“Përmirësimi i jetesës përmes ruajtjes së biodiversitetit të parkut natyror Korab-Koritnik”, mbështetje fermerëve në Dibër

Komunitetet lokale në Dibër po trajnohen për ruajtjen e vlerave, ekosistemeve dhe burimeve natyrore të zonës, por edhe po mbështeten të përmirësojnë ekonominë familjare përmes kultivimit të bimëve mjekësore aromatike.

Ndërhyrjet po realizohen në kuadër të projektit “Përmirësimi i jetesës përmes ruajtjes së biodiversitetit të parkut natyror Korab-Koritnik”, që financohet nga Prespa Ohrid Nature Trust – PONT dhe që zbatohet nga World Vision Albania dhe Agritra-Vizion.

Si rezultat i ndërhyrjeve të realizuara, fermerët vendas kanë rritur ndërgjegjësimin duke u bërë partnerë në ruajtjen e mjedisit, si dhe janë angazhuar në praktika të qëndrueshme të kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatike, por edhe të mbledhjes së tyre në natyrë pa dëmtuar mjedisin.

Vlerësimi i potencialit të kultivimit të bimëve mjekësore në zonën e Dibrës, trajnimi në praktikat e qëndrueshme të kultivimit dhe mbledhjes së bimëve mjekësore, duke respektuar mënyrën e qendrueshme të përdorimit të burimeve natyrore dhe ndikimin minimal në mjedis, si dhe krijimi i partneriteteve me kompani grumbulluese të bimëve medicinale, sollën mundësi të reja për fermerët vendas.

Si rezultat i ndërhyrjeve, 40 fermerë janë trajnuar se si të kultivojnë bimë mjekësore dhe aromatike, 38 fermere janë pajisur me materiale të nevojshme për punën e tyre, 9 fermerë janë mbështetur me 21 mijë fidanë, 110 gra fermere kanë rritur ndërgjegjësimin për mundësinë e kultivimit të bimeve mjekësore, si dhe 162 të rinj kanë rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e parkut natyror Korab-Koritnik dhe ruajtjen e biodiversitetit.

 Tashmë ata janë zëra të fortë në komunitetet e tyre për mbrojtjen e natyrës.