të njëjtat sfida që kishin para se të largoheshin.

 “Në Gjermani, 2 vite qendruam në kamp, ndërsa 2 vite të tjera na dhanë shtëpi. Kur dukej se gjërat po rregulloheshin, papritmas aventura jonë përfundoi,”- na tregon ajo.

Familja prej 4 anëtarësh jeton në një nga lagjet e qytetit të Fushë-Krujës. E vetmja hapësirë që kanë në dispozicion është një dhomë e vogël në një ndërtesë ku jetojnë bashkë me të afërmit e tyre.  Edhe pse e vogël, dhoma është mikpritëse. Kasandra ka shfrytëzuar maksimalisht hapësirën për të krijuar një ambient të ngrohtë për Klean dhe Dean, dy vajzat e saj.

“Prioriteti im është shkollimi i vajzave. Dua që të bëhen të pavarura në jetë”, shprehet nëna e dy vogëlusheve, të cilat krahas shqipes, flasim edhe gjuhën rome dhe pak gjermanisht.

Familja mbahet vetëm me të ardhurat që siguron bashkëshorti i Kasandrës përmes tregtisë, ndërsa vetë 24-vjeçarja qendron në shtëpi me dy vajzat. Gjithsesi, ajo nuk u kthye duarbosh nga Gjermania. Atje mori një profesion të ri, të cilin po përpiqet që të gjejë hapësirën e duhur për ta ushtruar në Fushë-Krujë.

“Gjatë kohës që qendroja në kamp në Gjermani ndoqa një kurs rrobaqepësie. Zbulova tek vetja një pasion të ri. Realizova disa punime cilësore. Aty u shpalla edhe më e mira ndër të gjithë kursantët. Kam dëshirë që të punoj si rrobaqepëse, po nuk kam gjetur dot ende një punë,”-thekson ndër të tjera nëna e re, teksa na flet për sfidat dhe ëndrrat e saj.

Megjithatë, ajo pak nga pak thotë se do arrijë t’i japë jetë zanatit të saj, sepse projekti “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente” që zbatohet nga World Vision Albania në Bashkinë Krujë ka krijuar një mundësi të re për Kasandrën.

Duke parë nevojën për ndihmë, por edhe potencialin për të gjeneruar të ardhura përmes vetëpunësimit, ajo përmes projektit është mbështetur me një makinë qepëse. E reja e talentuar dhe e buzeqeshur është optimiste për të ardhmen. Tashmë ajo po përpiqet që të ngulë rrënjë në vendin e saj.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për mua. Këtu është shumë e vështirë që gratë, veçanarisht nga komuniteti rom, të gjejnë punë dhe të dalin të punojnë. Me ndihmën e bashkëshortit, dua që të filloj një biznes që të siguroj më shumë të ardhura për familjen time dhe t’u krijoj mundësi më të mira vajzave. Fillimisht mendoj që të filloj të qep disa gjëra të vogla si; perde, çarçafë, këllefë jasteku, me shpresën për ta zgjeruar aktivitetin tim,”- shprehet Kasandra, shpresëplotë se do t’ia dalë.

Familja e saj është një prej 115 familjeve që po mbështeten në Bashkinë Krujë për të hedhur bazat e një ekonomie familjare më të qendrueshme. Në kuadër të projektit, familjet po ndihmohen gjithashtu të përmirësojmë aftësitë për të përballuar më mirë situatat emergjente në të ardhmen. 

50 prej këtyre familjeve po mbështeten me inpute bujqësore dhe blegtorale, ndërsa 65 familje të tjera janë mbështetur me paketa ushqimore dhe higjienike. 

Ky ndërhyrje është marrë në kuadër të “Përgjigje e Mbrojtje Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Projekti mbështet Qeverinë Shqiptare dhe tre bashki të prekura nga tërmeti, në procesin e dizenjimit dhe përkthimit të politikave që synojnë në ndërmarrjen e veprime të duhura lokale për të siguruar që burrat, gratë, vajzat dhe djemtë që jetojnë në varfëri, ose situata të cënueshme, që ndërthuren me kushtet pas tërmetit, të kenë akses në shërbime sociale të integruara dhe cilësore.