Të rinjtë e zonave rurale i shohim shpesh në kafe, ulur buzë rrugës apo edhe në bilardon e fshatit ose qytezës, në rast se ka një të tillë në vendin ku jetojnë. Aktivitetet kulturore iu duken një ëndërr pothuajse e parealizueshme, por jo për të rinjtë e grupit Impact Club në fshatin Dorëz të Bashkisë Librazhd. Ardit Toca dhe Zalo Biçaku bënë të mundur që qendra rinore mos të kishte vetëm një tabelë në murin jashtë godinës që përveç emrit nuk kishte asgjë tjetër që e lidhte me rininë. Ato ideuan një projekt sesi kjo qendër të shndërrohej në një ambient funksional që mund ta përdornin si bibliotekë, vend takimesh apo edhe kinema.
Kishin idetë, kishin ambientin, por iu mungonin elementët e tjerë që mund të tërhiqnin jo vetëm të rinjtë e komunitetit, por edhe fëmijët. Vendosën të merrnin pjesë në një konkurs të shpallur nga World Vision dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ia dolën! U vlerësuan më të mirët! Në këtë mënyrë arritën të siguronin një vlerë prej 1000$ të financuar nga World Vision, e cila u mundësoi paisjen e qendrës me materiale bazë si video projektor, printer, aparat fotografik, libra artistike, tapet. Të rinjtë morën edhe të tjera dhurata nga asetet e organizatës si kompjuter, karrige, tavolina dhe rafte. Gjithashtu morën mbështetje edhe për lyerjen e ambientit.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë entuziast. Ne jemi grupi Impact. Ne kemi zgjedhur të ndikojmë pozitivisht në komunitet. Përpara se të hapej qendra, vështirësia më e madhe ishte me ruajtjen e materialeve të domosdoshme. Këtu kemi gjithçka na duhet. Do ndërmarrim iniciativa. Këtu ekzistenca jonë si grup është më e theksuar dhe të gjithë e shohin se impacti është aktiv dhe mund të na bashkohen.” – tha 17 vjeçari, Florenc Brazhda.
Tashmë godina është e kompletuar e brenda saj ka jetë! Ambientet janë bërë tërheqëse e kjo ka afruar jo vetëm të rinj të tjerë, por ka krijuar edhe mundësi të reja për angazhimin e atyre që bëhen pjesë e grupit.
“Unë gocat do t’i ndihmoj në punëdore, grep, punime të kostumeve popullore, ruajtjen e traditës. Nuk e kam problem që do marin nga koha ime. Vetëm ato të kenë dëshirë të mësojnë, të kenë vullnet dhe unë do u mësoj për durimin. Do i mësoj si fëmijët e mi!” – ky është premtimi i Trëndafile Çelës. Ajo është rrobaqepëse dhe përdor një nga dhomat e qendrës rinore për aktivitetin e saj, gjë që do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
U desh edhe bashkëpunimi i autoriteteve lokale për ta kthyer sërish këtë qendër në funksion të të rinjve. U nënshkrua një marrëveshje e më pas u organizua një takim për rikthimin në funksion të qendrës rinore. Në aktivitetin që u realizua morën pjesë jo vetëm të rinj, por edhe World Vision, Nënkryetari i Bashkisë, drejtoresha e arsim- kulturë dhe sport në bashki, drejtoresha e Zyrës Arsimore, drejtoria e shkollës, prindër, mësues e infermierë.
“Janë zgjedhje të vogla, por që na bëjnë të fitojmë gjëra të mëdha, siç është e ardhmja! Përkushtohem që kjo qendër do marrë mbështetjen e duhur. Bota e parë me sytë e fëmijëve është shumë më e bukur” – tha gjatë aktivitetit Enver Shkurti, nënkryetari i bashkisë Librazhd.
Ndërkohë drejtoresha e zyrës arsimore Librazhd inkurajoi të tjerë të rinj që të ndiqnin këtë shembull rrallëherë të hasur tek fëmijët.
Androina Kojku është pjesë e grupit Impact club, është 18 vjeç dhe tregon se ende nuk i besohet që arritën të realizojnë gjithçka në kaq pak kohë.
“Jam shumë e lumtur për gjithë arritjet tona. Do përpiqemi të bëjmë dhe më shumë në vazhdim dhe të jemi një shembull i mirë për brezin tjetër.”
Kësaj here të gjithë u mblodhën për ata që i gëzohen moshës, i japin gjallëri vendit, që zhurmojnë, iu nxjerrin telashe, por edhe që mësojnë e bëhen të vlefshëm për të tjerët, por edhe duke i krijuar vetes mundësi të reja.