“Jemi të pastrehë, pa bukë, pa punë, pa asgjë që kur u kthyem nga Gjermania. Ndihma juaj është shumë për ne, na besoni. Fëmijët rrinë të mbyllur në shtëpi, ne jemi në kërkim të ndonjë pune,” – thotë një zonjë që i është refuzuar kërkesa për azil.
Rreth 97% e shqiptarëve që aplikojnë për azil në vendet e BE-së, refuzohen.
Raporti i fundit nga Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilantëve (EASO) [1]tregon se plot 14.000 shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian vetëm në 7 muajt e fundit të vitit 2019. Sipas raportit të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më, dhe kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil.
BURIMI: EASO (EUROPEAN ASYLUM SUPPORT OFFICE)
Nga periudha 2014-2018 janë refuzuar gjithsej 96.4 mijë kërkesa nga shqiptarët, që në vlerë absolute është më e larta nga të gjithë vendet e botës.
Ndërkaq, një pjesë e të refuzuarve, të rikthyer tashmë në vendin tonë po kalojnë një proces të vështirë riintegrimi dhe shumë prej tyre përballen me sfida që nuk i kapercejnë dot.
Familjeve të rikthyera po iu vjen në ndihmë projekti RE-IN-VEST i cili mbështetet nga Qeveria Gjermane dhe implementohet nga GIZ Albania, në bashkëpunim me World Vision dhe partnerët Diakonia Agapes dhe Shkej.
Projekti synon krijimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës duke iu ofruar atyre ndihmë në aspektin social dhe ekonomik.
Deri më tani rreth 309 familje janë identifikuar në listën e atyre që po marrin ndihmat e para dhe aktualisht janë shpërndarë pako ushqimore për 226 individë në 56 familje, ndërkaq që procesi vazhdon…
RE-IN-VEST po shërben si një asistencë e drejtpërdrejtë për këto familje në nevojë, dhe po i ndihmon ata të investojnë një të ardhme të qëndrueshme në vendin e tyre.
Në Dibër, këtë fundjavë fillojnë aktivitetet “Open Days” të cilat synojnë identifikimin dhe regjistrimin e të rikthyerve nga emigracioni në kuadër të fuqizimit të tyre ekonomik. Ndërkohë që një pjesë e tyre do të orientohen drejt kurseve të Formimit Profesional, rreth 300 të rikthyer do të trajnohen mbi konceptet e të bërit biznes dhe punësimin e qëndrueshëm. Në përfundim, 100 idetë më të mira të biznesit do të mbështeten financiarisht nga projekti në funksion të ri-integrimit të suksesshëm të këtyre familjeve apo individëve.
#REINVESTproject