Projekti më i ri i WVA, një udhëtim shprese nis për 200 familje dhe 620 fëmijë në Durrës

Një udhëtim shprese dhe prosperiteti ka nisur për 200 familje dhe 620 fëmijë e të rinj në Bashkinë Durrës. Organizata World Vision Albania ka nisur zbatimin e projektit 36 mujor “Fuqizimi i jetëve përmes blegtorisë: Një udhëtim shprese dhe prosperiteti”, i cili ka në fokus rritjen e mirëqenies së fëmijëve duke forcuar sigurinë ushqimore dhe jetesën e qëndrueshme për 200 familje të cënueshme dhe komunitetet e tyre, nëpërmjet përmirësimit të prodhimit blegtoral dhe aksesit në treg.  

Projekti i financuar nga World Vision SHBA është hartuar si një ndërhyrje disa planëshe, për të mbështetur dhe fuqizuar ekonomikisht 200 familje në nevojë, të njësive administrative Sukth dhe Katund i Ri në Bashkinë e Durrësit, për të patur akses në tregun e prodhimit blegtoral, duke siguruar ushqyerje të shëndetshme dhe të ardhura të qëndrueshme. 

Gjatë lançimit të projektit ishte e pranishme kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, prefekti i Qarkut Durrës, Emiljan Jani, drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, drejtues të Njësive Administrative dhe Njesive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ekspertë të bujqësisë, punonjës social dhe drejtues të shkollave.

Gjatë aktivitetit u prezantuan ndërhyrjet kryesore dhe rezultatet e pritshme të projektit me të gjithë partnerët dhe palët e interesuara, si dhe u vendosen bazat e komunikimit dhe bashkëpunimit për zbatimin e suksesshëm të tij.

Rezultatet e pritshme

  1. Përmirësimi i kohezionit social ndërmjet familjeve (gra, burra, të rinj) në zonat e synuara të Bashkisë Durrës;
  2. Rritja e prodhimit të blegtorisë dhe fermës, përmirësimi i sigurisë ushqimore të blegtorisë;
  3. Përmirësimi i të ardhurave të qëndrueshme të 200 familjeve dhe lidhja efektive midis grupit të synuar dhe shitësve lokalë për qëndrueshmërinë në të ardhmen.
  4. Ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe të rinjve mbi rëndësinë e mirëushqyerjes.

Aktivitetet kryesore

200 familjeve do t’u dhurohen bagëti (dhi dhe lopë), për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të tyre.

200 fermerë do të mbështeten me mjete pune dhe do të përmirësojnë infrastrukturën e stallave, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së bagëtive, rritjen e prodhimit dhe rritjen e të ardhurave.

30 sesione informimi do të realizohen me nënat nga familjet përfituese rreth vlerave ushqyese të artikujve të ndryshëm ushqimorë (përfshirë prodhimet blegtorale si dhe prodhimet e kopshtit) dhe si të krijojnë vakte të balancuara për fëmijët.

6 aktivitete sensibilizuese do të organizohen përmes klubeve IMPACT për ndërgjegjësimin e 3800 fëmijëve dhe të rinjve mbi rëndësinë e mirëushqyerjes dhe shumëllojshmërinë e produkteve ushqimore.

200 familje do të mbështeten me inpute të ndryshme bujqësore, të tilla si farat e perimeve dhe frutave, për të diversifikuar produktet e tyre të kopshtit dhe për të garantuar një dietë të shëndetshme për fëmijët e tyre.

200 fermerë do të trajnohen mbi tema si; menaxhimi i blegtorisë, strehimi dhe infrastruktura, ushqimi dhe shëndeti i kafshëve, si dhe menaxhimi i efekteve të ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore.

Shkëmbim vizitash. Fermerët përfitues do të njihen me histori suksesi në bashki të tjera si Korça dhe Librazhdi.

Rrjetëzim. Familjet përfituese do të krijojnë kontakte me prodhuesit e produkteve të qumështit, baxho të vogla, shoqata të konsumatorëve, si dhe sipërmarrje prodhuese të interesuara për të bashkëpunuar.