Dashuria e familjes i bën të ëmbla edhe sfidat

You are here

  • 22-07-22 |

Dashuria e familjes i bën të ëmbla edhe sfidat

Nuk janë vështirësitë që po kalojmë ato që e përcaktojnë lumturinë në familjet tona, por sjellja dhe përkujdesi që tregojmë për njëri-tjetrin. Ky është mesazhi që na jep familja e Gëzimit nga Kurbini, duke na treguar se si të gjejmë gëzim e shpresë edhe në sfida.  

“Kam kuptuar se edhe pse i pamundur fizikisht, ka shumë gjera që unë mund të bëj për fëmijët e mi dhe familjen time. Dashuria për njëri-tjetrin është ajo që iu jep vlerë jetëve tona,”- na tregon Gëzimi, i cili me bashkëshorten e tij Albarinën, prej 4 muajsh i është bashkuar trajnimit “Festojmë Familjen”. 

Gëzimi është diagnostikuar me distrofi muskulare progresive. Paaftësia fizike ka qenë shpesh një pengesë për të që të jetë një kryefamiljar që përmbush të gjitha nevojat e familjes së tij, por ai na tregon se gjuha e dashurisë i bën të ëmbla edhe sfidat.

“Unë jam në karrocë, me aftësi të kufizuar dhe e kam shumë të vështirë të kujdesem për fëmijët. I duhet bashkëshortes të marrë përsipër angazhime më shumë se unë. Gjatë takimeve me prindërit, ne kemi mësuar disa metoda të thjeshta që në thelb e forcojnë marrëdhënien mes bashkëshortëve dhe me fëmijët. Në çdo temë që diskutonim, unë po mësoja gjëra të thjeshta më shumë vlerë, që zakonisht në prindërit i anashkalojmë si falja dhe edukimi shpirtëror i fëmijëve. Të gjitha ishin gjëra shpirtërore dhe jo materiale, që nëse ne i zbatojmë vërtetë ndikojnë shumë në mirërritjen e fëmijëve. Të gjitha gjërat që kemi mësuar po përpiqemi që t’i zbatojmë në shtëpi dhe këtë e bëjmë në çdo kohë,”- vijon më tej rrëfimin 40-vjeçari. 

Teksa flet për njohjen më Gëzimin, Albarina nuk i fsheh dot emocionet. 38-vjeçarja thotë se u dashurua me zemrën e bashkëshortit të saj, me karakterin dhe sjelljen e tij.  

“Gjatë kohës që po njiheshim Gëzimi nuk ishte në karrocë, por kjo pritej. Ishte dashuria që na çoi në martesë. Familjen tonë e ka mbajtur dhe e mban gjallë dashuria që ka lindur tek ne që kur jemi njohur,”- thekson ajo. 

Albarina është me profesion punonjëse sociale dhe thotë se i pëlqen shumë puna me fëmijët, por trajnimi “Festojmë Familjen” e ka pajisur atë me njohuri të reja për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme dhe më të forta me fëmijët dhe bashkëshortin. 

“Ne kemi një familje ku marrëdhënia është normale. Përpiqemi të bëjmë më të mirën, por trajnimi “Festojmë familjen” na ka bërë të mendojmë dhe të reflektojmë më shumë. Jemi informuar për disa praktika shumë të thjeshta, por që nganjëherë ne i kemi nënvlerësuar dhe nuk i kemi pasur prioritet,” - na tregon ajo. 

Albarina thekson se tashmë kalon më shumë kohë me dy fëmijët e saj; Brielën që është dy vjeçe dhe Emanuelin 5 vjeç. Ajo thotë gjithashtu se kalon më shumë kohë personale në çift me Gëzimin, ndërsa vendimet në familje i marrin bashkë. 

“Sesioni më i veçantë ishte: 5 gjuhët e dashurisë, ku mësuam ca mënyra shumë të thjeshta dhe pa kosto të madhe për të bërë pjesëtarët e familjes të ndjehen mirë dhe të vlerësuar. Tani flasim për çdo gjë me njëri-tjetrin,” - shton ajo. 

Mësimet e marra nga trajnimi, Albarina nuk po i zbaton vetëm në familjen e saj. Ajo thotë se shpesh diskuton edhe me kolegët dhe shoqet e saj, duke i njohur edhe me pjesë të veçanta të trajnimit. 

“Prindërit luajnë rolin thelbësor që familja të jetë një ambient ku secili anëtar të ndjehet i dashur, i dëgjuar, i pranuar dhe i vlerësuar. Prindërimi është një proces i përditshëm, gjatë të cilit ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar. Nëse e dëgjojmë dhe vlerësojmë njëri-tjetrin, do të ndërtojmë familje të shëndetshme,” - e mbyllin mesazhin e tyre çifti i bashkëshortëve nga Kurbini. 

Sipas raportit vjetor të World Vision Albania, vetëm gjatë vitit 2021, 584 prindër fituan njohuri dhe aftësi në lidhje me prindërimin pozitiv përmes modulit “Festojmë Familjen”.

Tungjatjeta.al

 
Bruna
Shqipëri
Donaldi
Shqipëri
Juliani
Librazhd
Elvani
Librazhd
Emiljano
Shqipëri
Klajdi
Shqipëri
Alesia
Shqipëri
Emanueli
Shqipëri
Gabriela
Shqipëri
Soni
Shqipëri
Jasmina
Shqipëri
Ardiani
Shqipëri
Ana
Shqipëri
Selma
Shqipëri
Arjani
Shqipëri
Sara
Shqipëri
Altin
Shqipëri
Marigleni
Shqipëri
Irena
Shqipëri
Leonora
Shqipëri
Oligerta
Shqipëri
Arta
Shqipëri
Fjorida
Librazhd

Twitter Feed

 

Facebook Feed

 

Na Kontaktoni

Shqipëri
  • Rruga “Vëllezërit Manastirli”, Ndërtesa nr. 4,
    P.O.Box 1725, Tirana, Albania
  • Tel: +355 4 2419601
  • Email: tirana@wvi.org

empty

Na Ndiqni