“Kur u bëra pjesë e grupit 5 vite më parë, kisha dëshirë të bëja gjëra të mëdha. Ndonëse bindja brenda meje nuk ishte aq e madhe, vazhdoja të shpresoja se nëse të gjithë fëmijët do ishin të bashkuar do mund të ndryshonim diçka. Kjo ishte ndjenja brenda meje që më shtynte të vazhdoja përpara e të luftoja për të drejtat tona, për të drejtat e fëmijëve.”- këto janë kujtimet më të hershme të njërës prej vajzave të grupit të fëmijëve nga Lezha që donin të ishin zëri, mbështetja dhe “mbrojtja” e të gjithë fëmijëve.
Përveç gëzimit që na kanë falur sëfundmi ditët me diell, këta fëmijë thonë se kanë të tjera arsye, edhe më të forta për t’u lumturuar. Në Parlament u miratua ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, çka ata e konsiderojnë edhe sukses të punës së tyre.
“Më kujtohet iniciativa jonë e parë, në fakt ishte e para për shumë nga ne. Ishte fushata në një shkollë ku do u tregonim fëmijëve për të drejtat e tyre. Kisha një lloj ndrojtje brenda meje. Nuk dija si do të na prisnin. Por megjithë dyshimet që patëm, fjala jonë ndikoi tek fëmijët. Fillimi i mbarë, gjysma e punës!” – tregon A. duke na përmendur një e nga një të gjitha shkallët që iu është dashur të ngjisnin në rrugën e tyre. Me durim e këmbëngulje arritën të shkonin nga shkolla në komunitet. “U munduam të zgjidhnim formën më të këndshme për të paraqitur punën tonë duke bërë një teatër social në qendër të qytetit. Herë herë shikoja sy që na shihnin ashpër, por nga ana tjetër shumë shikime na shoqëronin ëmbël. Njerëzit na buzëqeshnin me mirësjellje e kjo ishte forca për të dhënë maksimumin tonë.” – kështu tregon vajza nga Lezha që me shumë krenari na përshkruan emocionet dhe arritjet e saj dhe të të gjithë grupit të fëmijëve. Pas takimeve me psikologun apo Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve arritën të takoheshin e të dëgjoheshin edhe nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe nga ministritë.
“Së fundmi më vjen në mendje takimi për konsultimin e axhendës mbi ligjin për mbrojtjen e fëmijëve…Në fakt kur e mendoja se një grup i thjeshtë nga Lezha do jepte mendimet e tij për ligjin mbi mbrojtjen e fëmijëve, kënaqësia ishte e madhe. Puna jonë u kurorëzua me miratimin e ligjit që shënon edhe suksesin më të madh të punës. Ajo çka ne gjithmonë kishim kërkuar u bë realitet. Kështu u plotësua një ndër qëllimet e grupit tonë. Ndihesha shumë e privilegjuar që isha pjesë e diçkaje kaq madhore. E di se do jenë të shumtë ata që do përfitojnë prej këtij ligji dhe kjo më bën të ndihem mirë. Askush më mirë sesa ne nuk e di sa i lodhshëm dhe i bukur ka qenë rrugëtimi ynë.” – thotë e lumtur lezhiania edhe në emër të grupit që ajo përfaqëson. Sipas saj, ata nuk do të ndalen këtu, do të vazhdojnë të jenë mbështetja e të punojnë për sa kohë dëshira për t’i ndihmuar të gjithë fëmijët bashkëjeton çdo ditë me ta.