Albana, kishte ëndërruar gjithë jetën të bëhej mësuese. Sistemi arsimor i para viteve ’90 nuk ia realizoi këtë ëndërr.
Vitet kaluan, ajo u martua dhe u bë nënë e dy fëmijëve. Me ardhjen e sistemit pluralist, shpresat e saj për të bërë realitet ënëdrrën e fëmijërisë u ndezën sërish. Kështu filloi arsmimin e lartë për mësuese të ciklit të ulët, në Universitetin e Korçës. Familja ishte mbështetja e saj më e madhe, vçanërisht bashkëshorti. Ishte 29 vjeçe dhe kishte 2 fëmijë kur filloi studimet e larta. Një studente jo e zakontë por, me një dashuri të madhe për këtë profesion. Sot, ajo numëron 10 vite përvojë duke ushtruar profesionin e mësuesit. Nga to, 9 në shkollën e Maliqit, ku mësojnë rreth 300 nxënës.
Pas disa ndryshimesh në shkollë para 2 vitesh, ajo kaloi si mësuese ndihmëse e fëmijëve me aftësi të kufizuar në shkollë. Ajo kishte pasur përvojë edhe më parë me këta fëmijë si dhe kishte qenë pjesë e disa trajnimeve mbi gjithëpërfshirjen e këtyre fëmijëve, nga organizata të ndryshme, mes tyre edhe World Vision.
“Kur kalova mësuese ndihmëse, kuptova se duhet shumë pasion. Kjo punë bëhet vetëm nëse e bën me zemër sepse ka shumë lodhje”- tregon Albana.
Aktualisht ajo punon me 4 fëmijë me aftësi të kufizuara, me 2 prej tyre me plan edukativ individual dhe me 2 të tjerë parashkollorë. Në shkollë ka edhe 14 fëmijë të tjerë me vështirësi në të nxënë, dhe sigurisht që ajo nuk kursehet as për ata.
Albana ndihet me fat sepse, si pak kolge të saj ka një klasë burimore, të pajisur me mjete që fëmijët të ndihen mirë sa herë që shkojnë.
Albana e ka kuptuar cili është çelësi i suksesit për të dhe të gjithë mësuesit që punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara. “Me fëmijën duhet të punojë në të njëjtën kohë mësuesi i parë i klasës, mësuesi ndihmës si dhe prindi në shtëpi. Mesuesja ndihmëse nuk bën dot pa bashkëpunimin e ngushtë me mësuesen e parë sepse nga ajo e merr programin mësimor, shto këtu edhe faktin që fëmijët e shohin si autoritetin kryesor”- thotë Albana.
Ajo tregon me krenari se ka pasur raste suksesi të këtij trekëndëshi bashkëpunimi. L. është një vajzë me aftësi të kufizuar dhe, këtë vit filloi klasën e dytë, ndonëse është 10 vjeçe. Albana e ka ndjekur dhe kanë punuar bashkë që kur ajo ishte në sistemin parashkollor. Albana i bënte pikat në fletore që, ajo t’i bashkonte. L. kishte shumë vështirësi dhe, në të shumtën e rasteve nuk ia dilte.”Sot ajo bashkon pikat duke formuar gërma, i njeh shkronjat dhe numrat. Ka dhuntinë të mësojë përmendësh vjershat dhe reciton në aktivitetet e shkollës”- tregon me shumë kënaqësi Albana.