Lumturia nuk varet nga kush je dhe çfarë ke

loreta

Loreta është një prej të rinjve që po takohet me 100 familje për të ndihmuar në rimëkembjen e tyre… Ajo është banore e Krujës, një prej zonave më të prekura nga tërmeti i Nëntorit të 2 viteve më parë. 

Sot ajo ndan një pjesë nga ditari i saj i kujtimeve gjatë takimeve e bisedave me familjet krutane në kuadër të projektit ’’Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente’’, të financuar nga UNDP Shqipëri dhe zbatuar nga World Vision Shqipëri.

Krahas adresimit të disa prej nevojave psiko-sociale, 100 familje do të mbështeten të hedhin bazat e një zhvillimi të qendrueshëm ekonomik në përputhje me mundësitë që ofron zona, ndërkohë anëtarët e komuniteti dhe përfaqësues të institucioneve lokale do të angazhohen në diskutime që kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe zbatimin më efektiv të Planit Lokal të emergjencave.

Ditari i Loretës:

Me këtë fjali do nis të shkruaj për qytetin e vogël ku unë jam rritur, Fushë Krujë. Një qytet i vogël por me probleme shumë të mëdha. Shumë familje janë vizituar këto ditë dhe ajo çfarë bie në sy janë njerëz në nevojë që kërkojnë ndihmë, shtëpi të shkatërruara nga fatkeqësia (tërmeti) e ndodhur dy vite me parë, e si të mos mjaftonte i shtohet edhe një problem tjetër madhor si Covid 19.

Nuk është aspak e lehtë të shkruash me fjalë gjendjen e familjeve që përballen çdo ditë me luftën e tyre për mbijetesë. Duhet të shkelësh në hapat që ato kanë hedhur për të kuptuar vuajten, problemet, hallet që ato kanë. Mjafton një telefonatë e bërë në drejtim të tyre dhe ti kupton sa nevojë kanë ata… mjafton ajo telefonatë dhe ato shprehin të gjitha vuajtjet, pakënaqësitë që kanë.

Shfletojnë si të jenë duke lexuar në mënyrë të menjëherëshme të gjitha vuajtjet që kanë kaluar në jetën e tyre, frikën, pagjumësinë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, frikën se mos një tërmet tjetër do shkatërrojë sërish banesat e tyre dhe ato do mbetën serish jashtë, frikën nga sëmundjet që ato dhe fëmijët e tyre mund të marrin për shkak të lagështisë që ka kapluar “shtëpitë” e tyre nëse mund të quhen të tilla e mbi të gjitha frikën se si do rriten fëmijët e tyre…. Frika e tyre më e madhe është e ardhmja e fëmijëve.

‘’Mbas dy vitesh vuajtje erdhi dita që dikush mendoi për familjen time,’’ – shprehet Skënderi, kryefamiljari nga fshati Halil i Fushë-Krujës.

Gjatë vizitës në çdo familje të prekur nga tërmeti, në kuadër të projektit “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente.”, familjarët theksojnë mungesën e kushteve minimale për jetesë. Diku mungesa e nevojave bazë që ka familja e diku mungesa e lodrave, veshë-mbathjeve për fëmijët.

Në çdo fjali të thënë, në sytë e tyre vërehet vuajtja që kanë kaluar për shkak të kushteve jo të mira, vërehet lodhja e madhe shpirtërore po aq sa ajo fizike. Megjithatë, të gjithë mund të bëjmë diçka për veten dhe për tjetrin. Kështu nesër mund të jemi më mirë e më të fortë bashkë.