Në fshatin Katund Sukth të Durrësit, në një shtëpi modeste, të vogël por plot jetë, rriten katër djem të vegjël. Në cep të shtëpisë, në fund të kopshtit ku gjen të gjitha perimet e sezonit, Franci, vetëm 6 vjeç, ka vendin e tij të preferuar.
Me një gotë qumësht të freskët në duar, ai vrapon çdo mëngjes me gëzim drejt stallës për të luajtur me lopën e familjes dhe viçin e porsalindur. Për shumë prej nesh, një lopë mund të jetë veçse një kafshë. Për Francin, 3 vëllezërit e tij, prindërit dhe gjyshërit, ajo është shumë më shumë; ajo është një burim jetese.

Ushqim i shëndetshëm për fëmijët, siguri për prindërit
“Qëkur kemi marrë lopën nga World Vision, nuk blejmë më asgjë në market. Kemi gjithçka që na duhet për fëmijët tanë; djathë, kos, gjizë, gjalpë, qumësht. Dhe e dimë se çfarë konsumojnë. Të gjitha këto, më parë i blinim me para. ,” – thotë Irena, nëna e Francit, teksa me një kujdes befasues, mjel lopën me dorë.
Lopa është kthyer në garancinë e ushqyerjes së shëndetshme për djemtë, por edhe në një shtyllë të ekonomisë familjare. Kjo do të thotë më pak shpenzime, më shumë siguri.
Pika e kthesës
Artani, babai i Francit, duhet të mbajë gjithë peshën e familjes. Familja e Artanit ishte në një moment të vështirë. Katër fëmijë të vegjël për t’u ushqyer, prindërit pensionistë që jetonin me ta, nëna e paralizuar, dhe e gjithë barra mbi shpatullat e një babai. Ai kishte punuar gjithandej, në ndërtim, bujqësi, edhe në emigracion, por pa mundur të hedhë baza të forta.
“Nuk ja dilnim dot. Kemi pasur lopë më parë, por kur na u sëmur, nuk kishim më mundësi për ta zëvendësuar. Nuk ishte vetëm çështje ekonomie, ishte çështje mbijetese,” – kujton ai.
Gjithçka ndryshoi kur familja u përfshi në projektin: “Fuqizimi i Familjeve përmes Blegtorisë – një udhëtim shprese dhe prosperiteti”, të financuar nga World Vision SHBA dhe zbatuar nga World Vision Albania.

Sot, përmes projektit, jo vetëm që ka përfituar një lopë të racës daneze, por edhe një stallë të rindërtuar, ushqim për kafshën, shërbim veterinar falas, dhe trajnime.
“World Vision na ndihmoi me çdo gjë. Na dha lopën. Na ndërtoi stallën. Na dha ushqimin për lopën. Gjithashtu kemi edhe një veteriner që vjen dhe na mbështet sa herë kemi nevojë. Mjafton që ta telefonojmë dhe ai vjen menjëherë. Përmes trajnimeve, kam mësuar si ta ushqej, si të kujdesëm për shëndetin e kafshës dhe higjienën e stallës,” – thotë ai, ndërsa rrëfen me shpresë se shumë shpejt, me viçin femër që sapo ka lindur, do të nisë një mini-fermë.
“Është një mundësi për të shtuar tufën dhe për të investuar në tokën time. Kjo e ka ndihmuar shumë ekonominë tonë familjare. Nuk kemi më nevojë të blejmë asnjë gjë. Me mbështetjen e World Vision tashmë kemi një përmirësim të ekonomisë tonë familjare,” – shton ai.
Më shumë sesa një lope, një ndërhyrje gjithëpërfshirëse
Ndërhyrja nuk ka qenë e pjesshme, por gjithëpërfshirëse. Ky projekt nuk sjell vetëm kafshë, por vendos themelet për një ekonomi të qëndrueshme, një ushqyerje më të mirë për fëmijët dhe një jetesë më dinjitoze për prindërit. Deri më tani, janë mbështetur 30 familje me lopë dhe dhjetëra të tjera do të mbështeten muajt në vijim.
Qëllimi është i qartë: rritja e mirëqenies për 620 fëmijë dhe fuqizimi ekonomik i 200 familjeve në zonën e Durrësit, përmes blegtorisë së qëndrueshme dhe produkteve cilësore që familjet mund të përdorin vetë apo t’i shesin.
Një lopë mund të mos jetë gjithçka. Por për një familje në nevojë, ajo mund të jetë një fillim i mirë për një ushqyerje të shëndetshme dhe për një ekonomi familjare të qendrushme.
Në fund të vizitës, Franci, disi i turpshëm por kurioz, na fton për një gotë kos të ftohtë. “Nuk ka si kosi i shtëpisë,” – thotë ai, me një buzëqeshje që të mbetet në mendje.
Dhe në shijen e freskët të atij kosi, ne ndiejmë shijen e një të ardhmeje më të mirë për Francin dhe vëllezërit e tij, e cila po vjen me hapa të vegjël, por të sigurt.
Alfons Cupaj, PR and Communications – World Vision Albania
