Nga Fatos Baxhaku/ Stop dhunës dhe egoizmit

tosi

Jetojmë në një vend ku ethet e kapërcimit të shpejtë të së kaluarës diktatoriale, të kapjes së kohës së humbur, të arritjes së standarteve jetësore perëndimore, të krijimit të një shoqërie shqiptare të konsumit, kanë zaptuar shumicën. Të jesh më mirë është një kërkesë e drejtë, gati-gati e dhënë nga Zoti, andaj përpjekja në vetevete nuk do të kishte asgjë për t’u shqetësuar e as për t’u sharë. Vetëm se, nëse në këtë garë me kohën shohim vetëm nga vetja, nga momenti dhe aspak nga ata që na rrethojnë, nga e ardhmja, atë herë rrezikojmë shumë të krijojmë një shoqëri të përbërë prej individësh të babëzitur, një grup të madh njerëzish që nuk e kanë mendjen te njëri-tjetri, te respekti reciprok duke qenë edhe të ndryshëm, pra një shoqëri ku ekzistojnë vetëm dy vlera: paraja dhe forca. Dhe nëse kjo ditë vjen, atëherë fjala e shumëbrohoritur, demokraci, nuk do të ketë më asnjë kuptim.

Të zënë sikurse janë ngaherë të rriturit vetullvrenjtur, që merren me diskutime të gjata, historike, idelologjike, politike, nuk kanë pasur kohë deri më tani, por me sa duket as dëshirën, për të dëgjuar zërin e bijve të tyre. Ka ndodhur një ndarje në mendimet, shpresat dhe ëndrrat, veprimet mes të rriturve dhe të rinjve. Kjo është e kuptueshme, të rriturit kanë përgjegjësinë që, sa të dalin në jetë, të jenë përgjegjës për edukimin, shkollimin, arritjet apo gabimet e fëmijëve të tyre. Vetëm se kjo ndarje e madhe tradicionale, te ne, në Shqipëri, ka ardhur duke u mahisur dhe kjo çon në situata që shkojnë nga pesimizmi deri te mungesa e plotë e shpresës, gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhë një kombi.

Nuk kanë qenë të këtij mendimi nxënësit vullnetarë të World Vision të projektit “Reporter” nga Dibra, Tirana, Durrësi, Kurbini, Elbasani, Librazhdi, Lezha, Shkodra, Korça, Shkodra dhe Kosova të cilët në këtë fotoekspozitë na përçojnë mendimin e tyre: mirësia ndahet me të tjerët, asgjë nuk mund ta ndalë shpresën për të qenë më mirë nëse mbështesim supet te njëri-tjetri. Vetëm kështu dhuna, babëzia, fodullëku, egoizmi, urrejtja, skërmitja e dhëmbëve, të gjitha këto mund të shndërrohen vetëm në figura letrare nëpër tekstet e letërsisë dhe jo si ngjarje të përditëshme sikurse janë sot.

Fëmijë e adoleshentë me këtë ekspozitë kanë gjetur mjetin e tyre të thjeshtë: fotoreportazhin. Ata kanë meritën se kanë kthyer te ne një zhanër elitar, që kishte kohë i harruar nën peshën e lajmeve të bujshme. Askush nuk priste prej tyre scoop-in, lajmin e bujshëm, tronditës. Arma e tyre e fortë është ndershmëria dhe zemra e madhe që nuk rreh vetëm për vete. Bashkohuni me ta në këtë ekspozitë…

Fatos Baxhaku