“Kjo ndërtesë u bë shtëpia ime, edhe pse vetëm për 3 ditë,”- kështu e nis rrëfimin e saj Florinda nga Durrësi, nënë e tre fëmijëve.
Para 1 viti e gjysmë, ajo u përball me një situatë që nuk do të donte t’i kishte ndodhur kurrë. Pas një konflikti të momentit me vjehrrën, me të cilën jetonte prej 5 vitesh, përfundoi e vetme në rrugë me tre fëmijët e saj.
Gjatë një pasdite, në shtëpinë ku ajo jetonte që prej ditës kur ishte martuar, policia i trokiti në derë. Ata e njoftuan se pas konfliktit, vjehrra e kishte denoncuar. E detyruar të paraqitej në polici, Florinda mori fëmijët në krah dhe vetem me rrobat veshur doli nga shtëpia. Ajo bëri të njëjtën gjë, denoncoi në polici vjehrrën për dhunë dhe keqtrajtim, veprim që sipas saj e kishte kryer në sy të fëmijëve. Në atë kohë, bashkëshorti i Florindës ndodhej në emigrim, në përpjekje për të siguruar të ardhura për familjen, e cila jetonte në vështirësi ekonomike. Në momentin e konfliktit, familja mbahej me pensionin e vjehrrës, e cila që në fillim kishte shprehur pakënaqësi për Florindën. Jetesa e tyre ishte shoqëruar me konflikte të vazhdueshme, të cilat përfunduan deri në dhunë.
“Dola nga ajo shtëpi duke e ditur se do të mbetësha e vetme në rrugë me tre fëmijët. Nuk shkoja dot më as tek prindërit e mi. Ata i dinin konfliktet tona prej vitesh, pasi kisha ikur dhe dy herë të tjera më parë tek ata. U riktheva në shtëpinë e bashkëshortit për hir të fëmijëve tanë. Gjithsesi, vitet e fundit situata u bë e padurueshme. Kur burri iku në emigrim mendova se marrëdhënia ime me vjehrrën do të ndryshonte. As fëmijët nuk ia zbuten zemrën. Kjo më detyroi të dal nga ajo shtëpi, për të mos u kthyer më kurrë,” – tregon e trishtuar Florinda.
Pas denoncimit në polici, në kushtet që Florinda ishte pa një strehë dhe në pritje të urdhrit të mbrojtjes, autoritetet policore u lidhen me Qendrën për Shërbime Mbrojtëse, Fuqizuese dhe Emergjente për Fëmijët dhe Familjen në Durrës. Nëna me tre fëmijët u strehuan përkohësisht aty.
Prej gati tre vitesh, kjo qendër është ngritur në Bashkinë Durrës, si një model shërbimesh në kuadër të Reformës Kombëtare për Shërbimet Sociale dhe Strategjisë së Mbrojtes Sociale, me fokus kryesor mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, abuzimi, neglizhimi dhe shfrytëzimi.
World Vision Albania ka qenë iniciator i të gjitha përpjekjeve advokuese në lidhje me përmirësimin e shërbimeve për fëmijët në rrezik të lartë për t’ju përgjigjur nevojës për ngritjen dhe funksionimin e qendrës së mbrojtjes, fuqizimit dhe shërbimeve emergjente për fëmijët dhe familjet. Një nga familjet që ka gjetur mbështetje në këtë qendër është edhe Florinda me fëmijët e saj.
“Kjo derë ishte një shtëpi për mua në momentet me të vështira, ateherë kur nuk dija ku të shkoja. Kalova momente të vështira dhe e vetmja gjë që mendoja ishte se çfarë do të bëhej me fëmijët e mi,”– tregon sot Florinda.
Viola, drejtoresha e Qendrës na rrëfen se Florinda me familjen qëndruan aty për 72 orë, dhe përfituan të gjithë mbështetjen e plotë që ofron qendra: strehim për të gjithë familjen, kujdestarë për fëmijët, si dhe lodra dhe lojëra për të dalë nga gjendja e traumës. Edhe për Florindën u ofrua shërbim psikologjik, për të kaluar gjendjen e vështirë.
“Fëmijët ishin të tronditur, sidomos vajza e madhe, e cila ishte e lidhur me gjyshen e saj. Djali nuk ishte i qetë dhe bënte sjellje të pakontrolluara, ndërsa së bashku me vajzën e vogël mblidheshin pas Florindës dhe tregonin afeksionin që kishin ndaj saj,– tregon Verona, psikologia e Florindës pranë Qendrës.
Florindës i është dashur një kohë e gjatë për të rimarrë veten. Jo vetem në Qëndër, por edhe disa muaj me pas, ajo tregon se ka vijuar të marrë trajtim psikologjik, falë të cilit sot është më mirë dhe më e qetë për fëmijët e saj.
Gjithashtu, stafi i qendrës u angazhua për të parë të gjitha mundësitë për të ardhmen e Florindës. Asaj iu ofrua ndihmë për bonusin e qerasë për disa muaj për një shtëpi të përshtatshme në një lagje të Durrësit.
Pas tre ditësh në qendër, Florinda u zhvendos në shtëpinë me qera. Stehimi në kohë bëri që fëmijët e saj të mos e ndërprisnin kopshtin dhe shkollën dhe të vijonin të qetë jetën pranë nënës së tyre.
Sot familja është e bashkuar. Bashkëshorti i Florindës është kthyer nga emirgracioni dhe jeton bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Familja vijon të ketë ende vështirësi ekonomike, pasi asnjëri nga kryefamiljarët nuk ka një punë të qendrueshme.
“Falë jush unë gjeta forcën për t’ja dalë mbanë dhe për të mos u dorëzuar sepse fëmijët e mi kanë nevojë për mua, nënën e tyre. Kam një mesazh për të gjithë ato nëna të cilat njësoj si unë nga pamundësia për të siguruar një jetë të qetë për fëmijët, qëndrojnë në ambiente konflikti dhe dhune. Gjeni forcën t’i thoni JO dhunës! Jetoni në paqe për të mirën tuaj dhe të fëmijëve tuaj,”- kështu e mbyll rrëfimin e saj Florinda.
Falë punës së World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Qendra për Shërbime Mbrojtëse, Fuqizuese dhe Emergjente për Fëmijët dhe Familjen në Durrës prej dy vitesh ka strehuar 90 përfitues.
Qendra vijon të përmbushë misionin e saj për të siguruar mirëqenien dhe përfshirjen shoqërore të individëve dhe të familjeve që kanë nevojë për kujdes shoqëror si dhe të ofrojë shërbime që synojnë të ndikojnë pozitivisht në jetën e fëmijëve, të rinjve dhe familjeve të tyre në situatë vulnerabël.
Grupet e synuara që përfitojnë nga qendra janë: fëmijët në rrezik të lartë, në nevojë për mbrojtje, fëmijët që përjetojnë dhunë në familje, viktima të mundshme të trafikimit dhe fëmijët që formojnë familje në nevojë për mbrojtje, fuqizim dhe grupet rinore.