Njoftim për shtyp Labirinti Tiranë

Njoftim per shtyp_Labirinti Tirane_12

66% e prindërve apo kujdestarëve ligjorë e konsiderojnë dhunën si mjet disiplinimi[1]

Nëntor 2020 – Dhuna ndaj fëmijëve vazhdon të mbetet një prej fenomeneve më shqetësuese të shoqërisë, e dukshme edhe më shumë gjatë emergjencave. Sipas raportit të ndikimit të pandemisë në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri, 50% e prindërve raportojnë prezencë të dhunës verbale dhe 20% e tyre raportojnë prezencë të dhunës fizike në shtëpi.

Rritja e numrit të rasteve të bëra publike, veçanërisht gjatë muajve të fundit, tregon se ka nevojë urgjente që çdo individ, ashtu sikurse edhe institucionet të koordinohen, të bashkëpunojnë dhe të veprojnë, jo vetëm për të rritur numrin e raportimeve pranë strukturave përgjegjëse, por edhe për të ofruar shërbime parandaluese dhe trajtuese.

Ky është edhe qëllimi i instalacionit të projektit ‘Në Labirint’, i vendosur në qendër të Tiranës. Përmes një eksperience individuale, secili do ketë mundësinë të reflektojë për rolin që ka si prind, familjar apo qytetar në procesin e rritjes së fëmijëve të tyre, si dhe ndikimin afatgjatë që kanë veprimet dhe vendimet e sotme në të ardhmen e fëmijës.

Duhet një botë e tërë kundër dhunës ndaj fëmijëve, duhemi të gjithë ne, familja, shkolla, komuniteti, angazhimi i institucioneve në nivel vendor dhe qendor, që fëmijët në Shqipëri të mos përjetojnë dhunë.

Çdo fëmijë duhet ta jetojë jetën në plotësinë e vet, i mbrojtur nga çdo lloj forme dhune dhe abuzimi. Jemi ne ata që si individë, por edhe si pjesë të insitucioneve dhe organizatave që përfaqësojmë t’i bëjmë fëmijët të ndiehen të mbrojtur, të vlerësuar. Shifrat janë alarmante. 66% e prindërve apo kujdestarëve ligjorë e konsiderojnë dhunën si mjet disiplinimi. Pra si po ndikojmë ne në mirërritjen e fëmijëve? Kjo është pyetja kryesore që sjellim përmes Labirintit, e cila na nxit të reflektojmë përpara se të veprojmë e të marrim vendime për fëmijët tanë. Mbrojtja e fëmijëve është një nga aspektet prioritare të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve dhe si e tillë duhet të sigurohet në familje, shkollë dhe komunitet,”- u shpreh Eljona Boçe Elmazi, drejtoreshë e World Vision Albania në eventin inagurues të #Labirintit

Lexoni të plotë deklaratën për shtyp

Gjetjet e monitorimit për mirëqenien e fëmijëve nga World Vision Albania[2] tregojnë se rreth 60% e fëmijëve dhe adoleshentëve raportojnë se kanë përjetuar dhunë.  

Ergisi, një prej të rinjve të grupeve IMPACT në Kamëz shprehet: Mesazhi im kryesor i drejtohet të gjitha institucioneve që duhet të kenë në fokus të veçantë mbrojtjen e njeriut e veçanërisht të fëmijëve, si dhe të garantojë zbatimin e ligjeve. Çdo rast i dhunës së raportuar, qoftë dhunë fizike apo psikologjike, duhet të trajtohet deri në zgjidhje. Bashkitë e vendit duhet të kenë qendra/ambiente me programe të posaçme që rrisin përgjegjshmërinë qytetare te fëmijët dhe të rinjtë si unë.

Eventi lançues i këtij projekti do të jetë të enjten, më 12 Nëntor, në orën 15:00 në Sheshin “Skënderbej” si një bashkëpunim i World Vision Abania me mbështetjen e Spar Albania, pjesë e Balfin Group si dhe në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkinë Tiranë.

Labirinti do të qendrojë i hapur për 8 ditë dhe në përputhje me masat anti COVID-19. Për çdo vizitor do të sigurohen Pajisje Personale Mbrojtëse. Hyrja do të jetë individuale dhe me një distancë kohore 3 minuta nga vizitori paraardhës. Për personat me aftësi të kufizuara do të ketë shoqërues që i lehtëson aksesin në Labirint.

 


[1] World Vision Albania (2019). Annual Report: Our Impact Update. https://www.worldvision.al/raporti-vjetor-2019-world-vision-albania

[2] World Vision Albania (2019). Annual Report: Our Impact Update. https://www.worldvision.al/raporti-vjetor-2019-world-vision-albania