Lindur dhe rritur në një fshat të Dibrës, Roni ishte fare i ri kur la qytetin e lindjes dhe u shpërngul në Tiranë për të plotësuar ëndrrën e një jete më të mirë. Dëshira për tu kthyer në fshatin e vogël, nuk iu shua kurrë. Në Tiranë filloi universitetin për Gjuhë-Letërsi me kohë të pjesshme sepse pjesën tjetër i duhej të punonte.
Jeta prej studenti e njohu me Leonardin, nga Shkodra, student i Psikologjisë. Mes bidedash, djaloshit nga Dibra iu zgjua një ëndërr e hershme, ajo e të punuarit në shërbim të njerëzve. Kështu filloi të shkonte në leksionet e psikologjisë. I njohu pedagogët dhe të gjithë çuditeshin kur nuk e gjenin emrin e këtij studenti kaq të zellshëm në listën e studentëve.
Vitin tjetër ai konkuroi për psikologji dhe fitoi. “Për një vit kam ndjekur fakultetin e Gjuhë Letërsisë dhe të Psikologjisë në të njëjtën kohë” – tregon Roni. Nuk ishte e lehtë për të e gjitha kjo, por ai po i shërbente “ëndrrës” dhe kjo ia lehtësonte punën.
Pasi mbaroi studimet, i riu u kthye në vendlindje, spese për të jeta e vetmuar në kryeqytet nuk ishte e lehtë. 2 diplomat universitare nuk i hapën shumë dyer. Për hir të së vërtetës as ai nuk kishte krijuar shumë pritshmëri. Për 2 vite punoi si mësues gjuhë – letërsie në një fshat të largët – Kalanë e Dodës.
Ëndrra e tij për të punuar si psikolog u bë realitet pas 2 viteve pune si mësues. 36-vjeçari vazhdon ta ushtrojë ende profesionin e tij, ndonëse me shumë sfida. Aktualisht, ai punon dhe ofron shërbimin e psikologut në 7 shkolla në Dibër, pra rreth 2500 nxënësve. “Dua t’i shërbej më mirë nxënësve dhe jap maksimumin tim” – thotë Roni. Që ai ta bëjë këtë duhet që në shkollë të ketë punonjës social dhe mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar. Por, nuk ka. Roni është i vetëm.
Sfida e tij më e madhe është shpërndarja e largët gjeografike. “Punoj në 7 shkolla të ndryshme në 6 fshatra të ndryshëm. Më duhet të udhëtoj orë të tëra për të mbërritur tek nxënësit. Marr 2 furgona dhe një autobus, pastaj eci edhe në këmbë. Po edhe kur arrij nuk është se kam ambjentin tim. Rri tek salla e mësuesve ose tek drejtoria. Kolegët më mbështesin me aq sa munden dhe për këtë ndihem me fat” – tregon Roni.
Arritja më e madhe sipas tij është fakti që institucionet dhe komuniteti kanë filluar ta njohin dhe ta kuptojnë rolin e vërtetë të psikologut në shkolla dhe më gjerë. “Psikologu është një burim i mirë informacioni për fëmijët përtej planeve edukative mësimore. Për mbrojtjen e fëmijëve në shkolla, prania e psikologut dhe e punonjësit social ka rol kryesor. Kështu fëmija nuk do ndihet pa asnjë mbështetje, por do të ketë mundësi të degjohet, t’i merren në konsideratë mendimet, të përfshihet edhe të nxitet të ndërmarrë nisma” – thotë ai.
Roni ka gjetur mbështetje të vazhdueshme jo vetëm tek kolegët, DAR apo NJMF në bashki, por edhe tek organizatat e shoqërisë civile që punojnë në qytetin e tij, mes të cilave Roni veçon World Vision. “Organizata më ka mundësuar trajnime të shuma, ku kam patur mundësi të ndaj përvojën dhe sfidat me kolegë të tjerë dhe kemi mësuar nga njëri-tjetri. Gjithashtu kemi trajtuar tema rreth mbrojtjes dhe gjithëpërfshirjes së fëmijëve” – përfundon psikologu nga Dibra.