Rigjetja e shpresës në tokën e lindjes!

IMG_8634

Rigjetja e shpresës në tokën e lindjes!

Para disa vitesh tokat  bujqësore ishin  braktisur. Në pak zona, syri të shihte parcela të punuara. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, e shihnin zgjidhjen në emigrim, ku të ardhurat për familjen ishin më të mëdha. Kriza ekonomike që mbërtheu vendet fqinj si Greqinë dhe Italinë bëri që mijra shqiptarë të riktheheshin në shtëpitë e tyre me pikëpyetjen e madhe se ku duhet të investonin, dhe si do i përdornin kursimet e tyre. Çfarë pune do të bënin tani? 

Në të njëjtin udhëkryq u gjend edhe 40 vjeçari Oltion Spahillari nga fshati Zvezde i Korçës.  Pas 12 vitesh punë në Greqi, në ndërtim, u  kthye në fshat ku e priste nëna e tij. Olti kujton se ajo kohë përkoi edhe me martesën e tij. Bashkë me Albertën ata kanë dy fëmijë, Albionin dhe Fiorin. Pas ardhjes së fëmijëve,  familja u shtrëngua. Paratë nuk mjaftonin dhe të dy prindërve u duhej të punonin më shumë. Profesioni i vjetër i Oltit si ndërtues nuk vlente shumë në fshatin e tij. Atij i duhej të njihte tokën dhe  të mësonte sesi mund të nxirrte produkte cilësore prej saj. 

“Nuk kisha shumë eksperiencë  me tokën. Por në fshat nuk ka punë tjetër. Nga babai  dhe nëna kisha vetëm 5 dynym tokë dhe kisha frikë të merrja toka me qera. Toka do yzmetin e saj, do ujitur, dhe i duhen plehrat e duhura kimike.  Edhe pse ne i qëndrojmë gjithë ditën tek koka, ka raste që ajo  është tekanjoze dhe  nuk të shpërblen.  Nuk dija ç’të bëja, isha i pasigurt nëse ato pak para që më kishin mbetur t’i investoja tek toka apo tjetërkund” – na thotë Olti.

Para disa vitesh, Olti  bëhet pjesë e Këshillit të Biznesit të Hapur nga World Vision në Korçë. 

“Gjatë takimeve për menaxhimin e biznesit arrita ti jepja përgjigje shumë pyetjeve që më mundonin, dhe të fitoja besimin. Arrita të kuptoja se çfarë është një plan biznesi, dhe si mund të ndërtoja një të tillë për të shfrytëzuar sa më mirë tokat dhe për të patur produkte cilësore. Në fillim bashkë me zonjën time Albertën, mbollëm, patate, hudhra e fasule. Para dy vitesh, vendosa të marr edhe 10 dynym tokë me qera, për të cillat paguaj rreth 50 mijë lekë në vit. Një pjesë i kam mbjellë me mollë. I krasisim vetë”-tregon Olti.

Olti është përzgjedhur si një nga përfituesit e projektit Lehtësim Biznesi.  Ai kishte besim dhe durim, se me mjetet dhe njohuritë e duhura do mund të ndryshonte prodhimtarinë e tokave të tij, ekspertët e World Vision e ndihmuan të përpilonte një plan biznesi. Tani Olti  ka arritur të dyfishojë të ardhurat e tij vjetore nga 150.000  në 300.000 lekë.

Tokat e tij kishin nevojë për më shumë  ujë, dhe një pompë vaditëse e ka ndihmuar shumë biznesin e tij të vogël në bujqësi. Olti na tha se blerjen e pompës vaditëse ia mundësoi World Vision. “Megjithatë kjo është një ndihmë e vogël krahasuar me punën e madhe që ka bërë WV me mua si individ, por edhe me dy fëmijët e mi ” – tregon ai.

 40 vjeçari ka mbjellë 350 rrënjë mollë dhe ky vit duket se do të jetë i mbarë për të. Një pjesë e madhe e banorëve të fshatit të tij i janë rikthyer bujqësisë. Ata e dinë se  kanë ende shumë sfida. Prodhimi kërkon të magazinohet dhe të ruhet në kushte optimale, dhe tregu i shitjes ështe ende i pastabilizuar. Por këtu do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre dhe ky është vetëm fillimi i punës së tyre.