Kjo verë do të jetë ndryshe për rreth 1000 fëmijë në Tiranë, Kamëz dhe Durrës. Duke nisur nga data 16 qershor, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me organizatën World Vision Albania, sjell për herë të parë modelin e ri të Shkollave Verore, i cili do të pilotohet në 10 shkolla publike.

Programi u prezantua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, në një takim me prindër, mësues, drejtues të këshillave të prindërve dhe përfaqësues të shkollave përfituese, ku u theksua qasja gjithëpërfshirëse dhe edukative e kësaj nisme.
“Ky është një prej programeve më të reja të ministrisë sonë, në bashkëpunim me partnerët e ministrisë tonë, organizatën World Vision Albania. Jam e lumtur që për herë të parë, në 10 shkolla, 8 në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Durrës, do të lançojmë modelin e Shkollave Verore. Programi nis menjëherë pas përfundimit të vitit shkollor dhe do të zgjasë dy javë, me fokus tek fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, por nuk përjashtohen edhe nxënës të tjerë që duan të marrin pjesë,” – u shpreh ministrja Manastirliu gjatë ceremonisë së lançimit.

Për World Vision Albania, ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të mirëqenies dhe zhvillimit gjithëpërfshirës të fëmijëve.
“Për ne, si një organizatë që ka në qendër të punës së saj fëmijët, prej 26 vjetësh, ky projekt është plotësisht në përputhje me misionin tonë. Mezi presim që, së bashku, të krijojmë përvoja pozitive për fëmijët, përmes lojës, sportit dhe aktiviteteve argëtuese, duke i ndihmuar ata të rriten të lumtur dhe të sigurt,” – u shpreh Eljona Elmazi, Drejtore Ekzekutive e World Vision Albania.

Shkollat Verore ofrojnë një mjedis të sigurt dhe stimulues ku fëmijët mund të mësojnë, të shprehin kreativitetin, të përfshihen në aktivitete shkencore e teknologjike dhe të krijojnë miqësi të reja. Prindërit janë gjithashtu mbështetës të nismës, duke vlerësuar ndikimin pozitiv të saj.
“Është një projekt shumë i bukur që i angazhon fëmijët gjatë pushimeve, duke i nxitur të merren me aktivitete krijuese. Do të doja që të zgjaste më shumë,” – u shpreh njëri nga prindërit e pranishëm në ceremoninë e prezantimit.
Ky program është një shembull frymëzues i bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile.
Le të ndërtojmë së bashku një verë që lë gjurmë në jetën e çdo fëmije. Sepse kur investojmë tek fëmijët, ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.


