Tiranë, 20 Nëntor 2025 – 20 Nëntori shënon Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve. Kjo ditë na kujton se respektimi, mbrojtja dhe përmbushja e të drejtave të fëmijëve nuk janë vetëm parime morale, por detyrime ligjore dhe sociale që kërkojnë vëmendje të përditshme nga shteti, institucionet, komuniteti, prindërit dhe secili prej nesh.
Komunikimi i vazhdueshëm i këtyre të drejtave është thelbësor për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit qytetar, parandalimin e abuzimeve, fuqizimin e fëmijëve që të njohin dhe kërkojnë të drejtat e tyre, si dhe nxitjen e institucioneve për zbatimin e këtyre të drejtave në praktikë.
Fëmijët qendrojnë në zemër të programeve tona. Ata janë zëri më i sinqertë i këtyre të drejtave.
Përmes videove dhe mesazheve të tyre, ne jo vetëm festojmë 20 Nëntorin, por ritheksojnë angazhimin tonë të palëkundur për të vazhduar përpjekjet tona për të krijuar një realitet ku çdo fëmijë rritet dhe zhvillohet i shëndetshëm, i mbrojtur, i dëgjuar dhe i respektuar.
Fëmijët Vijnë të Parët
“Kur të rriturit marrin vendime, ata duhet të mendojnë se si këto vendime do të ndikojnë tek #fëmijët. Sepse fëmijët vijnë të parët.” – Jesmina.
Mbro Privatësinë e Fëmijëve
“Çdo fëmijë ka të drejtë për privatësi. Ligji duhet të mbrojë privatësinë, familjen, shtëpinë, komunikimin dhe reputacionin e çdo fëmije.” – Wesla.
Dëgjo Fëmijët, Ndërto të Ardhmen
“Fëmijët kanë të drejtë të shprehin lirisht mendimin e tyre mbi çështjet që kanë ndikim tek ata. Të rriturit duhet ti dëgjojnë fëmijët dhe ti marrin ata seriozisht. Çdo mendim ka vlerë dhe mund të kontribuojë për një shoqëri më të mirë.” – Flogerti.
Të Zhvillojmë Sot Potencialin e Nesërmes
“Të gjithë fëmijët duhet të mbështeten që të zhvillojnë potencialet e tyre, të japin kontributin e tyre në komunitet dhe të jetojnë jetën e tyre në plotësinë e saj.” – Griselda
Të gjithë fëmijët kanë të drejtë ta jetojnë jetën në plotësinë e saj
“Çdo fëmijë me aftësi të kufizuara duhet të gëzojë një jetë sa më të mirë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të marrin shërbime në mënyrë që të jenë të pavarur dhe të japin kontribut në shoqëri”, Klesti.
Pushim, Lojë, Krijimtari… E Drejta e Çdo Fëmije
“Çdo fëmijë ka të drejtë të qetësohet, të pushojë, të çlodhet, të luajë dhe të marrë pjesë në veprimtari kulturore dhe krijuese.” – Çlirimi.
Arsimimi – E Drejtë, Jo Privilegj….
“Çdo fëmijë ka të drejtë të arsimohet. Fëmijët duhet të mbështeten për të shkuar në shkollë deri në nivelin më të lartë. Arsimimi i ndihmon ata të zhvillojnë personalitetet, talentet dhe aftësitë e tyre.” – Gresilda.